Spiunazhi i Rusisë në Perëndim, më aktiv se gjatë Luftës së Ftohtë
Arrestimi i dy spiunëve rusë në Poloni, tetorin e kaluar, është shokuese. Për shumë, skandali shihet tek ajo që dëshmoi, brishtësinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Varshavë, ku një oficer i lartë u arrestua së bashku me një avokat polako-rus të cilët mesa duket ishin pjesë të një tjetër operacioni spiunimi. Por, një përsiatje sugjeron se tronditja e vërtetë duhet të ketë të bëjë me diçka tjetër. Polonia, me politikën e saj të fortë dhe me një buxhet të madh për mbrojtjen, është një objektiv madhor për inteligjencën ruse; qartazi Kremlini do të ketë disa suksese. Por, skandali i vërtetë qëndron në faktin se pse kaq pak rusë arrihen të kapen dhe arrestohen.
Suksesi i spiunë-kapësve polakë është një fije e vogël në këtë lesh të madh. Burimet perëndimore të kundërzbulimit besojnë se Rusia ka qindra oficerë zbulimi, të shpërndarë nëpër detyra në Europë, të cilët drejtojnë mijëra agjentë. Këta variojnë nga ata me “rrogë”, burime plotësisht të ndërgjegjshme, deri tek ata që, me naivitet ose të shtyrë nga iluzionet, nuk e kanë idenë se po punojnë për Kremlinin
Oficerët e inteligjencës ruse shpesh kanë si baza ambasadat dhe misionet e tjera diplomatike por në shumicën e rasteve punojnë si biznesmenë, akademike, madje edhe studentë. Disa prej tyre janë “ilegalë”, duke përdorur dokumente false e prezantohet si qytetarë nga shtete të tjera. Syresh, përdorin haptazi identitetin e tyre, duke fshehur faktin se punët e tyre të ditës janë kamuflim për spiunazhin.
Vladimir Putin, vet një ish spiun sovjetik, shquhet për hobin e tij ndaj materialeve të inteligjencës. Ai i ka shpërndarë burimet tek tre shërbimet ruse të spiunazhit: Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës (Sluzhba Vneshney Razvedki), e njohur si SVR; Shërbimi i Sigurisë Federale (Federalnaya Sluzhba Bezopasnosti), e cila fokusohet kryesisht në kërcënimet e brendshme të sigurisë(përfshirë ato që derivojnë nga rusët që jetojnë jashtë shtetit): dhe Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake, GRU (Glavnoye Razvedyvatelnoye Upravleniye)
Europa është një fushëbetejë për këto shërbime në botën tonë të globalizuar. Pasaporta Shengen –zona e qarkullimit të lirë – nënkupton se një oficer zbulimi mund të jetojë lehtësisht në një shtet ndërkohë që drejton agjentë në një shtet tjetër, për t’u takuar me ta në një shtet të tretë. Për shembull, në vend që të operonte nën hundën, le të themi, të kundërzbulimit francez, një oficer rus i zbulimit me bazë në Munih mund t’i hipë trenit e mund të takohet me burimin e tij francez në Luksemburg. Shumë nga vendet e Zonës Shengen janë anëtarë të NATO-s: syresh- veçanërisht Austria- kanë shërbime kundërzbulimi efikase dhe vigjilente. Syresh-sërish, spikat Austria-nuk shqetësohet rreth aktivitetit spiunazh të huaj nëse nuk i prek drejtpërdrejt interesat e veta.
Përjashtim të madh bën Estonia, e cila ka arrestuar, ndjekur penalisht dhe burgosur katër spiunë rusë gjatë katër viteve të fundit. Por, shumica e shteteve të Europës kanë një angazhim më të ulët në gjuetinë ndaj spiunëve ruse dhe, si rezultat, rrallë arrijnë sukses. Kur i zbulojnë, rrallë i ndjekin penalisht. Spiunët që burgosen zakonisht lirohen shpejt.
