Rodkin: Bujqësia dhe turizmi, prioritet i investitorëve izraelitë në Shqipëri
Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6200 turistë izraelitë. Numri pritet të rritet ndjeshëm, me nisjen e fluturimeve direkte,Tel Aviv-Tiranë
Bujqësia dhe turizmi janë dy sektorë që shihen me prioritet nga investitorët izraelitë, të cilët deri tani janë kryesisht të përfshirë në investime jo direkte në Shqipëri. Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin, i ftuar në emisionin “PërTëFol”, e vuri theksin tek problemet që e kanë penguar biznesin izraelit, pavarësisht interesit te shfaqur.
“Sipërmarrësit izraelitë janë të interesuar për të hyrë në tregun shqiptar, por ka disa pengesa, ndër të cilat burokracia apo ndryshimet e shpeshta ligjore, që i kanë frenuar. Disa prej tyre po punojnë me ekspertët ligjore, në përpjekje për të deshifruar e për t’u njohur me bazën ligjore se si të punojnë këtu. Por për të qenë i sinqertë, ky proces ka qenë paksa më i ngadaltë, nga sa e prisja, kur mora detyrën tre vite më parë në Shqipëri.”
Gjatë vitit që lamë pas, vendin tonë e vizituan 6200 turistë izraelitë, por ky numër pritet të rritet ndjeshëm, me nisjen e fluturimeve direkte, Tel Aviv-Tiranë në fund të muajit qershor, ose në ditët e para të Korrikut. Një tjetër arsye e rëndësishme për t’u njohur nga afër me Shqipërinë, lidhet me përfshirjen e një kapitulli të posaçëm në tekstet e historisë në Izrael, për strehimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore.
“Vitin e kaluar në programet mësimore të shkollave të mesme ne Izrael, aty ku flitet për Holokaustin është përfshirë një kapitull i veçantë edhe për Shqipërinë, për mbështetjen që kanë gjetur hebrenjtë në vendin tuaj. Njohja me këto histori, do të jetë edhe një nga arsyet kryesore që izraelitët do kërkojnë të eksplorojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë dhe të takohen me shqiptarët që kanë kryer akte aq fisnike gjatë luftës së dytë botërore.”
Ndërkohë në pesë vitet e ardhshme, sipas Ministrisë së Turizmit, synohet dhjetëfishim i numrit të turistëve. Dafina Hysa/SCAN