Auschwitz-kujtese dhe apel
Sivjet, 27 Janari, Dita Ndërkombëtare e Holokaustit përkon me 70-vjetorin e Çlirimit nga Ushtria e Kuqe të kampit të pashembullt të shfarosjes së 1 milion hebrejve në Auschwitz. Ndryshe nga sa mund të ishte menduar më parë, kjo ditë historike përkujtohet në një atmosferë ndërkombëtare tejet të rënduar, ku veç të tjerash, po rishfaqen dukuri dhe krime me karakter antisemitist. Shumë prej tyre po ndodhin edhe në vende me emër dhe tradita të shumta demokratike në zemër të Evropës. Kështu, sipas të dhënave zyrtare, vetëm në Belgjikë gjatë vitit të kaluar u kryen 102 krime antisemite ose 60 për qind më shumë se një vit më parë.
Më i rëndi ishte ai i 24 majit 2014, kur në qendër të Brukselit, në mes të ditës, u vranë 4 shtetas hebrej duke vizituar muzeun e tyre. Atentati terrorist kundër revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe në supermekatën e hebrejve në Paris treguan se historia mund të përsëritet, edhe pse jo në përmasat e Auschwitz-it. Ja pse ky 70-vjetor historik vjen në kohën e duhur, si një mesazh kundër harresës për të kaluarën e hidhur. Kjo kujtesë ndihmon shumë edhe për të kuptuar se Auschwitz, Dakao, Buchenwald, Mathausen dhe impiantet e tjera vdekjeprurëse naziste nuk “mbinë” ashtu spontanisht, brenda një nate apo dhe një viti.
Përkundrazi, ato ishin rezultante vrastare të politikave diskriminuese dhe shfarosëse shumë më parë se Hitleri të rrëmbente pushtetin. Do thënë se komuniteti i hebrejve gëzonte të gjitha të drejtat dhe ishte integruar mjaft mirë në jetën dhe shoqërinë gjermane. Republika e parë Demokratike e Weimarit (1918 – 1933), që u krijua pas disfatës gjermane në Luftën e Parë Botërore i konfirmoi dhe synoi t’i zhvillonte më tej këto të drejta.
Mirëpo kjo i “preku në kallo” forcat naziste dhe synimet e tyre ogurzeza. Që këtu nisi dhe inati i Hitlerit, i cili e kishte më shumë se “halë në sy” Weimarin, që ai e quante “Juden Republik (Republika e Judëve). Hitlerin e tërbonte fakti se ndonëse përbënin vetëm 1 për qind të popullsisë, hebrenjtë kishin zënë kyçet e jetës politike, ekonomike dhe kulturore në Gjermani; veç kësaj, gjysma e popullsisë gjermane ishte lidhur me familje hebrej.
Kultura gjermane nuk mund të kuptohej pa rrezatimin e kontributit të shquar të kolosëve hebrej të artit, ekonomisë, biznesit dhe politikës. Kështu, shpesh shtrohet pyetja se çdo të ishte piktura gjermane pa Max Liebermann, romani pa Alfred Doblin, botimet pa Axel Springer, shtëpia botuese e të cilit vazhdon të jetë ndër më të mëdhatë në Europë, apo kinemaja pa Fritz Lang dhe biznesi gjerman pa afaristët e mëdhenj hebrej, muzika pa Mendelson, por edhe politika gjermane pa Walter Rathenau, ish-ministër i Jashtëm, vrasja e të cilit në qershor 1922 ishte veprimi i parë kriminal antisemitist i këtij rangu. Ndaj, shumë kohë përpara ngjitjes në pushtet, Hitleri bëri përpjekje që të fshinte nga kalendari politik 9 Nëntorin 1918, datën kur u krijua dhe shpall Republika e Weimarite bashkë me të gjithçka demokratike. Jo vetëm aq, por Hitleri ndërtoi një nga kampet më famëkeq të përqendrimit në Buchenwald, vetëm 4 km larg Weimarit.
Prej kohësh është shtruar pyetja si ka mundësi që ai kamp u ngrit atje, fare afër njërës prej qendrave më të mëdha të kulturës, artit, letërsisë, filozofisë dhe demokracisë së re gjermane? Përgjigja është fare e thjeshtë dhe e konfirmuar tashmë. Hitleri e ngriti atë enkas aq pranë Weimarit, si një mesazh dhe ndëshkim për judizmin e tij, për t’i dhënë “mësimin” e fundit, sipas Hitlerit, përpara se të fshinte sipas tij nga faqja e dheut trashëgiminë e tij demokratike. Që antisemitizmi hitlerian ishte më i hershëm se nga ç’është menduar më parë, këtë e konfirmon edhe historiani i mirënjohur gjerman Ralf Georg Rewith, me botimin e tij të vitit 2009, “Hitler’s Judenhass” (Urrejtja e Hitlerit për hebrenjtë”).
