Ambasadori izraelit Rodkin, në Fier për bashkëpunim në agrokulturë
Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin, gjatë një vizite në qytetin e Fierit, vizitoi nga afër iniciativat private, për të strukturuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, agrokulturës, etj.
Ambasadori Rodkin u shpreh i gatshëm që të shtrijë bashkëpunimin edhe në nivel sipërmarrësish, duke nxitur zhvillimin e agrokulturës dhe menaxhimit të ujërave, nëpërmjet sjelljes në Fier të një teknologjie të re e të avancuar.
Gjatë vizitës së tij në Fier, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin u prit në një takim edhe nga Kryetari i Bashkisë, Armando Subashi. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të forcimit të miqësisë mes dy vendeve tona, duke synuar gjithashtu, shtrirjen e një bashkëpunimi në fushën e investimeve.
Kryetari i bashkisë Armando Subashi ka bërë një pasqyrë të detajuar rreth tipologjisë së rajonit të Fierit si dhe mundësive dhe përgjegjësive të Bashkisë Fier, pas ndarjes territoriale.
Ambasadori Boaz Rodkin u shpreh për zgjerimin e iniciativave izrealite në fusha të ndryshme, ku Fieri do të jetë epiqendra e këtyre iniciativave, kryesisht në fushën e agrokulturës, menaxhimit të ujërave etj.
Kjo ishte vizita e parë në Fier e ambasadorit të Izraelit në Tiranë, e cila shumë shpejt do të pasohet me një tjetër vizitë më të sktruktruar, ku ambasadori Boaz Rodkin do të shoqërohet nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, të cilët do të shikojnë konkretisht mundësitë reale të bashkëpunimit.
Pas takimit zyrtar në Bashki, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Armando Subashi, vizitoi edhe Muzeun Historik të qytetit.
Balkanweb