Izrael, nëpër plagët e tokës së shenjtë


Rruga për në Jerusalemin lindor është shumë e vështirë. Rreth 15 minuta nga Muzeu i Holokaustit deri në lagjen arabe të qytetit, por nuk ka kush të të çojë. Taksisti që zgjodhëm ka frikë. “Jam hebre”, – përgjigjet shkurt. Dimë që një ditë më parë është gjetur i vrarë një arab mysliman 32-vjeçar, baba i 2 djemve të vegjël. Punonte për një kompani izraelite. U gjet i vdekur në makinë, me një prerje tejpërtej fytit. Policia e deklaroi vetëvrasje. Jerusalemi lindor heshtte, ose kështu dukej nga Mali i Sionit. Taksisti joguximtar, premtoi të na çojë në këmbët kodrës së ullinjve. Vendasit i thonë ‘mali’, por për ne shqiptarët është thjesht kodër. E ngritur 200-300 metra mbi Jerusalemin, që mbretëron me 800 metra lartësi mbi nivelin e detit. Një kodër-mal. Nga gjeografia, se historia e bën më të lartë se Everestin.

Në supet e varrezave të ringjalljes në Malin e Ullinjve mbështetet Jerusalemi lindor, i banuar nga arabët myslimanë që aspirojnë Shtetin e Palestinës. Aty duam të shkojmë ndërsa udhëtojmë me taksinë e hebreut. Ai është tek të tridhjetat, pothuajse sa shoferi arab që u gjet i vdekur një ditë më parë. Diku mbi Murin e Lotëve, në një stacion autobusi, na lë për të marrë disa patriotë ortodoksë, që dallojnë si të tillë nga kapelet e mëdha “republikë”. 10 dollarë për të na lënë pa orientim në rrugë. Nisemi në këmbë, e lëmë majtas murin e lotëve dhe kalojmë një postbllok. Sapo del aty je në botën myslimane. Autobusë të vjetër, njerëz që vrapojnë drejt tyre, rrugë të papastra, mbeturina të pambledhura. Nuk jemi ende në Jerusalemin Lindor, por pamjet na bindin që nuk kemi ngatërruar rrugë. Xhamia e Al Aksa, na bind më tepër kur shfaqet majtas nesh. Tashmë duken qartë varrezat e kristianëve (dhe hebrenjve) që do të përfitojnë të parët nga ringjallja, kur Jezusi të kthehet në tokë. Kodra e ullirit është shndërruar në varrezë, pikërisht me këtë besim. Varreza është edhe kufiri mes hebrenjve dhe arabëve myslimanë. Në këtë rrugë që ishte më e gjatë sesa matet me sy shtrirja e rrejshme e Jerusalemit kodrinor, vendosim të ndalojmë taksinë e parë. Ai qëlloi të ishte Xhemali, një arab mysliman, që kthehej nga një shërbim në pjesën hebreje të qytetit. Ndryshe nga taksisti hebre, ata nuk kanë frikë të kalojnë “kufirin” pa shenja të Jerusalemit.

Këtu nis udhëtimi mbi kodrën e ullinjve të zëvendësuar nga varret. Jerusalemi Lindor duket si një pikë strategjike nga mund të shihet mirë Jerusalemi Hebraik, megjithëse qyteti me rreth 800 mijë banorë është i shpërndarë në disa kodra. Rrugët fillojnë të prishen, plehra në rrugë, kosha plehrash gjigantë, të ndryshkur. Pa bërë 1 km rrugë, duket sikur kemi ndërruar shtetin, jo qytetin. Në qendër të lagjes një vilë me flamurin izraelit sfidon atmosferën. Aq shumë binte në sy nga pjesa hebraike e qytetit, sa nuk mund të mos pyesim Xhemalin, që u bë edhe guida jonë. “Një mysliman ia shiti një hebreu, – shpjegon Xhemali, – po nuk i gëzoi paratë, e vranë pas një jave. Edhe familja e tij shihet si tradhtare”. Pak metra nga vila “kolone” të krishterët hyjnë e dalin lirisht nga një kishë e madhe. Ata nuk kanë asnjë problem sigurie. Të krishterët janë të paprekur në mes të konfliktit. Të shpërndarë në të dyja anët e qytetit, askush nuk e kërcënon sigurinë e tyre.

