Eugert Zhupa, çiklisti shqiptar në Giro D’Italia që nis sot nga Jeruzalemi
Nga Jeruzalemi i Izraelit nisi sot pasdite edicioni i 101-të i Giro D’Italia (Xhiroja e Italisë) në çiklizëm, ku pjesëmarrës është edhe çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, që për të katërtën herë në karrierën e tij merr pjesë në këtë turne.
Paraqitjet e çiklistit që garon me skuadrën e Willier Triestina-Selle Italia, do të tentojë një rezultat më të mirë këtë sezon, por në një deklaratë që ka bërë në faqen e tij zyrtare, Zhupa rëfen se për të nuk ka qenë aspak e lehtë pjesëmarrja.
“Rugëtimi im këtë vit ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Ka patur periudha kur dëshiroja që të hiqja dorë nga gjithçka, të hiqja dorë nga ëndrra ime, por ja ku jam sot këtu, në startin e Xhiros së Italisë, për të katërtën herë në karrierën time. Sepse jeta është një ëndërr për të gjithë dhe unë nuk dua të heq dorë nga ëndrrat”, shkruan Eugert Zhupa, çiklisti i vetëm shqiptar që ka arritur të garojë në një event kaq të rëndësishëm si Xhiro e Italisë.
Risia e këtij viti qëndron se etapa e parë nis nga Jeruzalemi, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Në total do të jenë 3562 km që çiklistët do të përshkojnë në 21 etapat e edicionit të 101-të. Për të evituar ndonjë incident gjatë kohës që do të zhvillohet kjo etapë në Izrael, do të angazhohen 10 mijë agjentë policie, që do të sigurojnë që gjithçka të shkojë mirë.
Ky edicion i Xhiros konsiderohet shumë i ekuilibruar, me dy etapa që janë kronometër individual, më të shkurtër se 45 km, ndërkohë që 8 etapa do të mbyllen me malore, të cilat natyrisht që do të ndikojnë në emrin e fituesit të këtij turneu.
Pretendentët për fitimin e këtij turneu janë Fabio Aru, Chris Froome dhe Tom Dumoulin.