Historia e hebrenjve të Elbasanit, dëshmitarë të revansheve

Si u strehuan nga familjet e njohura dhe kujtimet e Marko Manehamit, i cili jetoi dhe komunizmin shqiptar


Nga Ledia Lleshi
 
Si u strehuan nga familjet e njohura dhe kujtimet e Marko Manehamit, i cili jetoi dhe komunizmin shqiptar

ELBASAN- Hebrenjtë dhe shqiptarët një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve duke e renditur popullin tonë përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave madje edhe familjeve që gjetën strehë duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Populli shqiptar ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes “Të drejtë midis popujve”. Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës apo vendeve të tjera. Një prej tyre në kujtimet e tij tregon se si i strehuan 26 hebrenj, të cilët ruajnë edhe kujtime të bukura nga përpjekjet për t’u fshehur. Një prej tyre në shtëpinë e Biçakajve u bë baba.

Hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin genocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri etj. Banorët e lagjes “Kala” i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së luftës hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive ku strehoheshin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagjeje ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të luftës ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan më pas familjet elbasanase me viza, bursa studimi etj.

Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.

Dëshmitë

Mark Menahemi do të hynte në historinë e familjes Nosi në Elbasan, pasi u mirëprit dhe u strehua tek kjo familje duke ndjekur nga afër edhe arrestimin dhe pushkatimin e Lef Nosit. Në një letër që ai i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994) fëmijëve të doktor Nosit, Grigorit, Rudit e Vasos, shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruan djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se: “Në qershor të vitit 1944 gjermanët më ndiqnin meqë kishin marrë informata se unë isha izraelit. Unë ika nga Cërriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi. Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij, doktor Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre Adelina Kosturi e martuar në Tiranë dhe në të njëjtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë në periudhën shtator 1943-nëntor 1944. Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja më sillte ushqime. Në këtë kohë arrestohem nga një oficer i Gestapos dhe Vasil Nosi bëri përpjekje maksimale për të më shpëtuar kur ndodhesha në qelitë e burgut të Elbasanit. Transferimi i oficerit më të egër të Gestapos në Tiranë bëri që ai të mundej të më lironte. Ata më pas më strehuan në spitalin e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët, të cilët më donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri dhe të punoj në fabrikë. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave).

Mbërritja e komunizmit

Në letër ai tregon edhe ditët kur Lef Nosi nuk ishte arrestuar ende dhe ndihmën që i kanë dhënë atij disa njerëz, por edhe tradhtinë e të tjerëve. “Komunistët kërkonin të tre regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman për t’i dënuar me vdekje. Vasili m’ u lut për të fshehur xhaxhanë e tij Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në rrugën e Kavajës në Tiranë, me ndihmën e mikut të tyre Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje. Unë nuk isha dakord sepse diçka nuk shkonte dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Ato ditë Nakoja kishte ikur me shërbim në Moskë dhe atëherë Lefi kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orës 9 të mbrëmjes duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek rruga e Elbasanit, dy burra të rinj u lëshuan me vrap për të na ndaluar. Duke dredhuar nga Kryeministria, tek rruga e Durrësit, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses. Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. “Unë po të pres në shtëpinë pa drita” i kishte thënë. E nxorëm Lefin për së dyti. E përcolla unë dhe personi në fjalë duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha: “Mos u bëj merak tani Vasil”. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur venim dhe e takonim, pas gjysmë ore pasi e lamë në atë shtëpi, i kish thënë: “Lef, të kërkojnë tek porta”, ai sa hapi portën, e arrestuan. Të njëjtën mbrëmje u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosin, Xhemal Farkën, por edhe unë megjithëse isha me pasaportë në xhep, të nesërmen në mëngjes duhej të nisesha me një vapor për në Izrael “.

Titull mirënjohjeje nga Izraeli

Dënimi i Marko Menahemit, pse ndihmoi familjen Nosi

Marko Menahemi u dënua me 4 vjet dhe bëri një vit e gjysmë burg. Më vonë shërbeu si pedagog në politeknikumin “17 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990 iu plotësua ëndrra për të shkuar në Izrael në atdheun e tij. Në vitin 1993 organizata Jatt Vashem në Izrael, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre Adelina Kosturi, titullin e lartë “Të drejtë midis popujve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit në Jatt Vashem si dhe në Washington. Titullin e ka tërhequr nipi i familjes Nosi, Skënder Kosturi. “Ishte viti 1992 kur na erdhi ftesa, nëna ime për shkak të shëndetit nuk shkonte dot dhe vendosa të udhëtoj unë drejt Izraelit. Ishim 14 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Atje takova Mark Manehamin dhe hebrenj të tjerë të shpëtuar nga shqiptarët. Këtë aktivitet të madh e ka sponsorizuar një milioner amerikan Harvey Serner. Ai gjithashtu sponsorizoi realizimin e një filmi dokumentar për jetën e hebrenjve në Shqipëri. Shqiptarët protagonistë kanë edhe nga një kopje të këtij filmi me tregimet e të mbijetuarve.

