SHBA nderon me çmim Edi Ramën, për ruajtjen e Kujtesës së Holokaustit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u nderua sot në Shtëpinë e Bardhë me një çmim të veçantë, “ÇMIMI PËR PLURALIZMIN KULTUROR”, për angazhimin e ruajtjen e Kujtesës së Holokaustit.
Pllakata iu dorëzua nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.
“Një surprizë e posaçme ceremonia e marrjes sot, në Shtëpinë e Bardhë, të “ÇMIMIT PËR PLURALIZMIN KULTUROR”, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.
Çmimi për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike, një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë që rrezaton gjithnjë e kudo me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, shkruante Kryeministri shqiptar në faqen e tij në Facebook.