Intel dhe Mobileye zbulojnë makinën e parë autonome me teknologjinë izraelite
Makina përfshin 12 kamera, radarë, skanera lazer dhe teknologji informacioni
Intel dhe Mobileye zbulojnë makinën e parë autonome. CEO i Intel Corp., Brian Krzanich në Consumer Electronics Show (CES) 2018 në Las Vegas zbuloi makinën e parë autonome të menaxhuar me teknologjinë e zhvilluar nga kompania izraelite Mobileye.
Teknologjia e jashtëzakonshme e Mobileye përpunon informacionin që makinat “shohin” në sajë të disa kamerave dhe sensorëve.
Makina përfshin 12 kamera, radarë, skanera lazer dhe teknologji informacioni të zhvilluara nga Mobileye dhe Intel. Ekzistojnë tri kamera me rezolucion të lartë në pjesën e përparme të makinës që mundësojnë një fushëpamje prej 180 gradë dhe procesori i imazhit të makinës mund të shohë deri në një distancë prej 300 metrash.
Në fjalën e tij, Krzanich njoftoi gjithashtu se 2 milionë automjete BMW, Nissan dhe Volkswagen do të përdorin Road Experience Management (REM) të Mobileye për të mbledhur të dhënat e nevojshme për të ndërtuar dhe azhornuar hartat me kosto të ulët dhe definicion të lartë.
Në mars të vitit 2017, të dy kompanitë ishin në qendër të vëmendjes, sepse Intel bleu Mobileye me vlerë midis 14 miliardë dhe 15 miliardë dollarë, duke e bërë atë marrëveshjen më të madhe në historinë e teknologjisë së lartë izraelite.