“Java e filmit izraelit në Kosovë”, me mesazhe miqësie
Nën organizimin e “Bashkësisë Hebraike – Bet Israel Kosova” në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd
Një rrëfim për shkretëtirën shpirtërore të një çifti i cili është në prag të ndarjes, hapi edicionin e shtatë të “Javës së filmit izraelit në Kosovë”.
Ky film i shkurtër i regjisores së re Tamar Goren i parapriu kësaj ngjarjeje, e cila nisi të martën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe do të përfundojë të enjten, shkruan sot “Koha Ditore”. Nën organizimin e “Bashkësisë Hebraike – Bet Israel Kosova” në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd, “Java…” sivjet vjen me katër filma, fitues të çmimeve të shumta nëpër festivale në ndryshme nëpër botë.
“Restaoration” i regjisorit Joseph Madmoni i realizuar në vitin 2011 është njëri prej tyre dhe ka marrë çmime në Festivalin e Filmit në Jerusalem, në “Sundance Film Festival”, “Karlovy Vary” dhe të tjera.
Më pas vjen filmi “Human Recourses Menager” i realizuar në vitin 2010 nga regjisori Eran Riklis, një tragjikomedi e përqendruar në një menaxher i cili përpiqet që ta ruajë reputacionin e biznesit në përpjekje për t’i ikur një afere me media me të cilën përballet.
I fundit në program është “Viti Zero” me regjisor Joseph Pitchhadze, një film i cili është fitues i akademisë së Izraelit dhe flet për një agjent të patundshmërive që e ka gruan në prag të lindjes. Në depresion ai thur disa tregime që bëhen katalizator i ngjarjeve në jetën e të tjerëve në Tel-Aviv.
Këta tre filma të metrazhit të gjatë janë kryesorët në kuadër të kësaj jave të filmit.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj jave, në mesin e mysafirëve, ishte edhe regjisorja Goren. Kanë qenë mesazhet e miqësisë ato që kanë mbizotëruar në fjalime./gazetaexpress.com