Liga e Europës, drejtuesit e Volejbollit takim me Ambasadorin e Izraelit
Shqipëria dhe Izraeli do të luajnë dy takime midis tyre në volejboll për femra, 26 dhe 30 maj
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), presidenti Erlind Pëllumbi, zv.presidenti Dashamir Brari si dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola, kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e Izraelit në vendin tonë, z.Boaz Rodkin. Një takim informues e bashkëpunues mes palëve, në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Europës në volejboll për femra, që do të luhen mes Shqipërisë dhe Izraelit ditët në vijim.
Nesër, 26 maj (Raanana), kombëtarja e vajzave shqiptare e drejtuar nga trajneri Altin Martiri, do të luajë në Izrael ndaj kombëtares vendase e pas një javë (30 maj, Tiranë) do të luhet edhe sfida e kthimit në Tiranë. Në këtë takim pune, miqtë nga Izraeli u informuan për masat e marra nga FSHV-ja për mikpritjen e kombëtares mike, ndërkohë që u informuam edhe për masat e marra nga Federata e Volejbollit e Izraelit për takimin e nesërm, në mënyrë që të dyja këto ndeshje të zhvillohen në kushte sa më optimale e miqësore.
Takimi mes FSHV-së dhe Ambasadorit të Izraelit ishte mjaft i këndshëm, një frymë e përbashkët bashkëpunimi, që tregon për gadishmërinë e dashamirësinë e të dyja palëve për të organizuar një event model, si në Izrael ashtu dhe në Shqipëri. FSHV u uron suksese ekipeve kombëtare në këto ndeshje, duke ftuar edhe fansat që të vijnë për të ndjekur nga afër këto ndeshje.