Veçoria ekonomike e Izraelit
Kur u krijua më 1948 dhe kishte vetëm 800 mijë banorë, kurse tash mbi 7.2 milionë. Me rreth 300 banorë në 1 km katror dhe sipërfaqe prej 21000 km katrorë ka një dendësi mjaft të madhe të popullsisë. Pavarësisht kësaj, brenda 65 vjetësh shteti u zhvillua me hapa gjigantë dhe impresivë. Niveli i të ardhurave për kokë banori (BPV), por edhe standardi jetësor sot është më i larti në atë pjesë të botës.
Brenda këtyre viteve rritja ekonomike u pesëdhjetëfishua. Izraeli ka normën më të lartë në botë të të diplomuarve me universitet në raport me numrin e popullsisë. Ka numrin më të madh të punimeve shkencore për kokë banori në botë dhe një nga normat më të larta të numrit të patentave dhe inovacioneve. Po ashtu, ka numrin më të madh kompanive të krijuara në raport me popullsinë dhe kjo në sferën e hitech, gjë që tregon për shpirtin shumë të zhvilluar të ndërmarrësisë. Përveç kësaj, motivi i lartë për punë e dallon këtë vend në raport me të tjerët. Izraeli është shteti i parë në botë sa i përket buxhetit që ndahet për kërkim dhe zhvillim (në raport me BPV-në).
Kështu, sot p.sh në NASDAQ Izraeli ka më shumë kompani se Japonia, Koreja, Singapori, India dhe Evropa së bashku. Edhe pse në rrethana tejet komplekse, pothuaj pa resurse natyrore, në gjendje permanente lufte, e rrethuar me shtete me të cilat është në gjendje lufte, arrijnë të kenë zhvillim të lartë ekonomik. Që nga themelimi Izraeli kishte 7 luftëra si dhe probleme të shumta, përfshirë edhe embargo të ndryshme etj.
E krijuan shtetin pa ndihmën e asnjë ushtari të huaj dhe i fituan edhe luftërat duke pasur për bazë konceptin se “duhet ta mbrojmë vetveten”, (Izraeli është një nga shtetet e pakta në botë me shërbim ushtarak të detyrueshëm mbi 18 muaj dhe ku shpenzimet për mbrojtjen janë në nivel të 10 % të BPV-së). Izraeli është shumë i varfër me minerale, naftë dhe gaz, pothuajse nuk ka fare as resurse të tjera. Në këto rrethana siç do të thoshte presidenti Shimon Përës, i vetmi kapital që kishim në dispozicion ishte ai njerëzor, por edhe kurajën e madhe që rrethanat disfavorizuese t’i kthenim në favorin tonë.
Prandaj në punuam dhe zhvilluam kreativitetin jo në raport me madhësinë e shtetit, por në raport me nevojat dhe rreziqet që i kemi. Është impresive se me çfarë hapash zhvillohet shkenca në shumë drejtime. Kështu, p.sh. ekspertët izraelitë janë pionierë të procesit të ndërlikuar të desalinizimit të ujit të detit, pastaj në teknologjinë informatike si në programim softuerë etj.
Janë mbresëlënës të arriturat në sferën e bujqësisë, duke ditur kushtet agroklimatike tokësorë. Kështu, brenda 25 vjetëve bujqësia u zhvillua me hapa të tillë saqë produktiviteti dhe rendimentet u rritën 17 herë! Është i vetmi vend në botë ku sipërfaqja e shkretëtirës zvogëlohet, jo për hir të ndonjë mrekullie natyrore, por për shkak të punës së njeriut dhe të shndërrimit të saj në tokë pjellore. Dhe të shndërrosh shkretëtirën në tokë pjellore kërkon planifikim e shumë punë. Popuj të ndryshëm e bëjnë të kundërtën: ata tokat pjellore nga mospuna apo mosdija i kthejnë në shkretëtira apo djerrina.
Në një tokë shterpë dhe shkretëtirë deri më sot në Izrael janë mbjellë mbi 240 milionë drunj. Edhe pse me tokë të varfër Izraeli i plotëson rreth 70 % të nevojave të veta me prodhim të ushqimit! Zbuluan sisteme tejet të sofistikuara të ujitjes të cilat e shfrytëzojnë ujin racionalist.
Prodhimtaria rekord në blegtori, ku lopët japin 40 litra qumësht në ditë dhe ku sot ekspertët izraelitë përhapin praktikën e tyre të suksesshëm edhe në shumë shtete të tjera në botë. Këto arrihen sepse Izraeli është lider botëror në fushën e aplikimit të teknologjive të reja jo vetëm në bujqësi, por në shumë degë të ekonomisë. Një nga degët e rëndësishme të industrisë është edhe përpunimi i diamanteve, ku Izraeli zotëron mbi 50 % të tregtisë botërore me këtë produkt.
Nuk ka dyshim se mentaliteti, qëndrimi ndaj punës dhe kultura e përgjithshme e një kombi është esenciale dhe rezulton në funksionimin e institucioneve të tij.
Kështu, p.sh qysh në vitet 1920 në Palestinën e atëhershme komuniteti hebraik kishte rritur produktivitetin e punës për rreth 80 %, duke katërfishuar prodhimin nacional, duke pasur 100 % më shumë rritje se komuniteti arab aty. Po ashtu, aftësia e marrjes së vendimeve të mëdha në kohë të duhur dhe për të cilat kërkohet largpamësi dhe vizion dhe krijimi i unitetit në veprime të tilla është cilësi esenciale e një kombi.
Kështu, p.sh. është interesantë mënyra e krijimit të industrisë së aviacionit të Izraelit në fillim të viteve të pesëdhjeta. Kur kjo ide u paraqit për herë të parë në Qeveri shkaktoi reaksioni dhe kundërshtime të ashpra.
Gjendja ekonomike në atë kohë ishte e rëndë dhe vendi nuk mund t’i siguronte mjaftueshëm madje as vezët dhe qumështin. Bile një nga ministrat kryesor të Qeverisë refuzoi me një arsye logjike duke thënë: Në sot nuk mund të prodhojmë as biçikleta, e lërë më të ëndërrojmë për këtë industri.
Mirëpo vendimi u mor dhe kjo industri filloi zhvillimin e saj nëpërmjet krijimit të ndërmarrjes shtetërore e cila shpejt arriti të bëhet punëdhënëse shumë e madhe. Sot industria e aviacionit e Izraelit është lider global në këtë fushë (kishte filluar me blerën e avionëve të vjetër e të përdorur, riparimin e tyre dhe renovimin e tyre). Ky rast është ilustrativ (ka edhe shumë raste të tjera identikë brenda historikut të zhvillimit të ekonomisë izraelite) sepse tregon mënyrën e duhur të veprimit në rastin e ndërmarrjeve të rëndësishme dhe të vendimeve të mëdha.
Edhe pse në marrjen e këtij vendimi nuk kishte një shumicë që e votonin, sidoqoftë ata nuk i penguan ata që e arsyetuan këtë duke i besuar gjykimit dhe konceptit të tyre, (e ideatori kryesor i këtij koncepti ishte Shimon Peres, edhe pse në atë kohë në një funksion jo shumë të lartë shtetëror). Jo vetëm njërit, por edhe kombet e shtetet mësojnë nga njëri-tjetri, në njërën anë duke mos përsëritur gabimet, në anën tjetër duke i marrë përvojat pozitive.
Izraeli është një rast nga ku të tjerët mund të mësojnë shumë gjëra dhe se si edhe rrethanat më të pavolitshme më punë mund jo vetëm të eliminohen, por edhe të kthehen në përparësi.
(Autori është këshilltar në Ministrinë e Financave ne Kosove).