60 mijë mbështetës të Izraelit në Marshimin e Jerusalemit
Dhjetëra mijëra njerëz nga Izraeli edhe mbi 80 vende të botës marshuan në zemër të Jerusalemit për festën hebraike të njohur si “Sukkot”.
Marshimi i Jerusalemit (“Jerusalem March”), i cili çdo vit mbledh mijëra mbështetës pro-izraelitë, përshkoi zemrën e kryeqytetit.
Bashkia e Jerusalemit tha se më shumë se 60 mijë veta morën pjesë, të cilët përfaqësonin më shumë se 80 vende.
Marshuesit, shumë prej tyre nga grupet kristiane, mbanin flamuj të Izraelit dhe të vendeve nga vinin ata, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Korenë e Jugut, Kinën dhe Angolën.
Kryetari i Bashkisë së Jerusalemit, Nir Barkat, tha se marshimi ishte “më emocionues se çdo herë tjetër”, pasi zhvillohet në Izrael në përvjetorin e 50-të të bashkimit të Jerusalemit, qysh kur Qyteti i Vjetër dhe Jerusalemi Lindor u bë pjesë e Izraelit në vitin 1967. (d.f/IzraeliSot)