Hoxhaj: Kosovarët dhe hebrenjtë kanë luftuar gjatë për shtetet e tyre
Gjatë qëndrimit në Izrael, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dhënë një sërë intervistash për mediet e këtij vendi ku ka folur për mundësinë e njohjes nga Izraeli dhe fillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Në intervistën për programin “One to One” të televizionit iNews24 në Tel Aviv, Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës është një fakt gjeopolitik dhe njohja nga Izraeli do të thoshte shumë.
“Për ne është shumë me rëndësi që ta kemi mbështetjen e shtetit të Izraelit dhe popullit hebre në drejtim të njohjes së pavarësisë. Detyra ime këtu është për të shikuar mundësitë e hapjes së një kapitulli të ri të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona duke përfshirë mes parlamenteve, në ekonomi, arsim e kulturë.. Ne kemi të kaluar pothuajse të njëjtë të vuajtjeve dhe përpjekjeve të mëdha për pavarësi e shtet. Ne kemi bërë një luftë të gjatë për ta pasur shtet. Prandaj njohja nga Izraeli do të ishte me shumë peshë” ka thënë Hoxhaj.
Më tej ai ka hedhur poshtë krahasimet e mundshme ndërmjet Kosovës si rast dhe Palestinës duke thënë se pavarësimi i Kosovës është konsekuencë e një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur 20 vite më parë me shkatërrimin e Jugosllavisë dhe krimet serbe të kryera në Kosovë. “Rastet thjeshtë janë të pakrahasueshme” ka thënë Hoxhaj.