Shoqata e miqësisë Izrael-Shqipëri, i jep Kryeministrit Berisha titullin “Anëtar Nderi”


Gjatë qëndrimit në Tel Aviv, Kryeministri Berisha pati një takim të ngrohtë e mbresëlënës me anëtarët e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri.

Një moment i veçantë i takimit për Kryeministrin Berisha ishte dhënia e titullit anëtar nderi i kësaj Shoqate, me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e miqësisë e bashkëpunimit midis shtetit të Izraelit dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Izraelit”.

Berisha u shprehu mirënjohjen për përfaqësimin që ata i kanë bërë Shqipërisë në këto 20 vjet, duke u shndërruar në ambasadorët më të mirë të saj në këtë vend.

Ai i ftoi të intensifikonin përpjekjet për të orientuar biznesin izraelit të investojë në Shqipëri.

Duke i falënderuar përzemërsisht për titullin e akorduar, Kryeministri u uroi 28 nëntorin, ditën e pavarësisë, duke e ftuar Shoqatën e tyre të përfaqësohet në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, vitin e ardhshëm.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje që gjatë këtyre 20 viteve që jetoni këtu keni qenë ambasadorë të shkëlqyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë vend dhe komb mik. Por dua të falënderoj edhe të gjithë qytetarët shqiptaro-hebrenj që u larguan nga Shqipëria pas hapjes së vendit dhe sot, kudo që janë në SHBA e vende të tjera, kanë po këto ndjenja të zjarrta që keni ju për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe janë avokatë të shkëlqyer, ambasadorë të mrekullueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Unë jam këtu në një vizitë zyrtare dhe e mbyll me ju këtë vizitë, – e ëmbla në fund – dhe dua t’ju them se kam pasur një vizitë të shkëlqyer. Kam ardhur këtu me qëllim më të vendosur për të përcaktuar një program intensiv bashkëpunimi me qeverinë e Izraelit, që të intensifikojmë në mënyrë të gjithanshme marrëdhëniet miqësore midis dy kombeve e vendeve tona. Kam diskutuar këtu me Presidentin Shimon Perez, me Kryeministrin Netanyahu, të cilët i njoh prej shumë e shumë vitesh dhe këto nuk ishin takimet e mia të para me ta, me Zëvendës Kryeministrat Liberman dhe Meridor, ministrin e Infrastrukturës dhe Ujërave Landau, ministrin e Turizmit, Kryetarin e Parlamentit dhe sot kam pasur një forum shumë të rëndësishëm biznesi. Këto dy ditë kemi studiuar dhe kemi përcaktuar fushat e mënyrat, me të cilat ne duhet të nxisim bashkëpunimin intensiv midis dy vendeve tona. E vërteta është se sot, Shqipëria u ofron potenciale shumë të mëdha investitorëve izraelitë në të gjitha fushat. Disa prej tyre kanë filluar të punojnë në fusha të rëndësishme, si të energjisë, ushqimit, agrobiznesit, peshkimit etj.. Por, siç e dini, potencialet e këtij vendi janë të jashtëzakonshme. Unë dua t’ju ftoj të bëni gjithçka që miqtë tuja izraelitë që merren me biznes e afarizëm t’i adresoni për në Shqipëri, t’i orientoni të vijnë në Shqipëri dhe ju siguroj se do të bëhet gjithçka që ata të kenë sukses në biznesin e tyre.

Kryeministri më premtoi se do të vijë së shpejti në Shqipëri, me një delegacion të fuqishëm biznesmenësh, më garantoi se qeveria e tij do të bëje gjithçka për të nxitur, inkurajuar e mbështetur investimet izraelite në Shqipëri.

Ministri i Turizmit, gjithashtu, më tha se do të vijë e të studiojë të gjitha mundësitë e shkëmbimeve turistike dhe investimeve në këtë fushë. Po kështu, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Zëvendës Kryeministri Meridor dhe Zëvendës Kryeministri Liberman dhen Kryetari i Parlamentit.

Lajmi më i gëzuar është se vitin e ardhshëm do të ketë një ambasadë të Izraelit në Tiranë dhe ky përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sigurisht, ky është një vendim politik, i cili merret në respekt të plotë të kombit shqiptar, por edhe të potencialeve reale që ofron sot, Shqipëria.

Edhe një herë ju falënderoj shumë për titullin dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që dy vendet e dy kombet tona të jenë gjithnjë e më afër e në bashkëpunim gjithnjë e më të madh. Ne kemi një histori jo intensive në shkëmbime në të shkuarën, por e kemi simbolike të shkëlqyer. Sa herë që janë takuar kombet tona, janë takuar si miq dhe kjo është e vërteta. Të dy kombet kanë vuajtur, por në vitet e lirisë, Izraeli ka faktuar se ç’mund të bëjnë hebrenjtë e lirë. Këto 20 vite lirie, e vërteta është se shqiptarët kanë faktuar më shumë se të gjithë të tjerët se ç’mund të bëjnë ata, kur janë të lirë.

Edhe një herë përshëndes secilin nga ju, përshëndes të gjithë ata që nuk kanë mundur të jenë sot, këtu, përshëndes të gjithë shqiptaro-hebrenjtë që janë larguar nga Shqipëria dhe që mbajnë me vete një dashuri të qytetarëve të përgjegjshëm ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Edhe një herë dua t’ju uroj nga zemra festën e pavarësisë, ju uroj gëzime në familjet tuaja, uroj që 100 vjetorin ta bëjmë me afrim shumë më të madh e bashkëpunim shumë më të ngushtë midis Shqipërisë e Izraelit. Shoqata juaj duhet të përfaqësohet në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar dhe shqiptarëve, ngjarja që bëri të mundur të gjitha ngjarjet e tjera që sot, ne shqiptarëve na bëjnë të lirë, na bëjnë krenarë. Ndaj edhe një herë urimet më të përzemërta për ditën e flamurit. Gëzuar të gjithëve!”, përfundoi Berisha./abcnews

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Mazniku pret ministrin izraelit: Të vendosur për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku pret ministrin e Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Mazniku pret ministrin izraelit: Të vendosur për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku pret ministrin e Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit