Investitorë izraelitë interes për projekte infrastrukture në Durrës
Durres, 7 tetor 2014 – “Bashkëpunimi midis vendit tonë dhe Izraelit duhet të zgjerohet edhe më shumë në fushën e shkëmbimeve kulturore e tregtare por edhe duke nxitur investitorët izraelitë të investojnë në Shqipëri ku është krijuar tashmë një klimë mjaft e përshtatshme për nxitjen e investimeve të huaja në vendin tonë”, deklaroi Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në takimin me Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, David Cohen.
Gjatë këtij takimi, ku ambasadori shoqërohej nga drejtori i departamentit ekonomik Bardhyl Canaj, Kryetari i Bashkisë u ndal veçanërisht në sektorin ekonomik duke u shprehur se Durrësi është një qytet i rëndësishëm për ekonominë e vendit ku ndodhet edhe porti më i madh i Shqipërisë, i cili ka qenë i rëndësishëm edhe për të gjithë rajonin.
Dako e njohu ambasadorin izraelit me asetet e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit dhe historinë e lashtë të tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit.
Gjithashtu, ai u ndal edhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Cohen me llojet e shumta të turizmit që ofron Durrësi dhe se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja.
Nga ana e tij ambasadori i Izraelit Cohen shprehu kënaqësinë që ndodhej në Durrës ku është njohur me historinë e pasur të trashëgimisë historike kulturore të qytetit.
Po kështu ambasadori Cohen deklaroi se lidhjet midis dy vendeve do të zgjerohen edhe më tej përsa i përket shumë fushave e sidomos sektorit ekonomik ku pritet një interesim i biznesit izraelit për investime në Shqipëri e sidomos në Durrës ku ndodhet edhe porti më i rëndësishëm i vendit.
Kryebashkiaku Dako dhe ambasadori izraelit Cohen biseduan edhe në lidhje me disa projekte infrastrukture e turistike të Durrësit që kanë ngjallur interes tek investitorët izraelitë.
Në fund të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka dhuruar ambasadorit izraelit David Cohen një pikturë me një nga simbolet e Durrësit që është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” si dhe një libër me informacione të hollësishme për trashëgiminë historike e kulturore të Durrësit. Më pas ambasadori izraelit David Cohen ka zhvilluar një vizitë në portin e Durrësit si dhe në disa biznese të qytetit.
Burimi: shqiptarja.com