Muri që ndan Jerusalemin me West Bank, është në anën tjetër të rrugës. Duken shtëpitë palestineze, reflektohet varfëria. Në një segment të rrugës, dy makina ushtarake janë të ndaluara, ndërsa gurët kanë mbushur vendin. Nga ana tjetër e rrugës, përtej murit që shënon kufirin palestinez, kanë goditur në shenjë proteste për 32- e vrarë. Gjithçka zhvillohet në qetësi, kodrat i fshehin zhurmat. Nuk mund të ndalojmë aty, sipas këshillës së udhërrëfyesit. Pak metra më poshtë, në një kthesë, dalim në rrugë, i afrohemi murit, ndërsa gazi lotsjellës është ende efektiv. Kjo përleshje e vogël nuk bën lajm në Izrael, është një ngjarje e rëndomtë.

Ndërsa ecim nëpër lagjen arabe të kryeqytetit, rezidencat e hebrenjve, duken si oaze në shkretëtirë. Në një anë të rrugës, duken shtëpitë e ndërtuara bollshëm, me gjelbërim, madje diku dhe me mbrojtëse kundër zhurmave të rrugës, trotuaret e pastra, në anën tjetër, nuk ka trotuar, plehrat mbizotërojnë, shtëpitë e veshura me gurin karakteristik të zonës, ngjajnë krejt ndryshe nga një krah në tjetrin. “I paguajmë taksat njësoj, – thotë Xhemali. – Po të mos i paguajmë, vijnë na marrin edhe TV në shtëpi. Por nuk investojnë në pjesën tonë”. Janë 300 mijë qytetarë të Jerusalemit që deklarohen palestinezë, rreth 40 për qind e popullsisë, por buxheti që u jepet nuk është në këtë proporcion. Edhe shkollat nuk janë të mira për palestinezët, prindërit kundërshtojnë edhe përmbajtjen e teksteve. Xhemali i çon fëmijët në shkollë private. Kjo është e vetmja mënyrë, sipas tij, që fëmijët të edukohen mirë.

Muret e larta, të tregojnë rrugën për në thellësi të West Bank. Nuk ka postbllok për të hyrë në shtetin palestinez. Quhet zonë nën Autoritetin Palestinez, por asnjë autoritet nuk duket në 10 km. Rruga për Betlehem, po të mos ishte për muret-barriera të sigurisë, do të dukej vetëm një zgjatim i Izraelit, siç ishte 9 vjet më parë. Vendbanimet e Izraelitëve nëpër territor, të rrethuar me mure të larta dhe me tela korrenti, thyejnë panoramën e shkretë. Shumë pak makina qarkullojnë. Betlehemi është një si një qytet izraelit, shtëpitë e veshura me gurin karakteristik, arkitekturë dhe organizim tipik. Ministria e Brendshme me fotografinë e Mahmoud Abbas është shenja e vetme e Autoritetit. Fatah-u, kundërshtarja-aleate e HAMAS-it, kontrollon këtë zonë. Vendlindja e Jezu Krishtit, një qytet i qetë, i populluar nga turistët e interesuar vetëm për vendin e shenjtë. Muret në periferinë e qytetit ishin po aq të larta sa në Jerusalem, rrëmuja dhe papastërtia aty ishte të njëjta me Jerusalemin lindor. Në kthim, duke hyrë në Izrael, një postbllok ushtarak jepte menjëherë shenjën e një shteti rigoroz. Në kufi një tabelë paralajmëronte dhe ndalonte shtetasit izraelitë të kalonin në West Bank, për arsye sigurie. Për Xhemalin nuk kishte asnjë problem sigurie të na linte në Ministrinë e Jashtme.
Rrethuar nga kërcënimet
Pikëpyetjet ende të freskëta të udhëtimit nëpër Palestinë, mund të merrnin përgjigje këtu. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk e vinin në dyshim versionin e policisë për 32-vjeçarin që u gjet i vdekur, pavarësisht protestave në West Bank. Mungesa e investimeve në Jerusalemin Lindor, sipas tyre ishte përgjegjësi e autoriteteve vendore, të pavarura nga Bashkia e Jerusalemit. Nuk ishin këto shqetësimet e diplomacisë izraelite, por kërcënimi i përhershëm në të gjitha anët e kufirit, që tani është shtuar ndjeshëm me ISIS dhe organizatat e reja terroriste me djepin në Siri. Në veri me Libanin e kontrolluar nga Hezbollahu, në verilindje Siria problematike, ku forcat e Al Nusrës, forcat e ISIS dhe forcat e “opozitës së moderuar”, përdorin Lartësitë Golan si strehë. Kufiri lindor me Jordaninë është i qetë, po jo i garantuar, për shkak të kërcënimit nga ISIS, por edhe të mundësisë së infiltrimit të elementëve terroristë. Egjipti i pastabilizuar në jug, është po kaq kërcënues për Izraelin, sidomos pas zbulimit të tuneleve të HAMAS-it në verë. Gaza e kontrolluar nga HAMAS-i në jugperëndim, ishte rreziku i konfirmuar rishtas, ai që në verë shkaktoi luftën. Kështu, Izraeli me 8.6 milionë banorë, është më i kërcënuar se kurrë, nga të gjitha anët, me ndihmën e reduktuar nga Perëndimi, madje nën syrin kritik të qeverive perëndimore për aksionet ushtarake të verës që shkaktuan viktima edhe mes civilëve. Diplomatët izraelitë nuk e fshehin pakënaqësinë ndaj Perëndimit për “mungesën e balancës” që treguan gjatë konfliktit të verës në Gaza. Qëndrimet perëndimore, por edhe mediat nuk e mbajtën peshoren drejt, sipas tyre. Dënonin Izraelin për sulmet në gaza, ku kishte dhe viktima të pafajshme, pavarësisht se ishin për të sulmuar bazat e HAMAS-it, nga ku u lëshuan rreth qindra raketa. Mos ndodh kjo sepse Perëndimi e vlerëson Izraelin si një shtet modern, si një shtet perëndimor dhe kërkon të sillet si i tillë? Zyrtarët izraelitë e pohojnë këtë, e vlerësojnë si kompliment faktin që Perëndimi i drejtohet Izraelit dhe jo terroristëve. Por kjo nuk mjafton, Perëndimi duhet të dijë të vlerësojë rrezikun që ka përfshirë gjithë rajonin. Programi bërthamor i Iranit dhe Shteti Islamik, janë 2 çështjet që duhet të mbretërojnë në axhendën ndërkombëtare të shteteve të mëdha, sipas zyrtarëve izraelitë.

Për çështjen palestineze, Izraeli tashmë është i qartë. Zgjidhja e dy shteteve është hedhur në tryezë. Autoritetet palestineze duhet të ulen në bisedime direkte me Izraelin, të pranojnë në parim ekzistencën e të dyja shteteve dhe të diskutohen detajet. Këtu përfshihen edhe vendbanimet izraelite në territorin palestinez. Përpjekjet e Fatah-ut dhe HAMAS-it për të negociuar në OKB, për të përdorur forcën e shumicës së vendeve në OKB, nuk e zgjidhin situatën, pasi nuk mund të njihet një shtet kur ngrihet mbi një konflikt me një shtet tjetër. Mbi këtë parim, Izraeli nuk e njeh Kosovën, shpjegon drejtori i drejtorisë së Ballkanit në Ministrinë e Jashtme, Dan Oryan.

