15 mld USD gaz nga Izraeli, presidenti egjiptian: Përmbushëm një ëndërr
Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fatah el-Sissi, përshëndeti marrëveshjen 15 miliard dollarësh të furnizimit me gaz natyror nga ana e Izraelit, duke e konsideruar si “realizimin me sukses të një pune katërvjeçare”.
Kompania egjiptiane Dolphinus Holdings nënshkroi marrëveshjen me Delek Drilling LP dhe Noble Energy Inc. për furnizimin me gaz për një periudhë 10-vjeçare, me gati 64 miliard metër kub gaz natyror, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Duke folur në hapjen e qendre investimesh, presidenti egjiptian Abdel-Fatah el-Sissi tha se, marrëveshja promovon vizionin e shndërrimit të Egjiptit në një hub rajonal të energjisë.
“Është diçka që ne e kishim ëndërruar katër vitet e fundit”, citohet el-Sissi nga portali izraelit “Globes”.
Ministri i Energjisë së Izraelit, Yuval Steinitz, pohoi se vendi i tij është i gatshëm të eksportojë gaz në Europë me tubacione përmes Qipros, Greqisë dhe Italisë.