Sipas tij, trakti i parë publik antisemitist është një letër e shkruar nga Hitleri në vitin 1919, ku ai shprehet hapur se “synimi i tij do të jetë domosdoshmërisht dëbimi me të gjitha mjetet i çifutëve nga Gjermania”. Në vijim, në emër të superioritetit racor, duke shkelur çdo të drejtë elementare njerëzore, Hitleri përsëriti natën e 9 nëntorit të tij të dështuar të vitit 1923, plot 15 vjet më vonë, më 9 nëntor 1938. Atë “Natë të Kristaltë” siç njihet ajo, naziskinët dogjën dhe shkretuan 815 butika, 29 magazina të mëdha, 171 apartamente dhe 26 sinagoga të hebrejve. E, megjithatë, ajo natë nuk ishte asgjë në krahasim me monstruozitetet kriminale kundër mbi 6 milionë çifutëve në kampet e përqendrimit dhe dhomat e gazit në Buchenwald, Dachao, Mathausen dhe sidomos në Auschwitz. Nata e 9 nëntorit 1938 ishte paralajmërimi i kobshëm për persekutimin e paparë nazist ndaj hebrejve.
Në fakt, edhe ndërtimi i kampit famëkeq të Auschwitzit u ideua qysh në vitin 1941, domethënë më parë se të merrej vendimi për “zgjidhjen përfundimtare”, pra shfarosjen e të gjithë hebrejve në Konferencën e Wahnsee-së, pranë Berlinit, më 20 janar 1942. Këtë e dëshmojnë edhe dokumentet origjinale të zbuluara më 2008-dhjetëra skic–ide, plane ndërtimi, projekte dhe vizatime të ndryshme; me një shkallë zmadhimi 1:100, në to përfshihen të gjitha mjediset e tmerrshme të qëndrimit, punës dhe dhomat e gazit me përmasa 11,66X 112,20 metra. Këto e të tjera fakte rrënqethëse nga shfarosja e mbi 1 milion hebrejve në Auschwitz i ka pohuar gjatë gjykimit dhe dënimit edhe ish-komandanti i atij kampi, të Rudolff Hoss. Por, ndërsa nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre kudo në Evropë po shfaqnin, siç pohon Çhurçilli, anën e tyre më të errët dhe më të keqe, forca dhe vende të tjera, edhe pse të pushtuara, po demonstronin anët e tyre më të mira dhe më të ndritura.
Në këto vende, ku padyshim dallohet Shqipëria, po shfaqej madhërishëm solidariteti njerëzor për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrejve me çdo kusht e çmim. Ky kontribut i madh njerëzor na nderon shumë në botën e qytetëruar dhe do të mbetet një ndër dëshmitë më të spikatura të ndihmës, bujarisë, sakrificës dhe vetëmohimit të të parëve tanë për mbrojtjen dhe shpëtimin e mijëra hebrejve, edhe pse në momentet më të vështira të terrorit të pashembullt nazist. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një apo disa raste, por për një frymë dhe mobilizim të përgjithshëm kudo në Shqipëri, në Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Krujë, Vlorë dhe gjetkë.
Ky përbën një realitet të njohur ndërkombëtarisht e të dokumentuar në shumë libra, filma dhe në muzetë më të famshëm kudo në botë. Si shumë të tjerë, më ka rënë rasti të jem i pranishëm në shumë aktivitete me rastin e 27 janarit dhe ditë të tjera përkujtimore të Holokaustit në Tiranë, Durrës, Berlin, Vjenë, Bruksel dhe gjetkë. E pamundur të tregosh me fjalë kujtimet dhe emocionet rrënqethëse të të mbijetuarve, shumë prej të cilëve janë personalitete të njohura, kur shprehin me aq pathos mirënjohjen e tyre të pakufishme për mikpritësit e tyre dhe Shqipërinë; ndaj vendi ynë renditet me meritë ndër vendet e para kontribuuese në këtë fushë, ose siç njihet në “the righteous among the nations”.
Janë po ashtu të shumta, aktet dhe faktet që tregojnë se këtë traditë të mrekullueshme, ajo e mbron dhe e zhvillon edhe në ditët e sotme. Pas disfatës naziste në Gjermani dhe gjetkë, lindi kultura e ndjesës kolektive edhe ndaj hebrejve. Ajo u kthye në një ritual domethënës për të gjithë politikën gjermane dhe më gjerë. Kjo shfaqet vazhdimisht e fuqishëm, sidomos sa herë që në të gjithë botën e qytetëruar përkujtohet Holakausti famëkeq. Momenti më kulmor i këtij homazhi dhe ndjese monumentale ishte përulja në gjunjë e legjendarit Willy Brandt në memorialin e heronjve të Getos në Varshavë, më 7 dhjetor 1970. Disa vite më parë, në Berlin, fare pranë ish–kancelarisë së tmerrshme naziste dhe Bunkerit të Hitlerit u ngrit memoriali kushtuar hebrejve.
Tejet mbresëlënës janë me mijëra metra kub me gurë e kolona ku tregohet historia e tyre e dhimbshme. Memoriali është ndërtuar pikërisht aty, në qendrën kryesore të Berlinit, që kushdo që vjen të mos e shmangë dot vizitën në këtë vend, madje të futet dhe ecë nëpër labirintet dhe skutat e saj të shumta. Megjithatë, ngjarjet dhe aktet kriminale të përmendura në fillim tregojnë se sfida dhe rreziqet edhe në këtë fushë janë tejet të mëdha. Ndaj, 27 Janari, Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, veç homazhit, kujtesës dhe reflektimit, është dhe një apel i fuqishëm qytetar për të kundërshtuar me forcë çdo formë të diskriminimit, urrejtjes racore dhe antisemitizmit.
Burimi: http://www.balkanweb.com/site/auschwitz-kujtese-dhe-apel/