Shqiptarët dhe hebrenjtë – një histori e pastër humanizmi



Nga Monika  Stafa

Përvoja i ka mësuar të jenë herë të ashpër e herë dashamirës deri në engjëj, që falin çdo  gjë dhe nuk diskriminojnë askënd.

Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk dinë të jenë dhe racistë. Por ata nuk janë racistë pa arsye.

Ata janë racistë kundër pushtuesit. Racizmi kundër pushtuesit është një formë qëndrese.

Një qëndresë ndaj një perandorie që të shtyp ditë e natë dhe që ti guxon ta përçmosh deri në përbuzje”.

 

Ismail Kadare

Sjellja shqiptare (popull, qeveritarë, klerikë fetarë, forca politike dhe ushtarake) ndaj hebrenjve filloi të bëhej e njohur përtej kufijve të Shqipërisë pas vitit 1990, kur kongresmeni amerikan Tom Lantos (një hebre hungarez që i pat mbijetuar holokaustit) dhe ish-kongresmeni amerikan me origjinë shqiptare Joseph DioGuardi vizituan Tiranën.

Gjatë vizitës, atyre iu dhuruan një koleksion dokumentesh, kryesisht lista të hebrenjve të ardhur nga vende të Europës Qendrore dhe që patën gjetur shpëtim në Shqipëri.

Tom Lantos dhe ish- kongresmeni Joseph DioGuardi ishin zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas plot pesëdhjetë vitesh. Presidenti i atëkohshëm Ramiz Alia, i dorëzoi Tom Lantosit, të mbijetuarit nga Holokausti, një dosje të plotë të panjohur më parë, ruajtur me fanatizëm në arkivat shqiptare; dokumente, lista emrash, letra personale, fotografi, copa të prera gazetash dhe të tjera të dhëna të papublikuara më parë që faktonin veprën heroike të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë L.II.B.

Me t’u kthyer në SHBA, DioGuardi i dërgoi këto materiale në Izrael. Më pas ato iu nënshtruan një procesi verifikimi nga Autoriteti Përkujtimor i Martirëve të Holokaustit në Yad Vashem. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur. Gjurmët e provave ekzistojnë në qytetet dhe fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit apo dhe Gjirokastrës etj.

Me qindra u larguan nga Europa në drejtim të Shqipërisë dhe rajoneve shqiptare, sepse ata e dinin se atje nuk do të persekutoheshin as nga njerëzit dhe as nga qeveria. Ka kaluar më shumë se 70 vjet që nga koha kur L.II. B. përfundoi dhe studimi i Holokaustit po kthehet gjithnjë e më shumë në një disiplinë shkencore të mirëfilltë edhe në Shqipëri. Është bërë e njohur ndërkombëtarisht tashmë se numri i hebrenjve që gjetën shpëtim në Shqipëri shkon më shumë se 2.270.

Sipas disa përllogaritjeve, shifra e qartësuar me shtesat prej “pjesës së fshehtë”, që nuk gjendet në listat emërore, duhet ta çojë numrin e hebrenjve të shpëtuar deri në 3.240. Ndërmjet viteve 1933 dhe 1944, Shqipëria në juglindje të Evropës shpëtoi jo vetëm hebrenjtë e vet, por edhe çdo hebre që mund të arrinte në kufijtë e saj. Ata nuk u dëbuan dhe as nuk u dorëzuan. Hebrenjtë nuk u grabitën dhe askush nuk e mori pasurinë e tyre. As edhe një ligj zyrtar nuk i shqetësoi ata. Studimi dhe kërkimi i listave të tjera të hebrenjve të shpëtuar vazhdon ende.

Kush i shpëtoi hebrenjtë? Dilemat mes kodit etnozakonor shqiptar dhe vullnetit për të shpëtuar ‘tjetrin’ në rrezik

Gjatë dy dekadave të fundit, opinioni publik dhe ai shkencor ka treguar një interesim të shtuar për këtë pjesë historie. Por së bashku me trajtimet shkencore, pati edhe qasje neoekzotike lidhur me kultin e Besës apo ndryshe Kodin e Nderit. Studiuesi dhe etnologu Nebi Bardhoshi, mendon se ka dy grupe studiuesish kur argumenton mbi këtë çështje. Një grup, i cili mendon se shqiptarët janë pragmatistë dhe pragmatizmi sipas tij ka nuanca të ndryshme. Në këtë kontekst shqiptarët mund të quhen si njerëz pa ideale, si njerëz të veprimit dhe jo të ideve, si jo besimtar dhe mbi të gjitha materialistë. Në krahun tjetër, qëndron një grup studiuesish, të cilët ndërtojnë një tjetër profil të sjelljes së shqiptarëve lidhur me Kodin e Nderit. I përkrahur kryesisht nga filo-shqiptarë ky lloj profili, e paraqet njeriun shqiptar para së gjithash me një mori vlerash.

Prej këtu, pranohet se ata kanë disa zakone jo të mira, por dominohen prej një sjellje me akte vlerore. Pjesë e kësaj “kozmologjie albanologjike”, sipas Bardhoshit është ideja e mikpritjes dhe e Besës. Kodi, në të cilin besohet se vjen statusi më origjinal i Besës dhe i mikpritjes është atje ku vepron e drejta zakonore. Veç autorëve vendas, këtij shpjegimi i përmbahet edhe studiuesi hebreo-amerikan Harvey Sarner si dhe Muzeu i Historisë së Holokaustit në Yad Vashem, i cili shqyrton rastet dhe bën shpalljen zyrtare të fisnikëve johebrenj. Në të njëjtën mënyrë është organizuar edhe ekspozita e fotografit hebre Norman Gershman “Besa: Kodi i Nderit – Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”, një ekspozitë që ka qarkulluar deri tani, gati në një të tretën e botës. Si pjesë themelore e Kanunit, ky Kod është shumë i vjetër në mesin e shoqërisë shqiptare.

Bazuar aty, shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut në çdo orë të ditës dhe të natës. Për fatin e mirë të refugjatëve hebrenj që kërkonin strehim në mesin e shqiptarëve – shumë prej të cilëve ishin myslimanë – ‘mysafiri’ i porsardhur në vend do të ishte një mysafir po aq i mirëpritur edhe në shtëpinë e tij. Kodi i Besës, sipas disa studiuesve të huaj ndikoi te shqiptarët e feve të ndryshme për t’u siguruar hebrenjve të rrezikuar, strehë të fshehtë gjatë atyre viteve të vështira të terrorit nazist. Në veprën e tij “Shpëtimi në Shqipëri”, Harvey Sarner shkruan se në Kanun nuk ekziston koncepti modern i perëndimit për “të huajin”, ndërsa flitet për një koncept tjetër, ai i “mysafirit”. Prandaj, gjatë L.II.B. në Shqipëri nuk kishte hebrenj “të huaj”, por vetëm hebrenj “mysafirë“, që duhej të strehoheshin dhe të mbroheshin edhe duke rrezikuar jetën.

Eksperienca historike dëshmon një bashkëjetesë pa komplekse dhe të zhveshur nga superioriteti apo inferioriteti mes shqiptarëve dhe hebrenjve për më shumë se 2000 vjet. Lehtësirat që gjetën në shtetin shqiptar hebrenjtë nxitën lëvizje të dukshme të hebrenjve të këtij vendi. Studiuesi francez Patrice Najbor, i cili është marrë me studimin e kësaj çështjeje shprehet se hebrenjtë në Shqipëri kishin gjithë autoritetin zyrtar të mbrojtjes veç traditës zakonore që tek shqiptarët e gjen edhe sot, traditën e mikpritjes. Kodi i mikpritjes ka bërë të vetën, ai ishte shfaqur dukshëm. Shqiptarët e kanë konsideruar si detyrë që të mbrojnë dhe të fshehin hebrenjtë që i ikin persekutimeve, në një kohë kur kombe të mëdha europiane i largonin, – shprehet ai në një bashkëbisedim.

Që një i huaj të entuziazmohet prej kulteve shqiptare tradicionale, kjo nuk përbën më ndonjë çudi, por shqiptarëve u takon të jenë më realistë. Është e vërtetë dhe lehtësisht e faktueshme se ka një lloj konvergjence në sjelljen e shqiptarëve ndaj hebrenjve. Ata janë ndihmuar si prej myslimanëve ashtu dhe nga të krishterët; si prej antifashistëve ashtu edhe prej profashistëve; si prej partizanëve ashtu dhe prej ballistëve; si prej të pasurve ashtu dhe prej të varfërve; si prej popullit ashtu dhe prej autoriteteve qeverisëse. Pa nënçmuar aspak virtytet e larta tradicionale të popullit shqiptar, argumentimi i çështjes duke u bazuar vetëm mbi të drejtën etnozakonore është i pamjaftueshëm.

Nëse e vendosim çështjen në kontekstin e vet historik mund të argumentojmë se nuk ishte vetëm “Kodi Besa” që i shpëtoi hebrenjtë në Shqipëri. Një tjetër studiuese franceze, prof. Claire Lavoine, ka një qasje tjetër sa i përket fenomenit ‘të shpëtuar në Shqipëri’. Ajo shpjegon se kjo sjellje e shqiptarit ndaj një të huajit nuk del si sjellje individuale, por si një sjellje e pashembullt e një populli ndaj një tjetri në rrezik. Ja si e përshkruan ajo këtë pjesë të reflektimit të saj. “….kuptova se ai që quhet “Kod i Nderit” në romanin e N. Tozajt nuk kishte asgjë apologjike dhe deklarative. ‘Kodi i Nderit’ ishte pashmangshmërisht një faktor kushtëzues i sjelljes së shqiptarëve ndaj të huajve, sidomos ndaj të huajve në rrezik”.

Por dilemat se Kodi Besa, t’i ketë udhëhequr shqiptarët drejt sjelljes së tyre të virtytshme për të shpëtuar tjetrin në rrezik mbeten ende si prova të një dëshmie të gjallë historike që vjen prej së kaluarës së largët. Sigurisht studiues të shumtë me pikëpamje romantiko-nacionaliste shkojnë deri aty sa përdorin termin “sjellje etnozakonore” për këtë qëndrim të shqiptarëve, të tjerë përdorin termin “etnotip”, por a është vetëm Kodi Besa, ai që i udhëhoqi shqiptarët për të ndihmuar tjetrin në rrezik ? Cila është në të vërtetë qasja e marrëdhënieve të shqiptarëve me të huajt në kalvarin e etapave të ndryshme historike? Studiuesit e huaj pohojnë se të devotshmit janë një grup i shumëllojshëm dhe i vetmi emërues i përbashkët i vlerave të tyre janë humanizmi dhe guximi, që shfaqet duke mbajtur lart parimet e tyre morale.

Nechama Tec, një studiuese amerikane e Holokaustit me origjinë hebreo- polake, e cila ka studiuar shumë raste të fisnikëve, gjatë kërkimeve të saj ka grumbulluar një grup karakteristikash dhe veçorish, bazuar mbi etnitete të ndryshme. Kjo vlen dhe për rastin Shqipëri. Sipas saj pavarësia në shpirtin libertin të shqiptarit dhe të shpëtuesit në përgjithësi, u bëri atyre të mundur të vepronin në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e pushtuesit. Etnologu Nebi Bardhoshi ka një qasje krejt tjetër sa i përket respektimit të rreptë të kodit zakonor të shqiptarëve për të shpëtuar tjetrin në rrezik. Ai shpjegon se Besa dhe mikpritja nuk janë ekskluzivisht institute apo tipare të së drejtës zakonore.

Fusha e veprimit të këtyre institucioneve, fushë e cila është shumë herë më e gjerë se sa ajo e së drejtës zakonore të mbledhur e tregon hapur këtë përvojë. Bardhoshi argumenton se Besa dhe mikpritja në qasjen moderne të disiplinës së etnografisë, nuk kanë kufij etnikë. Ndërkohë, një kod etik, të themi epik, i shtrirë në të gjithë sferën ku hebrenjtë dhe të huaj të tjerë kanë vepruar, është i pranishëm dhe po aq në veprim. Ky kod epik mbi të huajin ka të bëjë shumë me imazhin e tij, që për sytë e të gjithëve mbetet njëherazi i huaj po aq edhe i dobët. Le të vijmë tek hebrenjtë, shpjegon ai më tej.

Mund të përmendim plot raste ku hebrenjtë janë shtrënguar të islamizohen nën peshën e akuzave si shkaktarë të murtajës gjatë shekujve nëpër histori. Por trajtimi i të dobëtit, i të huajit apo dhe i njerëzve në nevojë, në kodin shqiptar të pashkruar të mikpritjes është shënuar njëherazi, si një akt epik apo njerëzor dhe mbi të gjitha si një detyrim ndaj hyjnores. Pikërisht këtu gjen shpjegim edhe sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve të rrezikuar, pa pasur nevojë që të kemi për referencë mikpritjen apo kodin zakonor të tyre. Shtëpia në mentalitetin e shqiptarit ka statusin e saj specifik. Edhe kur ajo është bosh, në psikologjinë e sjelljes së tij (shqiptarit) ajo krijon mbrojtje dhe strehim të sigurt, ndaj ai që hyn brenda saj, çdokush madje duhet të ndihet jashtë çdo rreziku. Sa i takon çështjes apo përdorimit të termit “humanizëm”, sipas tij, ia vlen të artikulohet si i tillë, por njëherazi shqetësimi teorik në këtë rast, nuk është për të dëshmuar nëse është apo jo humanizëm, por se çfarë trajte ofrohet në këtë humanizëm.

Cili është në të vërtetë burimi i frymëzimit të kësaj sjelljeje?

Nuk mjafton vetëm tradita e mikpritjes apo e besës në këtë sjellje të denjë të shqiptarëve ndaj hebrenjve, apo thjesht statusi i të huajit. Shoqëria shqiptare nuk duhet të analizohet vetëm nëpërmjet kodit të të ashtuquajturës “etno-kulturë”. Analiza e sjelljes kulturore pa raportin me pushtetin, pra, pa marrëdhëniet politike në veprim, do të ishte së pari, e mangët dhe së dyti jo e drejtë. Kjo lloj marrëdhënie kaq unikale me të huajin në rrezik mbetet një çështje studimi jo vetëm në disiplinën e historisë, por dhe atë etnografike e antropologjike. Jo vetëm se çdo jetë e rrezikuar hebreu shpëtoi në Shqipëri gjatë kohës së Holokaustit, por,  gjithashtu, sepse numri i hebrenjve, të cilët u arratisën nga Europa dhe u vendosën në Shqipëri, u dyfishua edhe më shumë gjatë L.II.B. Shqiptarët i kanë njohur të gjitha sëmundjet e kohës, shprehet shkrimtari ynë Ismail Kadare në një intervistë të tijën. Sipas tij shqiptarët duke qenë se janë një popull që kanë vuajtur nën thundrën e pushtuesit për qindra vjet e kuptojnë mirë se ç’do të thotë rezistencë ndaj armikut. Ata e kuptojnë psikologjikisht çfarë ndodh me tjetrin kur ai është në rrezik. “Përvoja i ka mësuar të jenë herë të ashpër e herë dashamirës deri në engjëj, që falin çdo  gjë dhe nuk diskriminojnë askënd. Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk dinë të jenë dhe racistë. Por ata nuk janë racistë pa arsye. Ata janë racistë kundër pushtuesit. Racizmi kundër pushtuesit është një formë qëndrese. Një qëndresë ndaj një perandorie që të shtyp ditë e natë dhe që ti guxon ta përçmosh deri në përbuzje”.

Hebrenjtë si pjesëmarrës në luftë

Të dyja organizatat politike, edhe pse me bindje të kundërta politike i mbrojtën hebrenjtë dhe madje i strehuan në shtëpitë përkatëse të njerëzve të tyre, nacionalistë apo komunistë. Si për hebrenjtë ekzistues ashtu dhe për të ardhurit, provohet në rrugë dokumentare se organizatat politike si Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar, megjithëse në konflikt me njëra- tjetrën, patën të njëjtin qëndrim. Në ditarin e dëshmorit Kristaq Tutulani, vetëm pjesërisht i botuar, gjatë gjithë periudhës 6 mujore që ai mbajti shënime si veprimtar i qarkorit të Partisë Komuniste (janar – qershor 1943), disa herë flitet për të ngarkuarin me punë me hebrenjtë, për këta njerëz që duhet të merreshin në mbrojtje si civilë, por dhe me mobilizimin e tyre vullnetar në luftën antifashiste. Ndërsa Sejfi Protopapa në kujtimet e tij, shkruan për ngjarje dhe njerëz konkretë, personalitete historike të të dy kaheve politike që bashkërisht punuan për të lehtësuar mbrojtjen e hebrenjve prej shfarosjes përfundimtare megjithëse i përkisnin bindjeve të ndryshme politike apo besimeve fetare të ndryshme.

Për periudhën e pushtimit gjerman të Shqipërisë, autorë të ndryshëm kanë përmendur dy raste kur hebrenjtë janë arrestuar nga nazistët. Rasti i shumëpërfolur është ai i familjes Arditi, në qytetin e Shkodrës me gjashtë anëtarë. Emri i tij gjendet në listën e shpallur “dëshmorë” të atyre hebrenjve që morën pjesë aktive në luftë si komunistë apo dhe si partizanë. Bazuar në kërkimet tona, ky rast nuk lidhet me arrestimin e tyre si hebrenj, sepse dëshmitarë të kohës tregojnë se Arditët kishin ndërruar fe dhe ishin kthyer në orthodoks. Kapja dhe deportimi i tyre për në kampet e përqendrimit ka të bëjë me prirjet komuniste të Dario Arditit, i cili kish fituar bindje të tilla, që kur Shqipëria ishte pushtuar nga Italia fashiste. Hebrenjtë e rrezikuar nuk qëndruan të gjithë të fshehur në pritje të çlirimit nga rreziku nazist. Kishte dhe nga ata që u rreshtuan kundër pushtuesit të huaj në Shqipëri, kryesisht ata që quheshin ndryshe hebrenjtë rezidentë meqenëse territorin shqiptar e njihnin më mirë. Në arkivin e PPSH-së në D.P.A. Tiranë, gjendet një letër drejtuar Kom. të PKSH të qarkut Berat, përkatësisht shokut “malësori” nga shoku Buna, ku njoftohet se nga studimi i raporteve mbi jetën sociale të hebrenjve që gjenden të internuar në Berat, kuptohet se “rinia hebraike e internuar në këtë qytet nuk e pranon regjimin fashist duke propozuar madje dhe organizimin e tyre në luftë kundër pushtuesit të huaj”. I pari që pati përmendur pjesëmarrjen e një numri hebrenjsh në luftën antifashiste të popullit shqiptar është Samuil Mandil, i cili në një artikull të botuar në të përditshmen “Bashkimi” në vitin 1945, propozoi që pesë hebrenjtë që kishin humbur jetën në luftë si David Kohen, Jakov Avramovic, Jusuf Konforti, Jusef Bivas, Zhak Ruben të shpalleshin dëshmorë të popullit shqiptar. Në masën që kemi mundur të kontrollojmë këto burime, rezulton se pjesëmarrja e hebrenjve në luftën antifashiste, është më e madhe sesa dokumentet arkivalë regjistrojnë.

Si përfundim, përgjigja e shqiptarëve për të ndihmuar hebrenjtë në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania ishte shembullore, lëvizjet e hebrenjve për në thellësi të territorit shqiptar morën një karakter të organizuar. “Këshillat çlirimtare kombëtare” kontribuuan në lëvizjen e tyre nga një vendbanim, në një tjetër duke u fshehur nën petkun e kostumeve tradicionale të shqiptarëve apo duke i pajisur ata, me dokumente false. Por duhet theksuar se edhe në këto rrethana të vështira, ndihma ishte e ndërsjellë. Të rinjtë hebrenj kontribuuan për çlirimin e Shqipërisë, ata iu bashkuan njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pjesëmarrja e tyre provohet në ditarët e luftës së emisarëve politikë të batalioneve partizane si; në Fier dhe Berat. Disa prej tyre në luftën kundër okupatorit të përbashkët nazifashist humbën jetën duke u renditur si dëshmorë të një atdheu të përbashkët me vendasit. Ata ishin David Juda Kohen, Jakov Avramoviç, Jusef Solomon Konforti, Jusef David Bivas, Zhak (Isak) Emanuel Ruben, Leo Tyjeri, Jakov Josef Bahar, Baruh Isak Baruh dhe Dario Zhak Arditi. Në shkrimin e botuar vetëm disa ditë pas çlirimit  të Shqipërisë prej okupatorit të huaj, bashkëkombësi i tyre S. Mandil, shkruante “Lavdi të përjetshme këtynë djaloshave trima që dhanë jetën e tyne të re për lirin e popullit shqiptar, që e meritoi plotësisht këtë sakrificë”.

Lexo më shumë

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit