Shteti i Izraelit nderon familjen Sharri nga Kosova me dekoratën “Të Drejtë ndër Kombe”
Dekoratën e lartë e dha ambasadorja e Izraelit jorezidente në Kosovë, Alona Fischer-Kamm
Familja Sharri nga Prizreni, Faik dhe Sabrije Sharri, u nderuan nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me certifikatën e nderit dhe dekoratën “Të Drejtë ndër Kombe”, e njohur ndryshe si “Righteous Among the Nations”, në një ceremoni dinjitoze të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me iniciativën e Bet Israel Kosovo dhe Ambasadës së Izraelit në Serbi, e që aktivitetin e saj diplomatik e shtrin si në Kosovë ashtu dhe Malin e Zi.
Në aktivitet morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ambasadorja e Izraelit në Serbi dhe jorezidente në Kosovë, Alona Fischer-Kamm, qytetarë të shumtë si dhe përfaqësues të ndryshëm nga trupi diplomatik.
Takimin e hapi, kryetari i bashkësisë hebreje Bet Israel Kosovo, Ruzhdi Shkodra, i cili tha, se me aktin e dekorimit të familjes Sharri, “i bëhet një nderim të gjithë qytetarëve të Kosovës nga Yad Vashem dhe Shteti i Izraelit”.
Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, dekoratën ia dorëzoi vajzës së Faik dhe Sabrie Sharri, Bedia Sharri Mustafa e cila e u ndje tepër e emocionuar në fjalën e saj në momentin e marrjes së medaljes dhe certifikatën me të cilin shteti i Izraelit vlerësoi veprën fisnike të strehimit dhe shpëtimit të një familje hebreje nga prindërit e saj Faik dhe Sabrije Sharri, në Prizren, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ambasadorja Fischer, pasi përshëndeti të pranishmit, tha disa fjalë për familjen hebreje Hara e cila gjatë periudhës së Holokaustit, në një natë të ftohtë dimri, të ngrirë nga të ftohtit, në gjendje të mjerueshme, të uritur dhe të pa shpresë, u strehuan nga familja bujare e Prizrenit.
Ajo theksoi se gjithë familja Hara shpëtoi në sajë të kurajos së jashtëzakonshme të Faik Sharrit dhe gruas së tij Sabrijes. Faik Sharri ishte më parë një mësues i gjuhës shqipe, përpara së ta pushonin nga puna t’i përkushtohej profesionit të fotografit.
“Është një ceremoni speciale për mua personalisht, por edhe speciale për mua si ambasadore e Izraelit. Kjo dekoratë është një njohje nga ana e Shtetit të Izraelit, për aktin e madh të familjes Sharri”, – tha midis të tjerave ambasadorja Fischer-Kamm.
Bija e familjes, Bedia Sharri Mustafa theksoi që ndihej e nderuar që sot pranon dekoratën dhe çertifikatën në emër të prindërve të saj. Ajo shtoi se shumë familje shqiptare gjatë asaj periudhe kanë strehuar dhe shpëtuar familje hebreje, por që familja e saj është nga të paktët që patën fatin të kenë në posedim dokumentin original si dëshmi.
“Është një ditë e veçantë për mua dhe familjen time”, tha Bedia Sharri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i Kosovës , Enver Hoxhaj theksoi se është shumë i kënaqur të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Faik dhe Sabrije Sharrit, shpëtimtarë të një familje hebreje në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore duke besuar se raste te tilla do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, Izraelit dhe Kosovës.
“Historianët të hedhin më shumë dritë rreth shpëtimi të hebrenjve në Kosovë”, theksoi zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
Shqipëria dhe Kosova – pasi Yad Vashem i njeh si shqiptarë – numërojnë 76 “Fisnikë ndër Kombe”.