Lufta, brenda dhe jashtë
Dita më pas do të ishte e zezë jo vetëm për Izraelin dhe izraelitët. Jerusalemi ishte përgjakur nga një akt i paprecedent. Dy arabë myslimanë ishin futur në një sinagogë dhe kishin therur me hanxharë 9 persona, 4 të vdekurit në vend ishin Rabinë, 1 i plagosur rëndë dhe 4 të tjerë besimtarë. Trafiku për të dalë nga Jerusalemi ishte i pakalueshëm. Në radio vetëm lajme për ngjarjen. Pas disa orësh humbi betejën me vdekjen i pesti. Gjithë bota ishte kthyer nga Jerusalemi, ndërsa ne po e linim me tragjedinë e vet, duke udhëtuar për në Gaza. Pas gjithë çfarë kishim përjetuar, pas bisedave me zyrtarët e Ministrisë së Jashtme dhe sidomos pas tragjedisë së atij mëngjesi, gjithçka dukej më e qartë. Toka, vendbanimet, kufijtë, të drejtat, të gjitha këto janë të matshme dhe të negociueshme, ajo që nuk matet dhe nuk negociohet është urrejtja. “Më shumë se urrejtja është dëshpërimi, mungesa e shpresës”, – thotë gazetarja e njohur vendase, Nechama Duek. Ajo mendon se është strategjia e HAMAS-it, që të vrasë në radhë të parë shpresën dhe pastaj të mbjellë urrejtjen tek palestinezët, që t’i përdorë ata për luftë. “Ndryshe nuk ka si shpjegohet që miliona dollarë që përdoren për raketa, për armë, nuk përdoren për shkolla dhe spitale”, – thotë ajo.

Në Gaza këto institucione janë me kursim dhe pa cilësi. Gjatë luftës një rast i paharrueshëm kishte ndodhur në kufi, aty ku është pika kufitare që menaxhohet nga të dyja palët. Një fëmijë i plagosur u transportua me makinë në Doganë që të kurohej në spitalet izraelite. Fëmija 6- vjeçar, u mor nga shefi i Doganës dhe u çua për kurim. Është një botë e çuditshme në crosspoint. Një hapësirë e madhe ku hyjnë kamionët për të dyja krahët. Kontrollohen nga njëra palë, pastaj njëra derë mbyllet, nga dera tjetër hyjnë doganierët e palës tjetër. Kontrollojnë dhe japin lejen e kalimit të mallit. “Është thjesht biznes”, – thotë përgjegjësi izraelit i pikës, një tip sportiv, i shkurtër, me një plagë në shpinë të marrë në një nga sulmet e 9 viteve të fundit. Një gropë e shkaktuar nga predhat, kujton konfliktin e verës, ndërsa skaneri i mallrave që hyjnë në tokën hebreje është teknologji e shtrenjtë amerikane, që komandohet nga zyrat. Një mënyrë për të shmangur bombat vrasëse brenda mauneve të mallrave.

Zëdhënësi i forcave ushtarake na takoi në një fushë të hapur, ndërsa veprat e mëdha ushtarake dukeshin prej së largu. Konflikti i verës pikërisht aty, në kufirin e Gazës, dilnin tunelet e HAMAS-it, aty kishin rënë raketat. Rreth 5 mijë goditje raporton ushtria izraelite nga rripi i Gazës, raketa të importuara dhe të prodhuara vetë, municion gjithfarësh që zbrazej në tokën kufitare, edhe aty ku një komunitet prej 350 anëtarësh kishte ndërtuar jetën në kushte barazie (Kibutz e quanin izraelitët, këtë organizim socialist, joutopik). Përgjigjja nga ushtria nuk ishte e verbër. Përpara se të sulmonte, Izraeli paralajmëronte civilët që të largoheshin. E famshme ishte “trokitja në çati”. Një metodë e përdorur për të shmangur viktima të pafajshme. Familjet njoftoheshin që të largoheshin nga ndërtesa me një bombe tymuese mbi çati. Shpërthimi i bombës ishte mesazhi se shtëpia do sulmohej si bazë e HAMAS-it. Por ishte HAMAS-i që nuk i lejonte të largoheshin. I mbante si mburoja njerëzore.

Kështu ikën viktimat, pa fajtorë, pengje të politikave që prej shekujsh mbajnë në luftë “tokën e shenjtë”. Në të dyja anët e kufirit vajtohen, në të dyja anët e kufirit përbetohen për hakmarrje, për një luftë të re që do të sjellë viktima të reja. Aty ka vetëm luftë, paqja udhëton nëpër kancelaritë e fuqive të mëdha për të përfunduar në New York. Izraelitët e dinë se andej nuk do të vijë asgjë e shenjtë, mrekullitë mund të ndodhin vetëm aty, ku lindi shenjtëria, ku lindi Biri i Zotit, por edhe kombi i njerëzve “të fortë kundër Zotit”.

ENTON ABILEKAJ

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit