Klosi për mediet izraelite: Brenda 5 vitesh, 60 mijë turistë nga Izraeli
Suksesi i turizmit vitin e kaluar në Shqipëri do të përsëritet me numra sërish në rritje, kësaj radhe falë zgjerimit të ofertës turistike në tregje të reja si Izraeli. Kjo është ajo çfarë ka deklaruar ministri i Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një interviste për median izraelite “Passport”.
“Qëllimi ynë është që brenda tre viteve të trefishojmë numrin e turistëve dhe brenda 5 viteve ta dhjetëfishojmë, gjë që do të thotë 60. 000 turistë izraelitë që do të vizitojnë Shqipërinë. Nuk kemi dyshim se numrat do të ngrihen kur izraelitët të fillojnë të njohin vendin tonë, bregdetin e mrekullueshëm prej 400 km, natyrën që të impresionon me bukuritë e saj, vizitat në vendet historike dhe kulinarinë e veçantë”, tha Klosi.
Ministri ndodhej në një vizitë në këtë shtet për të inauguruar linjën e re ajrore Tiranë-Tel Aviv, e cila do të operojë me dy fluturime në javë duke nisur nga muaji Prill.
I pyetur nga media izraelite mbi mungesat e personelit të sigurimit të IsraAir, Klosi garantoi se ky problem do të zgjidhet, pasi ka vullnet të përbashkët për funksionimin e linjës së re.
“Bisedova dje në panair me ministrin izraelit të turizmit, Jariv Levin dhe patëm një bisedë të mirë e të frytshme, në të cilën ai premtoi se ky problem do të zgjidhet. Ekziston një interes i përbashkët për të dyja palët për promovimin e linjës Tel Aviv- Tiranë-Tel Aviv, që do të ketë ndikim të rëndësishëm në lëmin e turizmit, ekonomisë dhe shoqërisë. Kam besim në palën izraelite dhe shpresoj se hapja e linjës do të jetë një hap përpara në marrëdhëniet Izrael-Shqipëri”, u shpreh Ministri shqiptar i Turizmit.
Më tej, Klosi foli për mundësitë që ofron Shqipëria për turistët, që përfshin edhe çmimet e lira dhe mikpritjen e njerëzve.
A.H./SCAN