Hebrenjtë në Mesjetë

Sipas të dhënave historike dhe objekteve me karakter arkeologjik, në Elbasan ka jetuar një komunitet i madh hebrenjsh. Gjurmët e para të hebrenjve në Elbasan hasen në shekullin e XIII, ndërsa në fund të shekullit XV dokumentohet me fakte ekzistenca e tyre në këtë qytet.

Në fund të shekullit XV një pjesë e hebrenjve të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll e portugez u vendosën në qytetin e Elbasanit. Fillimisht mendohet se janë vendosur në lagjen “Kala” ku gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e popullsisë me traditë të këtij qyteti. Disa vite më vonë hebrenjtë e Elbasanit ndërtuan një sinagogë ekzistenca e së cilës vërtetohet nga një fragment rozoni me Yllin e Davidit, i cili ruhet në muze. Sipas studimeve dhe materialeve të grumbulluara nga Visarion Xhuvani një ndër patriarkët më të famshëm të kishës ortodokse shqiptare, në Elbasan ka ekzistuar një vendbanim i madh hebrenjsh gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1930 Visarion Xhuvani shkruan se “ata kishin një sinagogë, e cila më pas u përdor si han nga turqit i quajtur me emrin “Hani i Shehetilës”. Sipas historianëve dhe arkeologëve, hebrenj kanë banuar në të gjithë trevën e Elbasanit. Ata merreshin kryesisht me tregti. Në afërsi të fshatit Xibrakë të qytezës Belsh ndodhet një varr guri, i cili mban emrin “Varri i Çifutit”. Gojëdhëna tregon se varri i takon një tregtari të njohur çifut të kohës. Në vitin 1930, kohë kur u ndërtua tregu kryesor në Elbasan, u gjetën monedha ari me simbole hebraike. Monedhat dhe objektet e tjera arkeologjike tregojnë se hebrenjtë e Elbasanit mbanin emra biblikë si Jakov, Moisi, Abraham etj. Gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar në Elbasan u gjet një pllakë guri në formë trapezoidale në sipërfaqen e së cilës janë skalitur disa rreshta me shkrim hebraik të vendosur në një kornizë. Përreth saj janë 6 yje me 6 cepa simbole të Yllit të Davidit. Gjurmë të kulturës dhe piketimeve hebraike takojmë edhe në ditët e sotme në lagjen “Kala”. Një prej tyre është edhe sinagoga pranë shtëpisë së Dhimitër Shuteriqit. Megjithëse një pjesë e mirë e objekteve janë dëmtuar, kanë mbetur shenja të ekzistencës së objekteve fetare hebraike si dhe të bashkëekzistencës së komunitetit hebre, i cili u mirëprit dhe u pranua nga banorët e Elbasanit.

Familja Biçaku, nderimi nga komuniteti hebre

Shqiptarët që strehuan në shtëpinë e tyre 26 hebrenj

“…..Historia me hebrenjtë në fshatin Qarrishtë fillon në shtator të vitit 1943. “Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë”, kujton Muhamet Biçaku. Për javë të tëra 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pastërma (mish të tharë). “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, rrëfen Muhameti, i cili në atë kohë ishte rreth të 20-ave. “Nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor nuk duhet kurrsesi të punojë”, vazhdon Biçaku. Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin familjarizuar me njëri-tjetrin. Njëri nga hebrenjtë, Majo Aurest, që tani jeton në Argjentinë, ka madje një kujtim tepër të rrallë nga Qarrishta dhe Shqipëria. Gruaja e tij lindi një vajzë aty në shtëpinë e Biçakajve. Megjithatë, hebrenjtë që u strehuan në Qarrishtë u shpërndanë nëpër botë, dikush në Rusi, një tjetër në Argjentinë, disa në Amerikë dhe vetëm Rafael Faragi është sot në Haifa të Izraelit, në atdheun e hebrenjve…..”. / Metropol/

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit