Rrezik trukimesh në Botëror, do të qarkullojnë qindra miliardë dollarë baste
Rritet rreziku i basteve ilegale gjatë Rusi 2018 dhe sigurisht edhe i mundësive të manipulimit të ndeshjeve. Me një eveniment kaq të rëndësishëm futbollistik, tregu i basteve sportive në Azi lulëzon, aq më shumë me oraret e sfidave të cilat përputhen më shikueshmërinë në këtë kontinent.
Sipas Transparency International, tregu i basteve ilegale në Azi qarkullon 400 miliardë dollarë në vit, rreth 80% e qarkullimit global. Me Botërorin, këto shifra do të rriten ndjeshëm pasi vetëm për një muaj parashikohet që në Hong Kong të hidhen baste për rreth 68 miliard dollarë, me 79 miliard dollarë të tjera që parashikohen të hidhen në Korenë e Jugut apo shifra të ngjashme nga Singapori.
Filipinet, Tajlanda e Malajzia janë të gjitha vende të tjera ku lulëzojnë bastet sportive dhe është rritur monitorimi i këtyre tregjeve për të kuptuar se mos ekziston rreziku që ndonjë kombëtare dytësore të përfundojë në rrjetën e atyre që manipulojnë sfidat. Para fillimit të aktivitetit, një gjyqtar nga Arabia Saudite dhe një vijërojtës nga Kenia u tërhoqën nga aktiviteti pasi u provua se kishin kërkuar apo pranuar ryshfete në ndeshjet e tyre.