Startapi izraelit projekton avionin elektrik
“Alice Commuter” është në ndërtim e sipër dhe duhet të fillojë shërbimin e tij në 2021
Startapi izraelit Eviation ka projektuar një avion plotësisht elektrik që do të bëjë fluturimet rajonale më të lira, më të rehatshme dhe miqësore me mjedisin, duke pasur zero emetime.
Avioni, i quajtur “Alice Commuter”, është në ndërtim e sipër dhe duhet të fillojë shërbimin e tij në 2021. Sipas parashikimeve të kompanisë, avioni i parë do të nisë për fluturimin e testimit që në vitin 2019.
Aeroplani i ri do të ketë gjithsej 11 vende dhe do të mbajë dy anëtarë të ekuipazhit dhe nëntë pasagjerë dhe do të fluturojë deri në 1000 kilometra në rreth 240 nyje (444 km në orë), shkruan Siliconwadi.it.
Drejtori Ekzekutiv i startapit Eviation, Omer Bar-Yohay, tha: “Ka një nevojë në botë për fluturimet e shpejta rajonale dhe aviacioni i tanishëm komercial nuk mund ta mbushë këtë boshllëk. Sa i përket estetikës, ‘Alice’ do të jetë pak a shumë si klasa e biznesit e një avioni të madh”.
“Alice” do të jetë në gjendje të fluturojë pa pilotë kur nuk ka pasagjerë në bord, për shembull për fluturime mallrash ose për të ripozicionuar aeroplanin për fluturimin e ardhshëm të planifikuar.