Ata rrezikuan jetën e tyre
Monika Shoshori STAFA
Shumë pak njerëz e dinë se mes shumë vendeve të pushtuara nga Rajhu i Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), vetëm në Poloni, ndryshe nga çdo vend tjetër në Europë, të gjithë ata të cilët ndihmonin në shpëtimin e jetëve të çdo hebreu, besimtar apo të lindur madje dhe gjysmë hebre, dënoheshin kategorikisht me vdekje. Ky njoftim u shpërnda gjerësisht në vend nga autoritetet pushtuese. Dhe çfarë e bën atë një dënim edhe më kërcënues ishte se më së shumti, ai iu imponua jo vetëm atyre që rrezikonin jetën tek shpëtonin hebrenjtë e frikësuar, por edhe familjarëve të tyre, fqinjëve. Nazistët në kësi rastesh, madje nuk kursyen as fshatra e qytete të tëra. Sepse gjermanët besonin në përgjegjësinë kolektive, dhe kështu nisën eliminimin e qindra polakëve e sllavëve njëherësh, duke i kthyer ata në popullsinë më të terrorizuar pas hebrenjve dhe ciganëve. *** Në nder të tyre, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të ambasadorit z. Marek Jeziorski, ditën e hënë, më datë 28 shtator, në orën 12:00, në Muzeun Historik Kombëtar çel ekspozitën me titull, “Ata rrezikuan jetën e tyre – Polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”. Çelja e kësaj ekspozite bëhet për të rrëfyer fenomenin e atyre që rrezikuan jetën e tyre në mbrojtje të hebrenjve. Aty pritet të ekspozohen historitë e tyre, portretet dhe motivimet, si në kontekstin historik, ashtu dhe në atë rrethanor, si dhe shkallën e nivelit të dhënies së ndihmës. Ekspozita është bazuar në një koleksion unik të dëshmive të atyre që gëzojnë titullin “Fisnikë mes Kombesh”, po aq sa dhe nga të mbijetuarit e Holokaustit.
Afërsisht tre milionë polakë të krishterë humbën jetën nga ekzekutimi, tortura, uria, apo punët e detyruara në më shumë se 2.000 burgje dhe kampe përqendrimi të ngritura gjatë Rajhut të Tretë. Në Poloni, pushtuesit përndoqën jo vetëm inteligjencën e vendit dhe kundërshtarët politikë të regjimit të ri, por të gjithë liderët e mundshëm të opozitës, duke përfshirë edhe fshatarët e thjeshtë.
Me miliona u dëbuan për në Gjermani me punë të detyruar. Qindra mijë hebrenj dhe polakë së bashku, u deportuan drejt provincave perëndimore, atje ku u ndërtua kampi i shfarosjes në Aushvic.
Pikërisht këtu, rreth 80.000 polakë u vranë. Më 22 gusht 1939, një javë para sulmit të ushtrisë së tij në Poloni, Hitleri nxiti popullin gjerman nën sloganin: “Vrisni pa mëshirë të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët polakë. Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të fitojmë hapësirën e nevojshme territoriale, për të cilën kemi nevojë”.
Në vitin 1988, Prokurori i Përgjithshëm, Waclaw Bielawski, nga Komisioni kryesor për Hetimin e Krimeve kundër polakëve, hartoi një listë me emrat e 1.181 polakëve që ishin ekzekutuar, sepse kishin ndihmuar në shpëtimin e jetës së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1997, një komision i ngritur nga Instituti i Kujtesës dhe Shoqata “Fisnikë mes Kombesh” në Varshavë, nxori në botim pjesën e tretë të serisë “Ata të cilët ndihmuan: Polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”. Publikimi përfshiu emrat e më shumë se 5,400 polakëve, të cilët u bënë të njohur nga Instituti “Yad Vashem” në Izrael.
Kontingjenti më i madh i atyre polakëve që shpëtuan hebrenjtë prej terrorit nazist, përfshinte shumëllojshmëri të gjerë individësh me profesione të ndryshme apo dhe aktivistëve të organizuar për këtë qëllim, si Irena Sendler (punonjëse sociale, e cila ka shërbyer gjatë rezistencës në Varshavë, duke shpëtuar 2.500 fëmijë hebrenj); Jan Karski (i cili u raportoi qarqeve ndërkombëtare mbi gjendjen e terrorit ndaj hebrenjve në Poloninë e pushtuar); Tadeusz Pankiewicz (farmacist nga Krakovi), Henryk Sławik (punonjës social); Rudolf Weigl (shkencëtar); Stefan Korboński (politikan), Motra Bertranda (murgeshë katolike); Eryk Lipiński (artist); Franciszek dhe Magdalena Banasiewicz (piktori dhe gruaja e tij); Irena Adamowicz (sportiste); Maria Kotarba (luftëtare e rezistencës); Józef dhe Wiktoria Ulma (familje fermerësh, vrarë së bashku me gjashtë fëmijët e tyre, sepse kish ndihmuar hebrenjtë); Leopold “Poldek” Socha (inspektor kanalizimesh, fshehu një grup hebrenjsh në një cep të largët në kanalizimet e Lvivit); dhe shkrimtari e aktivisti, Zofia Kossak-Szczuck.
Zakonisht ata që u ekzekutuan gjatë kohës që mbronin hebrenjtë, nuk e mbajnë titullin “Fisnikët”. Ata u vranë pothuajse me hebrenjtë që ata ushqyen, dhe që këtej pa dëshmitë e hebrenjve të shpëtuar për ta, nuk mund të provohej gjë. Shpëtimi i hebrenjve gjatë kohës së Luftës ishte një mision vërtet shumë i vështirë, pasi rreth 85% e hebrenjve të Polonisë, nuk e flisnin gjuhën polake dhe në shumë raste, hebrenjtë dalloheshin nga pamja e tyre.
Kështu jeta rrodhi dhe Polonia, nën regjimin e imponuar sovjetiko – komunist që zgjati nga 1948 deri në vitin 1989, shkëputet nga Perëndimi. Polakët humbën kontaktet me hebrenjtë që kishin shpëtuar, shumica e të cilëve u larguan nga vendi. Shumë polakë hebrenj u detyruan të ndryshonin identitetet nën pushtimin komunist, por edhe ata që u larguan jashtë vendit. Tanimë, dukej se me Perëndimin ishte e rrezikshme të ruaje korrespondencën.
Historitëefisnikëvejanënjë shembull i ndritshëmisakrificësmëvetëmohuese, që tejkalon madjenëheroizmine vet edhe heroizmin e tëgjithëushtarëvenë fushën e betejës, të cilët ne i përkujtojmë çdonëntor. Në fakt, detyra eushtarit është të luftojë; ainukmund të refuzojë, sepse aimbështetet nga një formacion i plotë ushtarak dhepërpjekjet e tijjanë kryesishttë kufizuara nëbetejatqë u dihet fillimi, por dhe fundi, qartësisht.
Atij i jepet madje dhe ushqim, furnizime në armë dhe gjithçka tjetër që ai ka nevojë. Por ata që shpëtuan jetë njerëzish në Shqipëri, Poloni e kudo ku ishin, nuk kishin asnjë ndihmë. Më së shumti të dëbuar nga fermat e tyre, fabrikat, bizneset, zyrat dhe madje edhe shtëpitë, praktikisht ata e kishin të pamundur të fitonin jetesën.
E që këtej ata nuk kishin asnjë detyrim ligjor të rrezikonin jetën e tyre dhe mbi të gjitha të familjeve apo fqinjëve. Ndihma e tyre ndaj këtyre jetëve, shpesh zgjati me ditë dhe net, javë, muaj e vite, gjithmonë në fshehtësi e gjithmonë në rrezik drejt zbulimit.