Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka hapur Javën e filmit izraelit në Kosovë, duke thënë se organizimi i kësaj jave flet për mirënjohjen e Kosovës ndaj shtetit të Izraelit, për ndihmën që i ka dhënë popullit të Kosovës para dhe pas pavarësisë.Hoxhaj ka thënë se ky organizim flet edhe për nevojën e mirëkuptimit që duhet të ekzistojë mes shoqërive tona, që të ketë më shumë njohje ndërmjet njerëzve, duke vlerësuar se padyshim që filmi është një ndihmesë në këtë drejtim.
Sipas tij, ka ardhur koha që të ketë një njohje institucionale ndaj bashkësisë hebraike në Kosovë dhe se aktiviteti i Ministrisë së Jashtme po e dëshmon ketë.
Kryediplomati i Kosovës në fund ka thënë se Java e Filmit Izraelit është një aktivitet i vogël, por me simbolikë të madhe.
“Kosova krenohet që është shtet i shumë kulturave, religjioneve dhe njëkohësisht është shtet laik”, tha ministri Hoxhaj, para të pranishmëve.
Për të dytën herë me radhë, Java e filmit zraelit në Kosovë mbështetet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.
Para hapjes së këtij aktiviteti, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka pritur në takim ambasadorin izraelit në Beograd, i cili mbulon edhe Malin e Zi, Yossef Levy, me të cilin kanë diskutuar për nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Edhe Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, ka pritur dje në takim ambasadorin e Izraelit në Beograd, Yossef Levy, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e përgjithshme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.