Abramoviçit i duhet lejë pune në Britani, edhe nëse hyn si izraelit
Pronari i Chelsea mund të vizitojë Britaninë deri në gjashtë muaj në vit, por do të duhet të aplikojë për një leje pune nëse dëshiron të bëjë biznes atje
Miliarderi ruso-hebre, Roman Abramoviç, i cili emigroi në Izrael këtë javë, nuk do të lejohet të punojë në Britani të Madhe nëse ai hyn në vend me pasaportën e tij izraelite pa një vizë të vlefshme pune – ashtu si çdo izraelit tjetër – tha një zëdhënës i qeverisë britanike .
“Ata me pasaporta izraelite janë shtetas që nuk u kërkohet viza, që do të thotë se ata nuk kanë nevojë për vizë për të ardhur në Britaninë e Madhe si vizitorë për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh”, sipas gazetës “The Guardian”. “Izraelitëve u kërkohet të marrin një vizë nëse duan të jetojnë, punojnë ose studiojnë në Britani të Madhe”, shkruan “Times of Israel”.
Abramoviç, 51 vjeç, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion” të hënën dhe mori një kartë identiteti izraelit nën Ligjin e Kthim (Law of Return), i cili u lejon hebrenjve të bëhen qytetarë të Izraelit.
Abramoviç, i cili zotëron klubin e futbollit të Londrës, Chelsea, dhe ka një pasuri me vlerë 12.5 miliardë dollarë sipas shtypit britanik, menjëherë u bë personi më i pasur në Izrael.
Zhvendosja në Izrael vjen pas skadimit të vizës së Abramoviçit për Mbretërinë e Bashkuar, një vizë e dhënë para se të hynin në fuqi rregulla rigoroze në prill të vitit 2015, të cilat mund t’i kërkonin atij të shpjegonte burimin e pasurisë së tij tek autoritetet britanike para se të merrte një leje të re.