75-vjetori i deportimit të hebrenjve në Treblinka, Maqedonia dënon Holokaustin
Në mëngjesin e 11 marsit të vitit 1943, 131 familje nga Shtipi u dërguan me forcë në ish-Monopolin në Shkup, ku më 25 mars të vitit 1943 me vagon transportues u depërtuan në kampin nazist Treblinka.
Për deportimin e hebrenjve nga Shtipi sot në Këshillin e Komunës së Shtipit u mbajt një seancë përkujtimore në kuadër të kremtimit të 75- vjetorit të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë, shkruan portali Lajmpress.com, që botohet në Maqedoni në gjuhën shqipe.
Aty morën pjesë përfaqësues të Bashkësisë Hebraike në Republikën e Maqedonisë, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, Vladimir Milloshev, Kryetari i komunës të Shtipit, Blagoj Boçvarski, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, këshilltarë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shtipi.
“E dënojmë Holokaustin, e dënojmë mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, si dhe të gjitha format e gjenocidit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut siç janë antisemitizmi, diskriminimi, gjuha e urrejtjes, ksenofobia, racizmi. Ne të gjithë duhet të kujtojmë se çdo viktimë nuk është vetëm numër, por ka emrin e vet. Maqedonia humbi një pjesë të madhe të kulturës së saj me vdekjen e 98 përqind të popullatës hebraike”, tha kryetari i komunës Boçvarski.
Pepo Levi nga Bashkësia Hebraike në Republikën e Maqedonisë përkujtoi se Maqedonia humbi 7 144 hebrenj në Treblinka – hebrenj nga Shtipi, Manastiri dhe Shkupi, të cilët më asnjëherë nuk i kanë parë qytetet e tyre të lindjes përsëri.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Maqedonia u dëbuan 7.144 hebrenj dhe u dërguan në kampin e vdekjes Treblinka në Poloninë e pushtuar. Grumbullimi i hebrenjve prej disa qyteteve në të gjithë Maqedoninë filloi natën ndërmjet 10 dhe 11 marsit të vitit 1943, ku më pas ata u sollën në Shkup në ndërtesën e monopolit./Izraeli Sot/