Mbërrin në Tiranë çarteri i parë me turistë izraelitë
Pas bisedimeve midis ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe homologut të tij izraelit, Yariv Levin vijon ardhja e avioneve charter me turistë nga Izraeli.
Avioni i rradhës u ul në tokën shqiptare në orën 6.30 të mëngjesit të sotëm.
Në dalje të aeroportit, për të pritur rreth 100 turistë, ishte edhe ministri Klosi.
Të surprizuar, turistët, ndalën në infopoint Smile Albania. Me urimin e mirëseardhjes, ministri Klosi përshëndeti shumë prej turistëve të kënaqur nga mikpritja.
Pas charterit të parë të drejtpërdrejtë nga Izraeli, javën e ardhshme do të vijë edhe charteri i parë nga kompania Israir, duke çuar në 4 numrin e charterave në javë. Ministri Klosi tha se kompania Albawings nuk është e vetmja që do të sjellë chartera nga Izraeli.
“Po ashtu kompania IsraAir fillon fluturimet javën tjetër duke e çuar në 4 numrin e charterave që vijnë drejtpërsëdrejti nga Izraeli në Rinas dhe po ashtu gjatë gjithë sezonit turistik pritet që të vijnë rreth 300 chartera, të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, Lituania, por edhe nga Anglia, Gjermania dhe priten edhe surpriza të reja të cilat ne do t’i shpalosim ditë pas dite gjatë sezonit turistik”, – tha ministri.
Pranë pikës “Smile Albania” turistëve u jepet informacion dhe buzëqeshje duke shënuar kështu edhe inaugurimin e së parës pikë informacioni në një nga pikat hyrëse të Shqipërisë, aeroporti i Rinasit.