Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog


Nga Sulejman Gjana /Kryetar i PLL

Trajtimi i pranisë dhe strehimit të hebrenjve në vendin tone gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare ka qenë një temë e panjohur për studiuesit shqiptar dhe sigurisht edhe për opinion e gjerë, në kohën e diktaturës komuniste. Kuptohet lehtësisht se diktatura komuniste përdori historinë në shërbim të ideologjisë dhe pushtetit absolut; nuk pati komplekse kur e shtrembëroi atë, madje shpesh herë injoroi, anashkaloi ose manipuloi faktet dhe realitetet historike. Gjatë asaj kohe, u errësua gjithçka ishte arritur në kohën e Mbretit Zog në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar si dhe në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare. Në fakt, gjithçka lidhej me Mbretërinë Shqiptare duhej konsideruar dhe interpretuar negativisht për t’i lënë hapësirën e duhur indoktrinimit dhe “edukimit” të popullit me mitet që kishte sajuar sistemi për periudhën e Mbretërisë dhe vetë Mbretin Zog. Eksperienca na ka mësuar se gjithçka propagandonte regjimi komunist si e bardhë, ishte në realitet e zezë; dhe gjithçka që do të ishte e zezë për ata, në fakt ishte e bardhë. Ndërkaq, gjithçka u la në heshtje gjatë diktaturës komuniste ishte ose e rrezikshme për pushtetarët dhe sistemin, ose e lavdishme për atë të cilit i mohohej e drejta e vet. Kështu ka ndodhur edhe me aktin fisnik të Qeverisë Mbretërore Shqiptare dhe të Mbretit Zog në raport me trajtimin e hebrenjve që ishin të persekutuar gjatë viteve 30 në vende të ndryshme të Europës dhe që gjenin strehim dhe shpëtim në vendin tonë. Për fat të mirë, pas viteve 90, shumë studiues dhe historian shqiptarë dhe të huaj kanë hedhur dritë mbi ngjarjet e asaj kohe duke publikuar informacione dhe materiale të bollshme në libra, artikuj, intervista dhe dokumentarë që shërbejnë sot si referenca për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë çështjeje.
Duhet të përmendim këtu punimet e grupit të arkivit të shtetit drejtuar nga Prof. Nevila Nika, librat dhe punimet e Prof. Shaban Sinani, Prof. Saimir Lolja, Dr. Apostol Kotani, Prof. Beqir Meta, Prof. Monika Stafa, Prof. Pellumb Xhufi, Prof. Mentor Petrela, Dr. Bernd Fisher, Dr. Robert Elsie, Dr. Patrice Najbor dhe Z. Kastriot Dervishi ; dëshmitë e të mbijetuarve Dr. Scarlett Epstein dhe Irene Grunbaum ose dokumentarët dhe filmat e Norman Gershman dhe Johanna Neumann si dhe të Z. Astrit Hyka që do të prezantohet në vazhdim. Edhe pse, disa prej tyre kanë analizuar ngjarjet vetëm pjesërisht ose nga një këndvështrim jo gjithnjë objektiv dhe neutral, të tjerët kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në zbardhjen e të vërtetës së mohuar për më shumë se gjysmë shekulli.
