Arkiv: Ambasadori Cohen takohet me Ilir Meten
Tiranë, 10 shkurt, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti ambasadorin e shtetit të Izraelit të akredituar në Tiranë, David Cohen me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të dikasterit të Jashtëm për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave në këtë takim Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve si dhe bashkëpunimin mes dy qeverive.
Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë që ka zgjerimi i këtyre marrëdhënieve në të ardhmen në interes të të dy vendeve, duke u ndalur në veçanti në nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Nga ana e tij, ambasadori Cohen theksoi se Izraeli është i interesuar për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me Shqipërinë. Ai tha se populli izraelit ushqen ndjenja të thella miqësore për popullin shqiptar.
Gjithashtu, Cohen përcolli ftesën e ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman drejtuar homologut të tij shqiptar, Ilir Meta për një vizitë zyrtare në Izrael, e cila u mirëprit prej tij.
Gjatë takimit u diskutua, gjithashtu, edhe në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Lindjes së Mesme.