Shesh në Tiranë me emrin “Shimon Peres”

Sheshi në zonën e Xhamllikut do të mbajë emrin e Presidentit të 9-të izraelit, Shimon Peres.


Ministri i Parë i Jashtëm i Izraelit që vizitoi Shqipërinë ishte babai im i ndjerë, Shimon Peres. Më kujtohet një bisedë shumë e ngrohtë dhe entuziaste me të pas vizitës. Që atëherë, marrëdhëniet tona janë forcuar me vizita reciproke, njëra prej tyre ka qenë ajo kryeministrit Berisha në vitin 2011, dhe e kryeministrit Edi Rama në 2015, ndërsa babai ishte President i Izraelit”, thotë Dr. Yonathan Peres, djali i personalitetit politik, Shimon Peres.

Dr. Yonathan Peres e bëri këtë koment të enjten, gjatë ceremonisë së inaugurimit të sheshit që ka emrin e presidentit të ndjerë të Izraelit, zotit Shimon Peres, fitues i Çmimit Nobel për Paqe dhe një figurë e njohur si një simbol ndërkombëtar i paqes dhe tolerancës.

Gjatë ceremonisë, ndërsa himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Izraelit po luheshin, busti i Shimon Peres u zbulua nga zëvendësambasadori i Izraelit në Tiranë, Yuvale Fischer, djali i Peres, Yonathan Peres dhe zoti Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa ishin të pranishëm zyrtarë të bashkisë, staf nga ambasada izraelite, miq të Izraelit dhe gazetarë e qytetarë të zonës.

Aldrin Dalipi, kryetar i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, vlerësoi lart figurën e Shimon Peres duke thënë se ishte një nder për Tiranën që ka një simbol të tij.

Monumenti është vendosur në mes të sheshit dhe në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro”, “Sadik Petrela” dhe “Xhanfize Keko”. Vendosja e bustit ishte një iniciativë e zëvendësambasadorit të Izraelit në Tiranë, Yuvale Fischer, kërkesë që u pranua me kënaqësi nga kryetari i bashkisë së Tiranës, zoti Erion Veliaj.

“Shqipëria dhe Izraeli kanë shumë të përbashkëta. Të dy shtetet kanë vuajtur për periudha të gjata duke qenë drejtuar nga regjime të tjera”, tha Dr. Yonathan Peres që nënvizoi se të dy shtetet rikuperuan dhe tani janë në rrugën e demokracisë, lirisë, pluralizmit dhe inovacionit. Më tej, ai rikujtoi se pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një nga shtetet që votoi për krijimin e shtetit të Izraelit dhe dy shtetet krijuan marrëdhënien zyrtare në vitet 1990.

“Si një nga etërit themelues të Izraelit, Peres u përball me kërcënimin dhe urrejtjen e qindra milionë arabëve fqinjë që kërkonin ta shkatërronin shtetin tonë të vogël”, tha ai, duke shtuar se pavarësisht kësaj, liderët izraelitë nuk u dorëzuan kurrë në nismat e tyre për paqe duke konkluduar disa marrëveshje paqeje me disa prej tyre.

Dr. Peres shprehu shqetësimin e tij lidhur me ekzistencën e disa vendeve fondamentale dhe disa organizatash terroriste që kërkojnë të shkatërrojnë Izraelin dhe pjesë të tjera të botës, duke përfshirë Europën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i një shteti me shumicë myslimane. Në Shqipëri të gjitha grupet etnike dhe fetare jetojnë së bashku në harmoni, paqe, dinjitet progres dhe inovacion”, vuri në dukje Dr. Yonathan Peres, i cili në përfundim shprehu kënaqësinë dhe nderin që mori pjesë në inaugurimin e këtij monumenti.

“Unë u jam shumë mirënjohës dhe falënderoj në emër të familjes time dhe të shtetit të Izraelit lidershipin e qytetit të Tiranës dhe stafin e ambasadës së Izraelit për punën e madhe që kanë investuar”, tha ai.

Në fjalën e tij, zëvendësambasadori izraelit, Yuvale Fischer, tha se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë një marrëdhënie të gjatë, plot me respekt dhe vlerësimi të ndërsjellë, por më e rëndësishmja, miqësia e ngushtë.

“Marrëdhënia speciale ekziston jo vetëm mes dy qeverive tona, por edhe mes popujve tonë që kanë shumë të përbashkëta. Nisur nga jo, ne duam të nderojmë këtë miqësi me inaugurimin e një sheshi që mban emrin e presidentit tonë të fundit të ndjerë, z. Shimom Peres, që do të shërbejë si një kujtesë e përhershme për qytetarët shqiptarë dhe ata izraelitë”, tha z. Fisher.

Më tej, ai tha se është një fakt i mrekullueshëm që Shimon Peres ishte ministri i parë i Jashtëm i Izraelit që shkeli në Shqipëri në 1995, dhe përmendi takimin që ai pati me kryeministrin Edi Rama, që u zhvillua në Qendrën Peres për Paqe dhe inovacion gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Izrael në dhjetor 2015.

“Shimon Peres fitoi Çmimin Nobel për Paqe në 1994 dhe ai është i njohur në të gjithë botën si një simbol i paqes dhe tolerancës, dhe kështu iniciativa ime për t’i vënë emrin e tij një sheshi në Tiranë është një gjest që i jep drejtësi madhështisë së këtij njeriu, qytetarëve shqiptare dhe marrëdhënies mes dy vendeve”, tha ai, duke shtuar se donte ta mbyllte fjalimin e tij me disa fjalë të çmuara nga Shimon Peres: “Unë nuk pendohem për asnjë nga ëndrrat e mia. Pendesa ime e vetme është pse nuk kam ëndërruar më shumë”.

 

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit