Shqipëri-Izrael, marrëdhënie të forta parlamentare
Tiranë, 9 janar 2015 – Shqipëria po i kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënive diplomatike dhe ekonomike me Izraelin, një vend mik që ajo e shikon edhe si një model zhvillimi.
Kuvendi i Shqipërisë ka Grupin e Miqësisë Shqipëri-Izrael, në të cilin bëjnë pjesë 23 deputetë nga të gjitha forcat politike parlamentare.
Kryetare e Grupit është deputetja Valentina Leskaj (Partia Socialiste) dhe në përbërje të tij janë: Anastas Angjeli, Armando Subashi, Arta Dade, Ben Blushi, Besnik Baraj, Eremonela Velikaj (Felaj), Erjon Braçe, Gramoz Ruçi, Olta Xhaçka, Taulant Balla (të gjithë nga PS).
Nga Partia Demokratike janë: Arben Imami, Edi Paloka, Edmond Spaho, Eduard Selami, Florion Mima, Genc Ruli, Gent Strazimiri, Majlinda Bregu dhe Mesila Doda.
Mark Frroku (Partia Kristian Demokrate), Monika Kryemadhi (Lëvizja Socialiste për Integrim) dhe Vangjel Dule (Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut) janë anëtarët e tjerë.
Gjatë një vizite zyrtare në Izrael (2 korrik 2014), Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u takua me Kryetarin eParlamentit të Izraelit “Knesset”, z. Yuli Edelstein.
Z.Meta shoqërohej nga një delegacion parlamentar i përbërë prej znj. Valentina Leskaj, Kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael, z. Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe z. Shkëlqim Selami, anëtar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryeparlamentarët ranë dakord të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta në platformat multilaterale në funksion të konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe atë të Ballkanit.