Probleme ekzistojnë në çdo nivel. Shërbimet e kundërzbulimit kanë buxhet të vogël dhe demoralizues. Në shumicën e Europës Perëndimorë, kundër-terrorizmi, i fokusuar në ekstremizmin islamik, ka qenë prioriteti më i lartë politik që prej 11 shtatorit. Pamjet filmike të perëndimorëve që u pritet koka nga xhihadistë të lindur në Perëndim janë shokuese në një mënyrë të ndryshme nga influenca dhe subversioni rus. Ka edhe pengesa të tjera. Në shumë shtete ish-komuniste, aftësia për të përgjuar telefonat dhe e-mail i tërheq spiunët brenda intrigave të politikës së brendshme. Për më tepër, kapja e spinuëve është gjithmonë dhe kudo një problem i ndërlikuar politik. Pavarësisht suksesit të punës së spiunë-kapësve, ka publicitet të keq. Është e pashmangshme ngritja e pyetjeve rreth ceneve të sigurisë. Sakaq, shumica e politikanëve europianë janë ngurrues për të filluar zënka me Kremlinin. Disa shtete si Finlanda kanë marrëveshje afatgjata me Rusinë për të mos i publikuar konfliktet e inteligjencës. Turqia ka gjetur mënyrat e saj në marrëdhëniet me Rusinë. Shtetet e Europës Jugore si Spanja, Portugalia dhe Italia nuk ndajnë të njëjtat shqetësime me fqinjët veriorë: Rusia është tepër larg dhe nuk shihet si kërcënim.
Një tjetër faktor në 10 vitet e fundit është se një “arkipelag” me vende në botën ish-komuniste –sidomos Bulgaria, Kroacia, Republika Ceke, Hungaria, Slovakia dhe Sllovenia – e kanë lënë pas dore orientimin e tyre atlantik dhe, pa shumë zhurmë, janë duke adoptuar një sjellje pragmatike në një botë ku garancitë multilaterale të sigurisë nuk shihet më si të besueshme. Ndoshta, shembulli më befasues i kësaj, me një komplot që për shumë mund të duket tepër i fryrë nga imagjinata nëse propozohet për një skenar në Hollyëood, përfshin Robert Rachardžo, një psikolog burgu ruso-indonezian i cili u zhvendos në Pragë në 1992. I rekrutuar nga shërbimi sekret rus në Kretë në 2003, ai drejtoi një rreth spiunazhi në Ministrinë e Mbrojtjes Çeke nëpërmjet mikeshës së tij, Majorit Vladimíra Odehnalová. Të dy ishin të martuar(me njerëz të tjerë) por ajo gëzonte marrëdhënie imtime me tre gjeneralë çekë: Josef Sedlák, ish komandant i lartë dhe atëherë përfaqësuesi i Çekisë në Qendrën Ushtarake të NATO-s në Mons, Belgjikë; Josef Proks, ish zv/ Shef i Shtabit dhe ish-shef i inteligjencës ushtarake; dhe František Hrabal, një këshilltar ushtarak për Presidentin. (Të tre e kanë mohuar se kanë pasur lidhje me të apo se i kanë kaluar informacion të klasifikuar, por të tre u larguan nga puna shumë shpejt pasi kjo histori u bë publike). Por, lajmi nuk jepte shuma shpresa për suksese spektakolare. Për zemërimin amerikan dhe zyrtarëve të tjerë që kishin punuar ngushtësisht me këtë çështje, Rachardžo u lejua të arratisej para se shërbimi i kundërzbulimit çek, BIS, e cila po hetonte aktivitetet e tij, ta arrestonte. Arratisja e tij në vjeshtën e 2010 ishte një plan i mirëorganizuar. Ai mori gruan de fëmijën e tij tek një restorant-pica në Praga dhe shkroi në një pecetë se ishte në telashe dhe kërkonte urgjentisht ndihmën e saj për të shkuar diku me makinën e familjes. Ajo e voziti atë drejt një baze ajrore ish-sovjetike, thellë në pyll ku u largua me lehtësi drejt disa njerëzve që po e prisnin nën hijet e pemëve. Ai flet vazhdimisht me “Skype” me familjen e tij, nga një vendndodhje që me gjasa është Rusia. Çka është e paqartë është nëse Rachardzo u ndihmua nga një rrjedhje brenda shërbimit të kundërzbulimit çek –ashtu siç besojnë zyrtarët të njohur me këtë çështje –apo u lejua të largohej nga vendi në mënyrë që të parandalohej poshtërimi politik.
Për t’u treguar i drejtë me shtete ish-komuniste, këto çështje kanë homologet e tyre në Europën Perëndimorë. Një zyrtar i lartë gjerman në një pozicion “sensitiv” në NATO u josh nga një grua me lidhje të njohura me inteligjencën ruse. Ai nuk u përndoq penalisht(megjithëse u transferua në një post në një shtet islamik të ndarë nga lufta që ofronte shumë pak horizont për fiksimet e tij ndaj pijes dhe femrave). Në Poloni, Tadeusz Juchniewicz, një agjent i “përgjumur” u kap në 2009-por u lirua shpejt nga burgu si pjesë të përpjekjes së autoriteteve të Varshavës për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë.
Tashmë, klima për spiunët rusë duket se po ftohet. Qe prej arrestimeve në SHBA të 10 “ilegalëve” në 2010, spiunë-kapësit perëndimorë kanë shijuar një varg suksesesh. Kjo, kryesisht për shkak të një ngadhënjimi nga CIA, e cila rekrutoi dhe komandoi një oficer të lartë në SVR, Alexander Poteyev. Arratisja e tij dramatike nga Rusia në qershor të 2010 –duke shmangur një “gjueti spiunësh” që mund ta demaskonte – nxiti arrestime në masë të grupit më të madh të spiunëve rusë të kapur ndonjëherë në Amerikën e Veriut, ku spikat Anna Chapman, por edhe 9 të tjerë, që varionin nga veteranë deri tek rishtarë. Përfitimet nga ky operacion kanë qenë afatgjata, me inteligjencës amerikane e cila ka dhënë prova dhe pista zbulimi shërbimeve partnere në Kanada, Europa dhe gjetkë.
Kundërzbulimi gjerman shënoi një operacion të suksesshme kur arrestoi Andreas dhe Heidrun Anschlag, dy ilegalë rusë që jetonin në Gjermani me dokumente në dukje origjinale, që në fakt ishin lëshuar nga një zyrtar i korruptuar austriak. Ata u arrestuan në tetor të 2011, në mes të një radio transmisioni klandestin dhe u dënuan, respektivisht, 6 dhe 7 vite heqje lirie.(Znj Anschlag raportohet se u lejua të kthehej në Rusi në fund të nëntorit, si pjesë të një marrëveshje për shkëmbimin e spiunëve).
Kundërzbulimi holandez shënoi një sukses spikatës në prill të 2013 kur një diplomat i quajtur Raymond Poeteray u burgos për 12 vjet ngase i dha rusëve dokumente të NATO-s. Kundërzbulimi danez ka filluar gjithashtu ta shohë më me seriozitet çështjen e spiunazhit rus. Në 2010, një profesor finlandez në Danimarkë, Timo Kivimäki, u arrestua pasi hiqej si “dallues-talentesh”, duke identifikuar për rusët studentë që mund të shërbenin si burime të rëndësishme për rekrutime të mëvonshme. Prokurorët thonë se ai paguhej për këtë aktivitet. Por, dënimi i tij krijoi stuhi protestash: shumë europianë e patën të vështirë të kuptonin se ishte e mundur të ishe një spiun – dhe një i sojit të rrezikshëm –pa patur ndonjë akses në informacione të klasifikuara. Kivimäki kaloi një dënim të shkurtër dhe të butë dhe më pas u rikthye në Finlandë, ku vazhdoi karrierën e tij akademike, duke u specializuar në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Në Hungari, falë një gazetari të vendosur do të demaskoheshin aktivitetet e inteligjencës ruse, kur András Dezső, gazetar në Revistën Indez, hetoi një politikan të mugët por influencues të së djathtës ekstreme, Béla Kovács. Ai zbuloi se bashkëshortja e tij ruse, Svetlana Istoshina, i kishte të gjitha shenjat se ishte një oficere ruse e zbulimit – dhe se vetë Kovács kishte të ngjarë të ishte djali biologjik i një oficeri të KGB-së të stacionuar në Hungari gjatë epokës sovjetike. Istoshina, më herët, kishte qenë e martuar me një zyrtar japonez, ekspert bërthamore, dhe më pas me një gangster austrian(duke marrë kështu shpejt pasaportë nga ky vend). Kovács kishte kanalizuar para(nga burime të panjohura) tek partia e tij, ultra-nacionalistja Jobbik, dhe kishte kontribuar në rritjen e orientimit pro-Kremlin të partisë. Shërbimet e zbulimit i thanë Dezső-s se Kovács ka qenë nën mbikëqyrje që nga 2009 për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Prokurorët po përpiqen t’i revokojnë imunitetin parlamentar.
Pavarësisht këtyre historive të gjalla dhe sensacionale, ka qenë e vështirë ndërgjegjësimi i opinionin publik në Europë rreth rreziqeve që përbën spiunazhi rus. Kur Bashkimi Sovjetik kapitulloi pas puçit të dështuar në Moskë, në gusht 1991, shefat e inteligjencës britanike, parakohe siç rezultoi, hapën shishet e shampanjës në bunkerin e tyre në nëntokën e Londrës. Realiteti i çerekshekullit që do të pasonte rënien e Murit të Berlinit është ringjallja e spiunazhit rus në një nivel që e kalon atë të Luftës së Ftohtë. Oficerët e inteligjencës ruse nuk përdorin vetëm hilet e vjetra të spiunazhit të KGB-së por një set me taktika të reja. Tok me këto, është dhe një zgjerim i madh i objektivave potencialë të spiunazhit rus dhe një rënie e mprehte e aftësisë së Perëndimit për t’u bërë ballë atyre. Me pak fjalë, spiunazhi rus është maja e shtizës së përpjekjeve të Kremlinit për të penetruar dhe manipuluar Perëndimin.
Për ta kuptuar sesa e rrezikshme është kjo, krahasoni situatën e tanishme me rrethanat e Luftës së Ftohtë. Në atë kohë, bërja ballë e kërcënimit sovjetik ishte prioriteti më i lartë .Perëndimi përballej me një kërcënim ekzistencial nga një diktaturë totalitare. Çdo vizitor sovjetik në Perëndim ishte i dyshimte dhe mbikëqyrej. Lidhjet tregtare dhe kulturore përmes Perdes së Hekurt ishin të kufizuara. Do të kishte qenë e pamundur për dikë si Anna Chapman( e bija e një oficeri të lartë të inteligjencës ruse) që të lëvizte lehtësisht dhe pa u vënë re në itinerarin Moskë-Londër-Nju Jork.
Për më shumës e 20 vite, Perëndimi është përpjekur për ta integruar Rusinë – diplomatikisht, financiarisht, ekonomikisht dhe institucionalisht. Me të vërtetë, politikë-bërësit perëndimorë kanë pranuar (me vonesë në disa raste) se Rusia është një regjim autoritar kleptokrat. Me të vërtetë, shumë gjithashtu kanë pranuar(me ngurrim dhe paraprakisht në disa raste) se është një fuqi revanshiste që kërcënon fqinjët e saj. Por, të paktë janë ata që pranojnë seriozitetin e kërcënimit dhe që i japin prioritetin që meriton. Në ditët e sotme, është një kërcënim në kapicën e kërcënimeve. Në shumë çështje – veçanërisht terrorizmi – Perëndimi e sheh Rusinë si një partner të rëndësishëm.
“Fushëbeteja” me e vështirë e spiunazhit gjendet tek vendet ish-komuniste. Pas 1989, shumë në perëndim e projektonin ndjesinë e tyre të triumfalizmit mbi vendet e ish-perandorisë sovjetike. Por, mbi rrënojat e strukturave të vjetra, KGB ngriti rrjete të reja dhe asete që do t’i shërbenin mirë gjatë viteve që do të pasonin. Rusia ende përfiton nga tradita e të hartuarit informacione që mund të përdoren për të shantazhuar burime potenciale. Për më tepër, përparimet politike dhe ekonomike janë provuar, në disa vende, të jenë të cekëta dhe jetëshkurtra. Një “aromë” putinizmi është tashme e dukshme në shume shtete mes Detit Balit dhe Detit të Zi, ku politikanët shijojnë kënaqësitë e afërsisë mes biznesit dhe politikës, të gazit të lirë dhe të bërjes lehtë para që ofrojnë lidhjet e Kremlinit, për të vijuar me përdorimin dhe abuzimin e zyrtarëve qeveritarë kundër opozitarëve.
Të shoqëruar me paaftësinë e shteteve të reja anëtare për të ndërmarrë operacione të mprehta kundërzbulimi, kjo ka krijuar si pasojë, një tufë me “Kal Troje” që mirëpriten me krahë hapur nga aleancat perëndimore, shtetet, shërbimet dhe agjencitë. Nuk mund të jetë shumë interesante për inteligjencën ruse që të njihet me detajet e planifikimit të sigurisë, le të themi, në Sllovaki, por një zyrtar sllovak në zemrën e vendimmarrjes perëndimorë në Bruksel mund të jetë një aset i paçmueshëm si një kanal për sekrete më të “shijshme”.
Epitoma e kësaj është spiuni i dëmshëm në historinë e NATO-s: Herman Simm, kreu i sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë. Një paradoks: Me të drejtë, Estonia konsiderohet si shembullor në mesin e vendeve ish-komuniste. Ka një ekonomike dinamike, inovative, institucione të mirëorganizuara dhe liderë tepër mbresëlënës. Është vend i vogël por shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës gëzojnë besimin plotë të partnerëve perëndimore, veçanërisht të britanikes M16 dhe të CIA-s amerikane. Por, pikërisht për faktin se Estonia është kaq e besueshme rezultoi që Simm të ishte një spiunë mjaft i dëmshëm. Ai ishte stërvitur në qendrën supersekrete të Sigurisë dhe Inteligjencës britanike në Chickland jashtë Londrës dhe mbikëqyrte procesin e reformave të sigurisë të Estonisë, në kuadër të përmbushjeve të standardeve të NATO-s. Rusia ishte e interesuar tek Estonia – por ishte më e interesuar tek detajet e sigurisë kriptografike dhe fizike të NATO-s. Simm u kap në 2010 dhe u dënuar me 13 vite burgim. Për kërshëri, eprori i tij ishte një oficer i inteligjencës ruse i cili kishte përdorur një certifikatë lindje braziliane të falsifikuar për të fituar shtetësinë portugeze dhe drejtonte një zyrë konsulence në Madrid nën emrin Antonia Graff – një shembull tipik ky që tregon sesi Rusia përdor Europën e post-Luftës së Ftohtë si një hapësirë të vetme spiunazhi.
Spiunazhi është pjesë vitale e përpjekjes së Rusisë për të krijuar një hegjemoni të butë mbi shtetet e saj kufitare evropiane, të bazuar tek korrupsioni dhe propaganda në vend të kontrollit të rrepte të epokës sovjetike. Spinunazhi mund të ndihmojë në identifikimin e zyrtarëve dhe politikave të korruptuar, për të zbuluar se cila pjesë e fushës së biznesit është më vulnerabël ndaj influencës ruse dhe gjithashtu për të ç’aktivizuar çdo rezistencë institucionale, të tilla si një shërbim sigurie të ashpër dhe efektiv.
Shumë europiano-lindorë janë të shqetësuar rreth kapaciteteve të Rusisë në këtë fushë, por paralajmërimet e tyre në të shumtën janë injoruar. Shtetet perëndimore, rëndom, kanë nënvlerësuar aftësitë e shërbimeve të inteligjencës ruse. Është e vërtetë që janë të shkapërdarë, të korruptuarë, burokratikë dhe nepotikë, por ato kanë disa avantazhe të mëdha. Si fillim, prioriteti i tyre më i lartë është penetrimi dhe minimi i shoqërive perëndimorë. Për të kundërtën, nuk mund të flasim:nuk është prioriteti më i lartë i Perëndimit që të penetrojë tek Rusia apo të ndalojë Rusinë që të penetrojë.
Një tjetër avantazh rus është aftësia për planifikime afatgjatë. Për inteligjencën perëndimore, spiunazhi është një punë e shtyrë nga kërkesa. Shefat e zbulimit angazhojnë burime tek subjektet që u interesojnë eprorëve të tyre politikë. Për rreth 20 vjet, Rusia nuk ishte një prioritet dhe ata që shfaqeshin të shqetësuar rreth rrezikuan-dhe me raste sakrifikuan-karrierën e tyre.
Spiunazhi rus operon mbi parime të ndryshme. Agjencitë e atjeshme shpenzojnë shumë kohë dhe para në ndërtimin e aseteve afatgjata, duke mos u shqetësuar për rezultate të menjëhershme. Nëse rekruton një student danez, duhet të kalojnë 20 vjet derisa të bëhet i dobishëm, por kur bëhet i tillë, pasojat do ta jenë shkatërrimtare. Rusia është gjithashtu shume efikase në atë që në terminologjinë e spiunazhit njihet si operacionet e “flamurit të rremë”, sipas së cilës objektivi rekrutohet nën kamuflimin e një kauze të ndryshme, që përfshinë lirinë dixhitale apo ambientalizmin.
Burime të bollshme dhe zgjuarsi të mprehtë nënkuptojnë se spiuni rus është një ndryshues-formash: Maskat e kamuflimit variojnë nga një kompani energjetike që në dukje është në rregull, një student nga një shtet i NATO-s, një zyrtar interesant nga ambasada ruse e deri tek një sekretare punëtore apo një konsulent në Portugali. Kjo i jep Rusisë atë që teoricienët e inteligjencës amerikane e konsiderojnë “kapacitet natyror”: aftësia për të operuar nën maskën e një biznesi apo organizate të rregullt. Për agjencitë perëndimore të inteligjencës, kjo përfshin pengesa të jashtëzakonshme ligjore dhe burokratike. Rusia e adopton pa u shqetësuar.
Kapaciteti natyror ekziston jo vetëm në biznesin rus jashtë shtetit, por nëpërmjet bizneseve të huaj që marrin investime nga Rusia. Njerëzit që i merr si të punësuar lokal dhe më pas i dërgon në qendra apo zyra jashtë vendit mund të jenë punëtorë besnikë të kompanisë, ose mund të jenë caktuar aty nga autoritetet, ndoshta për arsye nepotike, ndoshta për detyra klandestine. Nëse kjo dështon, diaspora ruse ofron një burim të pasur për çfarëdolloj detyre.