***
Por çfarë ishte pikërisht e vërteta e trajtimit të hebrenjve gjatë viteve të Mbretërisë shqiptare? Regjistrimi i parë i hebrejve në Shqipëri është bërë në vitet 1923 – 1930. Sipas Dr. Jakov Milaj-t, antropolog, autor i librit “Raca shqiptare” (1944) nga të dhënat e këtij regjistrimi del se bashkësia e hebrenjve me banim të përhershëm në Shqipëri arrinte deri në afro 200 veta. Që prej vitit 1929, gjenden në arkivat e Mbretërisë shqiptare, kërkesa për shtetësi shqiptare nga imigrantë hebrenj në vendin tonë. Por vihet re një shtim i lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë pas shpalljes së doktrinës së “Shfarosjes Përfundimtare” nga Hitleri dhe hyrjes në fuqi të ligjeve anti-semite në vitet 1932-1933 dhe ku kërkohej, ndër të tjera, që të vendosej raca në pasaportë. Në fakt, diplomacia shqiptare e kundërshtoi doktrinën naziste duke u mobilizuar për të strehuar ata që u persekutoheshin në Gjermani, Austri por edhe në vende të tjera të Europës. Konkretisht, qeveria mbretërore shqiptare bëri gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar hebrenjtë dhe qëndrimet e saja ishin mirëpritur nga diplomacia botërore. Në vitin 1934, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë Lidhjes së Kombeve, Z. James Mac Donald, i kërkoi Mbretërisë Shqiptare nëse ekzistonte mundësia për vendosjen në Shqipëri të një numri jahudijnsh nga Gjermania dhe menjëherë mori përgjigjen pozitive. Sipas Dr. Patrice Najbor, 500 familje hebreje përfituan nga kjo ndihmë. Po atë vit, Herman Bernstein, që ishte ambasador i SHBA në Tiranë gjatë asaj kohe, shkruante në gazetën New-York-eze Jewish Daily Bulletin se “nuk ekziston asnjë diskriminim kundër hebrenjve në Shqipëri sepse Shqipëria është një ndër vendet e rralla të Europës së sotme ku paragjykimet fetare nuk ekzistojnë”. Po ashtu, Bernd Fischer ka relatuar bisedimet dhe projekt marrëveshjen e Ambasadorit Bernstein me Ambasadorin e shtetit shqiptar në SHBA, Faik Konica, pikërisht për vendosjen e 500 familjeve hebreje në Shqipëri. Gazetat e bashkësive hebraike të vendeve të ndryshme të Europës i kushtuan gjatë viteve 30 një rendësi të veçantë Shqipërisë dhe strehimit që vendi ynë u ofroi hebrenjve. Kështu, më 10 qershor 1935, gazeta “Moment” në Poloni botoi artikullin me titull “Hebrenjtë ftohen të vendosen në Shqipëri” dhe citohet mes të tjerash, se “qeveria shqiptare ka marrë një vendim të posaçëm duke ftuar edhe hebrenjtë e Çekisë dhe Gjermanisë” dhe se “qeveria e Mbretërisë së Shqipërisë është e gatshme të pranojë vendosjen e hebrenjve në vend dhe t’u ofrojë atyre kushtet e mundshme”. Të njëjtën gjë shkruanin edhe gazetat “Jewish Telegraphic Agency” dhe “Jewish Chronicle” në Angli ndërsa gazeta britanike “Jewish Daily Post” shkruante më dt. 14 korrik 1935 se “shërbimi diplomatik i Shqipërisë qysh prej një muaji ka njoftuar vendimin e Tiranës për pranimin e hebrenjve në vend”.
Gjatë asaj kohe por edhe në vitet në vazhdim në Mbretërinë Shqiptare, nuk gjendet në shtypin shqiptar asnjë qëndrim ose relatim i një ngjarjeje anti-Semite në vendin tonë. Nga ana tjetër, edhe pse Tirana ishte nën presionin e Italisë për të miratuar akte ligjore me karakter antisemit, në Fletoren Zyrtare botoheshin vendimet dhe qëndrimet e shtetit shqiptar lidhur me strehimin e hebrenjve në Shqipëri, sa që, në vitin 1935, gazeta e famshme sovjetike “Pravda” njoftonte se “vullneti i qeverisë shqiptare për të pranuar hebrenjtë po kundërshtohet nga Italia”. Numri i refugjatëve hebrenj të strehuar në Shqipëri ose që kaluan nga Shqipëria pa rrezik gjatë kohës së Mbretit Zog nuk është përcaktuar ende përfundimisht por dihet se deri në prag të pushtimit të vendit nga Italia fashiste më 7 prill 1939, qindra ose mijëra prej tyre hynë në vendin tonë. Dr. Apostol Kotani, Bernd Fisher dhe Martin Gilbert, evidentojnë se edhe në janar 1939 kishin hyrë në Shqipëri 100 hebrenj