Holokausti, pësimet dhe mësimet

Ndonëse për Holokaustin si një prej dëshmive më rrëqethëse të krimeve naziste dhe aftësisë vetëshkatërruese të njeriut është folur dhe shkruar shumë, të paktë janë ata që, për shkaqe profesionale apo kulturore, i njohin përmasat dhe pasojat e këtij krimi të kobshëm.


Nga DR.MIRELA OKTROVA

Ndonëse për Holokaustin si një prej dëshmive më rrëqethëse të krimeve naziste dhe aftësisë vetëshkatërruese të njeriut është folur dhe shkruar shumë, të paktë janë ata që, për shkaqe profesionale apo kulturore, i njohin përmasat dhe pasojat e këtij krimi të kobshëm.

Po nëse thelbi i tij, si krim ndaj njerëzimit, është i hetueshëm edhe me pak njohuri e informacion, parandalimi dhe imunizimi ndaj përsëritjes së tij dikton njohjen e thellë të potencialit kriminal të arsyes njerëzore dhe hetimin e përmasave të shkatërrimit, që është në gjendje të shkaktojë ajo… Se asgjë s’ka që në fillim pamjen e vet finale, ndërkohë që edhe pakgjë mund të ketë cilësinë e treguesit të një kobi, që përgatitet të ndodhë dhe po s’u pengua, do të ndodhë…

Ndonëse nuk mund të barazohet me të, Holokausti është i lidhur ngushtë me ekzistencën dhe historikun e kampit famëkeq të Aushvicit, ndërtimi i të cilit filloi pas pushtimit të Polonisë, në shtator 1939. Parulla cinike “Puna të bën të lirë” dhe 23 000 të burgosurit e parë politikë polakë, që u përgjysmuan më 20 muaj i dhanë kampit nam të kobshëm. Në fund të vitit 1940, kreu i SS, Himler, urdhëroi trefishimin e kapacitetit të tij nga 10 në 30 000 veta, për ta vënë në shërbim të industrisë. Por, pas sulmimit të BS në vitin 1941, në të u dërguan 1 milion gardistë të kuq të zënë rob. Ishte koha kur programi i eutanazisë eliminoi 70 000 persona me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore deri në verën e vitit 1941 dhe kur Brigada e Infanterisë SS shfarosi 10 000 hebrenj në verën e vitit 1942 në Ostrog të Ukrainës. Aushvicit i erdhi radha kur Himleri u informua për efektet psikologjike të pushkatimeve tek ushtarët dhe urdhëroi kërkimet për metoda të lira dhe të shpejta vrasjeje. Kështu, në bllokun e të burgosurve rusë u provua Ciklon B, një helm me avuj vdekjeprurës. Kur pas provës, u pa, se disa të dënuar jetonin ende, të mbijetuarit u vunë të transportonin kufomat me karroca dore në krematorium. Kjo u përsërit, duke krijuar një sistematikë vdekjeje jashtë çdo përfytyrimi njerëzor. Po shfarosja u bë masive, kur lufta u bë botërore. Pasi japonezët sulmuan Përl Habër dhe Gjermania hyri në luftë me SHBA, në janar 1942, në Vilën Van Ze në Berlin u vendos koordinimi i strukturave për “zgjidhjen finale” të çështjes hebreje, çka çoi në krijimin e një makinerie perfekte, me të cilën SS-të mund të vrisnin në ditë mijëra hebrenj, që i mblidhnin kudo në Europë për t’i vrarë në Aushvic. Hebrenjtë e parë nga Europa Perëndimore ishin francezë. Pas kërkesës për krahë pune, policia franceze ndau fëmijët nga prindërit. Në gusht 1942, u deportuan në Aushvic dhe u mbytën me gaz 4100 fëmijë. Mbi 200 000 hebrenj u deportuan nga Franca, Holanda, Belgjika, Jugosllavia, Polonia, Çekia, Sllovakia, Austria dhe Gjermania. Mbi 70% u vranë sa mbërritën. Pasi në korrik 1942 Himleri urdhëroi “shpërnguljen” (shfarosjen) masive të getove polake, deri në fund të vitit 1942 u vranë rreth 2 milionë veta, 713 555 prej të cilëve dhanë shpirt në Treblinka. Në “dushet” e Aushvicit vriteshin me gaz 3000 vetë njëherësh.

Po për ritme më të larta, në pranverën e vitit 1943 u rikonceptua krematori dhe u shfunksionua në dhomë gazi morgu. Me shtimin dhe të tre të tjerave, Aushvici u bë fabrika më e madhe e vdekjes, ndonëse atij i takonin edhe 45 kampe pune për industrinë e luftës. Kontingjentet seleksionoheshin në mbërritje: të fuqishmit në kampet e punës, ndërsa të moshuarit, të sëmurët dhe fëmijët në dhomat e gazit, ku ata detyroheshin të zhvisheshin dhe të bënin dush. Pas gjysmë ore klithmash, dyert hapeshin vetëm për të hequr kufomat. Në kamp kryheshin dhe eksperimente në njerëz – p.sh. me fëmijë binjakë, për të testuar reagimin e trupave të njëjtë ndaj eksperimenteve dhe bashkëpunohej me një institut studimesh antropologjike, i cili furnizohej me pjesë trupash njerëzorë, që postoheshin si “material i rëndësishëm luftarak”. Në janar të vitit 1945, SS-të e Aushvicit e dinin se lufta ishte e humbur, ndaj zunë të fshijnë gjurmët: dogjën dokumentet, hodhën në erë dhomat e gazit e krematorët dhe u zhdukën, duke lënë pas vetëm njësinë e ekzekutimit. Kur më 27 janar, Ushtria e Kuqe hyri në kamp, ndeshi vetëm disa mijëra të papushkatuar për mungesë kohe. Nazistët s’kishin mundur t’i zhduknin të gjitha gjurmët: barakat ishin plot me pirgje plaçkash dhe këpucësh. Po pamja e vërtetë e tmerrit të ushtarëve britanikë u shfaq në prill 1945 në Bergen Belzen, ku lemeria e pirgjeve të kufomave kujonte për ndëshkim …  Dhe ndëshkimi filloi…

Megjithatë, as proceset e gjata të Nyrenbergut, as varja e komandantit të Aushvicit, Rudolf Hës, në Aushvic dhe as dënimet e emrave të tjerë prominentë nazistë, nuk e fshijnë dot faktin se nga 7000 SS të Aushvicit, që i mbijetuan luftës, dolën para gjyqit më pak se 800, ndërsa afro 90% syresh mbetën të pazbuluar. Aq më shumë që vitet e mëvonshme lindën lloj-lloj pretendimesh. Ende edhe sot ka raste kur nuk pranohet gjithçka, ndonëse dëshmitarët e kohës, të gjallë e të vdekur, kanë lënë pas dëshmi të gjalla…, që me një këmbëngulje të kobshme, jo vetëm çdo janar, duket sikur thonë: “ne i pamë të gjitha: edhe krematorët, edhe dhomat e gazit edhe djegiet e trupave në pyll… dhe të gjitha janë të vërteta. Ne e dimë, se kemi qenë prezentë…, ne qemë dëshmitarë”, thonë 15000 robër rusë, 21 000 romë, 70 000 të burgosur polakë, 1 milion hebrenj, 200 000 fëmijë… fatet dhe dëshmitë e të cilëve e bëjnë Aushvicin jo vetëm simbol të përjetshëm të krimeve naziste, por dhe një dëshmi akuzuese për natyrën e njeriut…

Natyrisht që kur flitet për Holokaustin, shqiptarët kanë hak dhe meritë të jenë jo vetëm të qetë, por edhe krenarë. Në tetor të vitit 1943, procesverbali i takimit të përfaqësuesve të Ribentropit dhe Gestapos, që vendosën zbatimin e “zgjidhjes finale” për hebrenjtë, vëren se “në Shqipëri, ku qeveria vendëse e konsideron çështjen si ‘çështje të brendshme’, nuk do të ndërmerrej asnjë veprim deri në një këshillim tjetër”. Dhe ndonëse u kërkuan në prill dhe në qershor 1944, listat e hebrenjve që disponoheshin nga të gjitha qeveritë kolaboracioniste, nuk u dorëzuan nga asnjëra prej tyre. Të shpëtuarit nuk ishin vetëm 200 hebreo-shqiptarët me banim në vend, por dhe 1800 të ardhur nga vende të tjera të botës, si edhe qindra syresh, të cilët të hynë në Shqipëri duke fshehur identitetin dhe fenë, ose duke u pajisur me pasaporta e emra vendës, me dijeninë e shtetit shqiptar dhe “zyrave” të tij në Tiranë dhe Tetovë. Një vepër e pashembullt, e kryer mbase jo thjesht dhe vetëm për virtyt, por edhe sepse qëndrimi mbarëkombëtar ndaj hebrenjve nuk i motivonte qeveritë shqiptare – pavarësisht orientimit – ta luanin kartën antisemite, për sa kohë që antisemitizmi nuk ekzistonte dhe nuk garantonte simpati ndër shqiptarë. Po mësimet e Holokaustit nuk kufizohen dot as brenda kufijve historikë e gjeografikë të vetë dukurisë dhe as brenda përgjegjësive të diktaturave vetëm të djathta. Po shqiptarët kanë të tjera momente në historinë e tyre, për të cilat s’kanë arsye të ndihen krenarë, paçka se diktatura e tyre kishte ngjyrë tjetër dhe pësimet s’i kapërcyen “kufijtë” kombëtarë. Se nëse fëmijët gjermanë ushqehen çdo ditë e deri në bezdi me ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare për shkak të krimeve të nazizmit, breza të tërë shqiptarësh nuk dëgjuan kurrë një “mea culpa” dhe ende nuk e dinë se cilët ndër ta ishin vërtet viktima dhe cilët bashkëdorës! Nëse gjermanët kanë një makineri të tërë ligjore dhe edukative, që garanton profilaksinë dhe mbyt ekstremizmin pa dëmtuar demokracinë, ne ende luajmë e manipulojmë me simbolet e ish-diktaturës dhe figurën e ish-diktatorit! Nëse pasardhësit e dorësve të Hitlerit lanë veten të sterilizohen, për të shuar farën që tmerroi e vrau botën, pinjollët e diktaturës shqiptare i ndjekim rëndom edhe sot në studio të ndryshme televizive tek luajnë apostuj morali përballë gazetarësh të cekët a me moral të dyshimtë.

Holokausti mbetet vërtet dëshmi rrëqethëse e krimeve naziste, por mësimet e tij janë të përbotshme. Kudo ku jetojnë njerëz, ekziston dhe potenciali kriminal i arsyes njerëzore dhe rreziku i përsëritjes, së asaj që ndodhi dikur… Ndaj kujdesi s’është kurrë i tepruar, se dhe pakgjë mund të shndërrohet në një kob, që mund të ndodhë nëse s’pengohet të ndodhë…

***

Burimi: http://www.panorama.com.al/2015/02/01/holokausti-pesimet-dhe-mesimet/

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit