Shqipëria – Izrael, bashkëpunim në sektorin e bujqësisë
Zv.ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Alban Zusi, priti sot delegacionin e izraelit të kryesuar nga Ambasadori i Izraelit në Tiranë, David Cohen, Drejtorin e Projekteve të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të MASHAV, Effie Ben-Matityau si dhe Konsulentin e Projektit z. Giora Tesler.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se në këtë takim u diskutuan fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve, kryesisht në trajnimin e burimeve njerëzore që ofron MASHAV, duke i hapur rrugën kështu përgatitjes të një niveli të lartë lidershipi në fushën e bujqësise, akuakulturës, bimëve medicinale etj.
Gjithashtu, u propozuan dhe dhëniet e bursave për sektorin publik dhe privat.
Zusi u siguroi të pranishmëve se do te bëhet e pamundura për të krijuar një nivel përfaqesimi si në administratë dhe në sektorin privat, të një kontigjenti të mirëorientuar dhe të trajnuar mbi fushat që do të mbulojnë, duke theksuar se ky është një ndër angazhimet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Në përfundim të bisedës u propozua ngritja e një grupi pune midis Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave dhe MASHAV si dhe u morën masat që kjo të realizohet brenda një kohe shumë të shkurtër./a.gegvataj//ATSH