Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha, u zhvillua sot, në ambientet e kryeministrisë, ceremonia në përkujtim të viktimave të Holokaustit. Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Berisha, Kryetari i Komisionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë Warren Miller, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri John Withers dhe ambasadorja e Izraelit Amira Arnon, pjesëtarë të familjeve shqiptare që, gjatë represionit nazist në Luftën e Dytë Botërore, kanë strehuar anëtarë të komunitetit hebre, personalitete të fushës së kulturës dhe përfaqësues të medias.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar ambasadori Withers, zonja ambasadore Arnon,
I nderuar zoti Miller,
Të dashur përfaqësues të familjeve shqiptare që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në respekt dhe përmbajtje të virtytit më të lartë shpirtëror të shqiptarëve, besës, të respektit të traditës më të shkëlqyer të tyre, tolerancës fetare, mbrojtët dhe strehuat anëtarë të komunitetit hebre që jetonin në Shqipëri, apo erdhën nga vendet e tjera gjatë luftës, për t’i shpëtuar gjahut më të egër të shtrigave në historinë e njerëzimit.
Dita përkujtimore e Holokaustit është një ditë tejet e rëndësishme dhe e veçantë kujtimi dhe reflektimi për çdo qytetar të lirë, për mbarë njerëzimin.
Është dita e përkujtimit dhe nderimit me dhimbje të thellë e respekt të madh të 6 milion qytetarëve me origjinë hebre, të cilët u ekzekutuan, u eksterminuan, pas një sage të vuajtjeve dhe sakrificave më të jashtëzakonshme njerëzore, nga një ideologji dhe regjim që për nga barbaritë e tij mbetet i pashembullt në historinë e njerëzimit.
Ky është momenti i respektit të thellë për historinë dhe sakrificat e një populli të përndjekur në shekuj, për shkak të paragjykimeve dhe urrejtjes etnike dhe fetare.
Është moment i reflektimit të thellë njerëzor mbi pasojat shkatërruese që sjell indiferenca, paragjykimi, intoleranca dhe rreziku i madh i etjes së pafre për pushtet dhe dominim.
Holokausti, në këtë kontekst, ishte historia e urrejtjes, racizmit dhe krimeve më çnjerëzore të të gjitha kohërave. Por kjo tragjedi nxorri në pah edhe ngadhënjimin e madh të vlerave njerëzore në mbrojtje të jetës. Holokausti mbart me vete historinë e mijëra e mijëra qytetarëve, disa prej të cilëve i kemi sot në këtë sallë, të cilët ishin të gatshëm për sakrificën më sublime, për të mos u përkulur para një mortaje të zezë që synonte të shfaroste një komb të tërë, ndonëse kishte kontribute nga më thelbësoret në historinë e njerëzimit.
Ndaj në këtë ditë, ne nderojmë e kujtojmë së bashku këto akte sublime njerëzore, shprehim nderimin e thellë për të gjithë ata, njerëz të jashtëzakonshëm, që u shndërruan në barrikadë për të ndalur të keqen dhe vdekjen.
Në këtë ditë, unë, sikundër dhe çdo shqiptar, ndjehemi krenarë, pasi shqiptarët, ndonëse nën një pushtet të egër, jo vetëm nuk bashkëpunuan në gjahun shfarosës të anëtarëve të komunitetit hebre, por i mbrojtën ata me jetën e tyre. Asnjë anëtar i këtij komuniteti nuk iu dorëzua pushtuesit. Numri i tyre ishte më i madh në fund të luftës, sesa në fillimin e saj. Shumë prej tyre sot janë në vendin e tyre, në Izrael dhe janë ambasadorët më të shkëlqyer të kombit tim. Ndaj dua t’i falënderoj për punën që ata bëjnë për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy kombeve tona.
Zonja ambasadore, sapo jam kthyer nga Davosi, ku, ndër takimet kryesore, kanë qenë edhe ato me përfaqësuesit e vendit tuaj, Zëvendëskryeministren dhe Ministre e Jashtme, si dhe pata kënaqësinë që shkurtimisht të ritakohem me mikun tim të vjetër dhe të kombit shqiptar, ish Presidentin Shimon Perez. Në këto takime, ramë dakord që të bëjmë përpjekje të mëdha për të zgjeruar bashkëpunimin miqësor midis dy vendeve dhe kombeve tona.
Dita e përkujtimit të Holokaustit nuk është thjesht kujtim i së shkuarës, por, para së gjithash, është një apel i madh për të ardhmen, është thirrje për çdo qytetar të lirë që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë, është thirrje për të mbrojtur çdo ditë lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe për t’i zgjeruar ato.
Një nga mësimet më të hidhura të Holokaustit është se ai faktoi se edhe kombe të zhvilluara, me kontribute të mëdha në shkencën dhe mendimin njerëzor, mund të manipulohen, të përcjellin pasione çnjerëzore në rast se ata dominohen nga apatia dhe indiferenca.
63 vjet më parë, çlirimi i kampit të Aushvicit nxori në dritë mizoritë më të paimagjinueshme të nazizmit. Por jo të gjithë popujt që luftuan për të arkivuar këtë ideologji dhe pushtim do të gëzonin atë që meritonin. Disa prej tyre do të binin nën regjime totalitare, të cilët do të mbushnin vendin me gulagë, ndër më të egrat njerëzore dhe disa të tjerë nën regjime që në ikje e sipër do të realizonin spastrime etnike, gjenocide dhe krime kundër njerëzimit, siç ishin ato që Millosheviçi dhe falangat e tij realizuan në Ballkan.
Ndaj dhe sot, duke nderuar 6 milion hebrenj që humbën jetën në fushatën më barbare shfarosëse që njerëzimi ka njohur, duke nderuar mbi 1.5 milion fëmijë, vëllezër dhe motra të Ana Frankut, ne bëjmë thirrje të refuzojmë çdo formë intolerance, urrejtjeje të çfarëdo natyre, si kusht i të gjitha kushteve për të jetuar në paqe, stabilitet, harmoni dhe integrim.
Faleminderit.”