bashkë me familjet e tyre, po ashtu në shkurt ndërsa në mars 1939, kishin hyrë 95 familje. Edhe Robert Elsie pohon në librin e vet “A dictionary of Albanian religions, mythology and folk culture” se “deri në 1939, Ambasada e Shqipërisë në Berlin pajistë hebrenjtë me viza”. Po ashtu, Jutta Gerechter në kujtimet e veta për Shqipërinë gjatë viteve 1939-1945 shkruan “Mbreti Zog pranoi t’u jepte të gjithë emigrantëve hebrenj nënshtetësinë shqiptare, por pushtimi fashist e pengoi të realizonte atë vendim”. Madje, Sir Martin Gilbert shënon në librin e vet “Winston Churchill: profeti i të vërtetës” se një emisar i Mbretit Zog kishte takuar Churchill-in në fillim të vitit 1939 për t’i propozuar që Shqipëria të bëhej vend strehimi për hebrenjtë dhe se për të realizuar këtë qëllim, Churchill-i do të duhej të frenonte oreksin e Musolinit dhe të garantonte pavarësinë e Shqipërisë. Dr. Patrice Najbor thot se +/- 2.000 hebrenj kanë hyrë në Shqipëri para LDB ndërsa Bernd Fischer e kufizon këtë numër në rreth 800 veta, pavarësisht se, po Fischer, flet për “vite të arta për hebrenjtë në Shqipëri gjatë periudhës mbretërore”. Në fakt, që në vitin 1937, Mbreti Zog kishte njohur zyrtarisht praninë e bashkësisë hebraike në Shqipëri si dhe të drejtën për të ruajtur fenë dhe zakonet e veta dhe, marrëveshja dypalëshe e vitit 1938 midis Austrisë dhe Mbretërisë Shqiptare për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve, stimuloi ardhjen në Shqipëri të shumë familjeve hebrenjsh që rrezikoheshin tjetërkund në Europë. Në një shkrim botuar në gazetën Shekulli më 22 gusht 2010, pas një muaj gjurmimesh në arkiva, Dr. Mentor Petrela shkruan për “5 doktorë hebrenj që u sollën nga Mbreti Zog në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes së Hitlerit” (Prof. Wilhem Schlessinger, Prof. Walter Lehman, Dr. Ludovik Kalmar, Dr. A.M. Schlessinger, Dr. Quasler) dhe publikon urdhrin e pagesës së shoferit të Doktorit Schlessinger në një kohë kur dy ministra përdornin një makinë dhe një shofer. Përveç trajtimit institucional nga autoritetet e Mbretërisë Shqiptare të refugjatëve hebrenj, dihet se vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë e kishin Dr. Ourinovski si mjek të familjes mbretërore dhe Wilhem Weitzmann si fotograf zyrtar të Oborrit Mbretnor, që të dy refugjatë hebrenj të strehuar në Shqipëri. Madje, në fillim të vitit 1939, Wilhem Weitzmann u pajis, me shtetësinë shqiptare bashkë me 15 pjesëtarët e familjes së vet. Në fakt, Mbreti Zog kishte marrë shumë kërkesa personale nëpërmjet letrave që hebrenjtë e rrezikuar në vendet e tyre i kërkojshin strehim në Shqipëri, siç është rasti i Dr. Martin Gottlif nga Gjermania dhe Richard Atlas nga Austria. Ndër personalitetet e shquara hebrenje që shpëtuan në Shqipëri gjatë kohës së Mbretërisë, mund të dallojmë Prof. Stanislav Zuper, një nga baballarët e gjeologjisë shqiptare dhe zbuluesi i pellgut naftëmbajtës të Bakusë. Po ashtu, edhe shkrimtari gjerman Dr. Leo Mathia dhe artisti izraelit Joli Jakov gjetën strehim në Shqipëri. Supozohet se edhe fizikani dhe shkencëtari Albert Einstein kaloi nëpërmjet Shqipërisë në vitin 1930 para se të largohej për në SHBA. Pavarësisht se ende nuk është vërtetuar vizita e tij me prova të pakontestueshme, mjaft studiues besojnë se ai ka vizituar Shqipërinë dhe kërkimet dhe studimet rreth kësaj çështjeje vazhdojnë. Sidoqoftë, është e çuditshme që në 1931, kur albanologu më i shquar me shtetësi kroate Milan Sufflay vdiq si rezultat i atentatit nga një serb, menjëherë Einstein e denoncon publikisht këtë akt të shëmtuar në të përditshmen New York Times. Për fat të keq, Dr. Norbert Jokli, një profesor i shquar i Universitetit të Vjenës dhe i njohur si një nga baballarët e albanologjisë, nuk arriti të shpëtojë dhe u zhduk nga shfarosja naziste në vitin 1942 edhe pse ai ishte i dekoruar nga Mbreti Zog me Urdhrin Skënderbeu.
