“Mbreti i fëmijëve të botës”, vjen në shqip vepra e autorit Janusz Korczak
Autori hebre Janusz Korczak vjen në shpi me librin e tij “Mbreti i fëmijëve të botës”. Në promovimin e librit organizuar nga Ambasada e Izraelit dhe ajo e Polonisë në vendin tonë merrnin pjesë personalitete të politikës, studiues, historianë, e më gjerë.
Nga Julia Vrapi, Gazeta Sot
Autori hebre Janusz Korczak vjen në shpi me librin e tij “Mbreti i fëmijëve të botës”. Në promovimin e librit organizuar nga Ambasada e Izraelit dhe ajo e Polonisë në vendin tonë merrnin pjesë personalitete të politikës, studiues, historianë, e më gjerë.
Gjatë promovimit përshëndetën dhe ambasadori i Izraelit në vendin tonë z. Boaz Rodkin si dhe ambasadori polak z. Dariusz Karol Bachura. Romani vjen në shqip përkthyer nga Astrit Beqiraj. Në fjalën e tij përkthyesi Beqiraj vlerësoi autorin Janusz Korczak, dhe u shpreh se shtysa e parë për këtë përkthim ka qenë emri i njohur i autorit, një figurë e vlerësuar jo vetëm në Poloni, por në mbarë botën. Një autor i cili edhe pse ka pasur fatin e tij tragjik që vdiq në kampin e përqendrimit në Luftën e Dytë Botërore, aktivitetin e tij e fokusoi në ndihmë të fëmijëve.
“Që të nisja punën me këtë libër, shtysa e parë ka qenë portreti i autorit që është një figurë që vlerësohet shumë jo vetëm në Poloni, por në mbarë botën, dhe ka pasur një fat tragjik. Ka shkuar bashkë me fëmijët e jetimores në Treblink në kampin e përqendrimit, dhe aty i kanë dhënë fund jetës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe tërë aktivitetin e tij në dobi të fëmijë e ka zhvilluar në geton e Varshavës, ku ishin grumbulluar hebrenjtë polakë në kohën e pushtimit të Polonisë nga Gjermania naziste, ai tërë jetën e tij ia kushtoi fëmijëve. Ngriti jetimoren me forcat e tij, ishte mjek që kujdesej për fëmijët, kishte një program radiofonik për fëmijët dhe i ndihmonte me të tërë format duke futur dhe ushqimin e trajtimin”, pohon përkthyesi. Libri botim i “Uegen” që vjen në shqip për lexuesit nga Astrit Beqiraj është një nga veprat më të njohura të autorit Korczak. “Nuk ka shkruar shumë letërsi dhe ka botuar vetëm 4 libra, dhe ky ndoshta është më i miri. Një ndër veprat më të njohura të autorit hebre. Në thelb libri është nga perspektiva e një fëmije, mund ta quash libër politik, por gjithmonë perspektiva e një fëmije dhe e parimet e qeverisjes. Heroi i librit Matius bëhet mbret që në moshën 10 vjeç, në një moment që nuk dinte as shkrim dhe këndim, por megjithatë falë karakteristikave të tij e arriti ta organizonte”, pohon për librin përkthyesi Beqiraj.
Korczak luftoi për të drejtat e fëmijëve
Janusz Korczak u lind me emrin Henryk Goldschmidt në një familje të kamur hebrejsh të asimiluar në Varshavë. Goldschmidt-ët asnjëherë nuk u shkëputën nga hebraizmi dhe jetonin me besimin, se mund të jesh njëkohësisht hebre dhe polak. Këtë bindje kishte edhe Janusz Korczak. Ai studioi mjekësi dhe më vonë u bë një mjek pediatër i njohur. Mjeku i ri nisi të shkruajë romane për fëmijë. Me emrin Janusz Korczak, që ai e mbajti si pseudonim, ai fitoi një konkurs letërsie. Janusz Korczak pediatër dhe pedagog, autor librash për fëmijë dhe luftëtar për të drejtat e fëmijëve në 1942 shoqëroi vullnetarisht në kampin e shfarosjes jetimët nga jetimorja e getos së Varshavës. Më 5 gusht 1942 herët në mëngjes ushtarët SS zbrazën jetimoren e drejtuar prej Janusz Korczak në geton e Varshavës. Ai i drejtonte të 200 fëmijët e marrë në mbrojtje në sheshin Verlade, prej nga ata u deportuan për në Treblinka. Mjeku polako-hebre ndonëse kishte mundësinë t’i shpëtonte vdekjes, i refuzoi të gjitha ofertat për ndihmë nga të njohurit dhe miqtë, sepse ai nuk donte t’i linte fëmijët në baltë. Në fund ai vet i bindi ushtarët SS që ta lejonin të shkonte me fëmijët. Për romanin e tij veta autori shkruan se në kohën kur ishte sa fëmija i këtij romani, dëshironte ta bënte vetë gjithçka që është shkruar aty. “Më pas e kam harruar dhe tani jam plak. Nuk kam as kohë, as fuqi për të ndërmarrë luftëra, apo të vete te kanibalët. Ndërkohë, unë po jua tregoj këtë foto sepse më i rëndësishëm për mua ka qenë momenti kur unë realisht dëshiroja të isha mbret dhe jo kohën kur kam shkruar bëmat e mbretit Matius. Mendoj gjithashtu se do të ishte më mirë të tregoja foto mbretërish, udhëtarësh apo edhe shkrimtarësh, në kohën kur ata ende nuk qenë rritur e as plakur, pasi të gjithë kanë përshtypjen se ata kanë qenë vazhdimisht inteligjentë dhe mbi të gjitha sikur s’kanë qenë kurrë të vegjël. Fëmijët mendojnë se ata nuk do bëheshin ndonjëherë ministra, udhëtarë ose shkrimtarë; kjo është e gabuar. Të rriturit nuk do të duhej ta lexonin librin tim, sepse aty ka kapituj të papërshtatshëm për ta dhe ata nuk do t’i kuptojnë e për këtë arsye do të tallen. Por nëse ata duan ta lexojnë patjetër le ta provojnë. Pa dyshim që ne s’mund t’i ndalojmë të rriturit, sepse ata nuk na binden. E kush mund t’ua kthejë kokën atyre?”, shkruan Korczak.