Të gjitha këto avantazhe i kapërcejnë sukseset e kundërzbulimit të sipërcituara. Qysh prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, rregullat e lojës kanë ndryshuar në favor të Rusisë. Spiunët rusë notojnë të padukshëm në periferi, jetën e natës, në zyra qeveritarësh dhe konsulencash në Perëndim, duke shfrytëzuar besimin natyror dhe kolegjialitetin e një shoqërie të hapur. Rusia po korr sukses në Perëndim, si në shtetet e dobëta dhe të trazuara të “Europës së Re” ashtu edhe në shtete e pasura të “Europës së Vjetër”
Zor se kjo mund të ndryshojë shpejt. Qartazi, nuk ka shanse të kthimit në praktikat e Luftës së Ftohtë, kur Lindja dhe Perëndimi ndaheshin nga një perde pothuajse hermetike dhe kur mbikëqyrja prekte madje pozicionet më të ultë në qeveri dhe në jetën publike. Por, dobësia më e madhe e qasjes perëndimore është se e trajton kapjen e spiunëve, drejtësinë, mbikëqyrjen financiare dhe fushën mediatike si zona të ndara të vendimmarrjes. Rusia i shfrytëzon të gjitha këto të pandara, me operacione që kalojnë nga njëra tek tjetra. Duke patur parasysh aspektet e shumta të kërcënimit me të cilën përballen autoritete Perëndimore, agjencitë e përfshira në këto fusha duhet të punojnë në unison, jo veçmas.
Aftësia e shteteve kufitare për të arrestuar dhe burgosur spiunet rusë ka një variacion të ndryshëm. Estonia, me një popullsi prej 1 milion, ka arritur të arrestojë dhe burgosur katër spiunë rusë, më shumë se Gjermania, që ka një populli prej 80 milion. Republika Ceke (me një popullsi 10 milionë) nuk ka arrestuar asnjë. Shtete të tjera si Polonia, Slovakia, Hungaria, Bulgaria, Rumani dhe Kroacia kanë mjerisht të njëjtin bilanc negativ
Aq sa dështimi në ndjekje penale krijon një klimë pandëshkueshmërie, po aq suksesi i ndjekjes penale ndryshon mendimin publik. Njerëz të jetës publike dhe profesionale duhet të jenë të kujdesshëm rreth pyetjeve që bëjnë njerëzit, veçanërisht rreth ofertave për para në këmbim të informacionit. Nëse nuk rrezikon asgjë, mund të thuash “po”, edhe nëse oferta prek tema sensitive . Nëse rrezikon poshtërim dhe burg, ka shumë gjasa të refuzosh. Kjo është arsyeja se pse ndjekja penale e Danimarkës ndaj Kivimäki ishte kaq e rëndësishme.
Shtetet Perëndimore mund të jenë edhe më të ashpra në qasjen ndaj oficerëve të inteligjencës ruse-njerëzit që rekrutojnë, motivojnë dhe drejtojnë tradhtarë si Kivimäki, Simm, and Poeteray.
Gjermania ka treguar ashpërsi të lavdërueshme në arrestimin dhe burgosjen e ciftit Anshlag. Kanadaja, në kontrast, arrestoi një ilegal rus në 2009, i maskuar nën emrin Paul William Hampel—por e deportoi atë dhe nuk e burgosi. Shtetet perëndimore mund të jenë më të ashpra në refuzimin e vizave ndaj “diplomatëve” me CV në shërbime të inteligjencës. Megjithatë këto masa do të kenë pasoja. Rusia do të përgjigjet tit-for tat e do t’u refuzojë viza diplomatëve perëndimore, por pavarësisht kësaj, ja vlen barra qiranë.
Si përfundim, klima e spiunazhit reflekton prioritete e politikanëve. Rusia spiunon mbi Perëndimit sepse druhet nga demokracia dhe sundimi i ligjit dhe shikon një mundësi për t’i rrëzuar ato. Nga ana e tij, Perëndimi nuk e bën të madhe spiunazhin rus sepse ka shqetësime të tjera. Mbi të gjitha, ne nuk dëshirojmë të pranojmë gamën e gjerë të kërcënimit rus dhe dobësitë tona. Të metat e perëndimit në qasjen ndaj spiunazhit rus duket se reflektojnë shqetësime të gjera dhe të thella.
Edward Lucas është autor i librit “Mashtrimi: Historia e Pathënë e Spiunazhit të Sotëm Lindje –Perëndim” (Bloomsbury USA, 2013).