Besa shqiptare që shpëtoi hebrenjtë nga nazistët
Kur e pyet se ç’është besa për të, Christine S. Romero përlotet. “Besa është mesazhi që bota ka nevojë të dëgjojë”, thotë një nga producentet dhe montazhierja e dokumentarit “Besa”. Filmi që tregon mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shfaq mbrëmë në kinema “Millenium”, si i ftuar i veçantë i edicionit të 13-të të Festivalit të Filmit Shqiptar.
Në sallën e mbushur plot, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, nën përkujdesjen e të cilit u mundësua ardhja e këtij filmi dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Dokumentari prej 90 minutash sjell historitë e të mbijetuarve nga Holokausti dhe të atyre familjeve që u hapën dyert dhe rrezikuan për t’i ndihmuar, për t’i fshehur e duke mos i dorëzuar te nazistët. Por, njëra mes tyre është edhe kolona e filmit, ajo e Rexhep Hoxhës dhe udhëtimit të tij në kërkim të familjes hebreje, që u strehua në shtëpinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëherë, kur Mbreti Zog u largua nga Shqipëria dhe fati i të arratisurve nuk dihej më. Një nga producentet e këtij filmi, me regji të Rachel Gosling, Christine S. Romero, e shoqëruar nga Majlinda Myrto, përfaqësuese e “The Eye Contact Foundation” tregon mbi filmin, rrugëtimin në kërkim të familjes Allaxhem dhe konceptin e saj për besën.
Që të bënit një film mbi Besën, besoj se duhet të dinit diçka rreth saj… Cila ishte nxitja fillestare?
Historia ka nisur më shumë se 8 vjet më parë, në 2004-n, kur Norman Gershman, themelues i “The Eye Contact Foundation” kontaktoi producentët që të realizonin një film mbi shqiptarët që kishin mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një histori për të cilën ata nuk dinin asgjë, megjithatë menduan se do të realizonin një film të mirë. Në 2007-n, Rachel Gosling, që është regjisorja e filmit, bëri vizitën e parë në Shqipëri, gjatë së cilës shkoi në shumë familje shqiptare që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë luftës, mblodhi shumë histori, bëri intervista dhe më pas shkoi në Izrael, në Yad Vashem, për të gjetur historitë e atyre hebrenjve që ishin shpëtuar nga shqiptarët gjatë luftës.
Pati ndonjë histori mes të tjerash që ju tërhoqi vëmendjen?
Gjatë këtij udhëtimi, një nga të intervistuarit ishte edhe Rexhep Hoxha, që kishte një histori shumë të bukur. Dhe mes shumë historive, vendosëm të ndihmojmë Rexhepin të gjejë familjen hebreje që kishin shpëtuar prindërit e tij. Mbi këtë histori vendosëm të ngremë edhe skenarin. Prindërit e Rexhep Hoxhës quheshin Rifat dhe Fejzie Hoxha dhe ata shpëtuan një familje hebreje nga Bullgaria, me mbiemër Allaxhem. Ne ndoqëm Rexhepin në udhëtimin e tij nga Bullgaria në Izrael, në kërkim të familjes hebreje. Filmi është një histori shumë kinematografike, që zhvillohet përmes dy udhëtimeve, atij të Norman Gershman, i cili zbulon këtë histori, takimi i tij me Rexhep Hoxhën dhe udhëtimi ynë, duke e ndjekur atë. Janë udhëtime të gërshetuara, ku dëshmitarë tregojnë historitë e tyre. Janë familje shqiptare dhe hebrenj të mbijetuar. Zërat e tyre vijnë si një kor grek që sjellin më shumë detaje.
Sa e vështirë ishte të gjenit familjen hebreje?
Ishte shumë e vështirë, sepse ata nuk donin të gjendeshin, kishin ndryshuar emrat. Si shumë familje të tjera që i mbijetuan Holokaustit, ata dëshironin t’i linin kohët e vështira pas krahëve. Por, ndërkohë Norman dhe pjesa tjetër e stafit kishin dhënë besën se do të gjenin këtë familje dhe të mbyllnin rrethin e kësaj historie.
Atëherë si e gjetët?
Pas shumë kërkimesh, pasi kishim punësuar edhe detektivë në kontinente të ndryshme, ndodhi që teksa po darkonte me një grua, ajo i thotë Normanit se kishte një mik në Izrael që e kishte si hobi të ndihmonte njerëzit të gjenin ish-të dashurat e vjetra. Kështu që e provuan dhe brenda 24 orëve e gjetën familjen.
Cili ishte reagimi i tyre kur takuan Rexhepin?
Ata na ishin shumë mirënjohës që e takuan Rexhepin. Z. Aron, që ishte vetëm 10 vjeç, kur ishte në Shqipëri, kishte bërë gjithçka që ta harronte këtë histori, e kishte mbyllur gjithçka në një kuti, por ai nuk e dinte se Rexhepi, që në atë kohë nuk kishte lindur, kishte sjellë me vete disa libra, që prindërit e tij kishin lënë në shtëpinë e tij, kështu që për të ishte si një mesazh nga prindërit. Por nga ana tjetër, Rexhepi nuk e dinte se sa të guximshëm ishin treguar prindërit e tij, sepse ata kurrë nuk i kishin treguar detaje se sa e vështirë dhe e frikshme ishte ajo kohë, pasi ata i kishin thënë se këtë bënë të gjithë, kjo ishte ajo që bënë shqiptarët.
Pas këtij filmi, ç’është Besa për ju, personalisht?
Besa është një mesazh që bota ka nevojë ta njohë. Shqipëria ka një guxim moral që quhet “Besa”, për të bërë atë që asnjë vend tjetër nuk e ka bërë, duke qenë i aftë për të thënë jo. Jam e emocionuar kur e them këtë. Kaq shumë jetë ka shpëtuar Shqipëria dhe kaq shumë jetë do të ishin shpëtuar, nëse të gjitha vendet do të kishin bërë këtë gjë, të kishin këtë guxim. Bota do të kishte qenë një vend më i mirë, sikur të kishte ndjekur shembullin e Shqipërisë, sikur t’i kishin thënë “Jo!” nazizmit.
Ky film është shfaqur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cili ka qenë reagimi i publikut?
Të gjithë ata që e kanë parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë: Dua të shkoj në Shqipëri tani! Ata e kanë pëlqyer shumë filmin. Për ta kjo histori ishte tërësisht e panjohur, ishte një surprizë. Ky është një film që tregon për njerëz të mirë që kanë bërë gjëra të mira.
Keni hasur histori të ngjashme në vende të tjera?
Jo në këto përmasa. Kemi dëgjuar histori sporadike të familjeve që kanë shpëtuar hebrenj, por jo si në Shqipëri. Gjithçka nisi kur Mbreti Zog hapi kufijtë për të gjithë hebrenjtë që donin të vinin, qysh përpara Kristallnachte, në nëntor të vitit 1938. Ai i ftoi hebrenjtë të vinin në të gjithë vendin dhe kishte më shumë hebrenj në mbarim të luftës, se në fillim të saj. Dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Ju tani festoni 100-vjetorin e shtetit të pavarur, por historia juaj është kaq e pasur dhe kjo nuk është hera e parë që shqiptarët hapin dyert e presin popullsinë hebreje, pasi ka ndodhur edhe shumë më herët. Ne jemi krenarë që po tregojmë një copëz historie të këtij vendi.
Cili do të jetë fati i filmit paskëtaj?
Jemi duke kërkuar një distributor, duam që filmi të shfaqet edhe nëpër festivale filmash, të shfaqet në kinema, të shesim DVD dhe qëllimi ynë është që ta fusim në programet shkollore në SHBA, me qëllim që sa më shumë njerëz ta njohin këtë histori. Ajo çka unë do të doja gjithashtu shumë është që Rifat dhe Fejzie Hoxha të merrnin nderimet që u takojnë në Izrael dhe jo vetëm. Ata e meritojnë!.