***
Pavarësisht se shumica e studiuesve kanë interpretuar strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë si një pasojë e traditës mikpritëse të popullit shqiptar duke iu referuar edhe kodit të nderit dhe të besës, këndvështrimi im është pak ndryshe. U përpoqa të sjell gjatë fjalës sime disa argumente dhe fakte në mënyrë jo-shteruese dhe të raportuar nga studiues të horizonteve të ndryshme dhe që provojnë angazhimin e Shtetit Shqiptar, të Familjes Mbretërore dhe personalisht të Mbretit Zog në shpëtimin e hebrenjve, për të dëshmuar se autoritetet e vendit tonë para LDB ishin orientuar thellësisht drejt botës perëndimore, vlerave humaniste dhe parimeve fisnike. Ka akoma zëra që pretendojnë se vendimet dhe qëndrimet e Mbretërisë Shqiptare kundrejt hebrenjve ishin të interesuara për arsye të nevojave të zhvillimit ekonomik të shtetit shqiptar. Nuk vihet në dyshim pragmatizmi i Mbretit Zog në drejtimin e shtetit shqiptar por analiza objektive e fakteve tregon se ishte një pragmatizëm në interes të vendit dhe kombit shqiptar dhe bazuar në vlera universale, pasi mund të kishte rrezikuar më pak personalisht nga Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste nëse do të ishte radhitur në kampin e kolaboracionistëve. Aq më tepër, kur dihet se në prag të pushtimit fashist, Qeveria Shqiptare nuk ndryshoi qëndrimin e vet ndaj hebrenjëve edhepse në shkurt të vitit 1939 qeveria italiane i kishte bërë të ditur konsullatës shqiptare në Romë se nuk e shihte me sy të mirë vendosjen e hebrenjve në Shqipëri. Natyrisht, unë respektoj mendimin e atyre që thonë se Besa e Shqiptarit ndikoi në shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë. Ashtu siç respektoj mendimin e atyre që thonë se përkatësia myslimane e shumicës së popullit shqiptar ndikoi për të shpëtuar refugjatët hebrenj sikur kishte ndodhur ne epoka dhe territore të tjera, në situata të ngjashme. Unë kam të gjitha arsyet të besoj se ndikimin vendimtar për të shpëtuar hebrenjtë e inicioi Mbreti Zog dhe qeveria mbretërore pasi ata krijuan frymën e duhur si dhe kushtet e nevojshme për të hapur dyert dhe zemrat e Shqipërisë dhe Shqiptarëve për hebrenjtë në rrezik. Qëndrimi zyrtar dhe i hapur i qeverisë Mbretërore Shqiptare është një vlerë për të cilën sot mund të mburret çdo shqiptar dhe të mos vuaje nga komplekse në raport me popujt e tjerë. Edhe pse roli i Mbretit Zog u vlerësua këtë vit nga Shteti i Izraelit duke e dekoruar me rastin e Ditës së Përkujtimit të Holokaustit, më 27 janar, për kontributin e veçantë në shpëtimin e shumë familjeve hebreje, mendoj se është detyrë e çdo shqiptari të mishërojë parimet dhe vlerat e Mbretit Zog.

Kumtesa e mbajtur në Tiranë më dt. 29 mars 2014 në konferencën “Shqiptarët dhe Hebrenjtë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me Fondacionin “Mbretëresha Geraldinë”

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit