Kongresi Botëror i Hebrenjve, peticion kundër Hamasit në OKB
Peticioni është nënshkruar nga 22 mijë persona. Balonat zjarrvënëse të lëshuara nga Hamsasi kanë djegur 8 mijë hektarë tokë në Izrael
Kongresi Botëror i Hebrenjve (World Jewish Congress) ka paraqitur një peticion në Kombet e Bashkuara me mbi 22,000 nënshkrime që dënojnë krimet mjedisore të Hamasit, zjarret e shkaktuara nga balonat zjarrvënëse dhe tullumbace me material zjarrndezës që kanë fluturuar nga Gaza në Izrael gjatë pesë muajve të fundit.
Balonat e lëshuara dhe terrorizmi nga Hamasi shkaktuan vdekjen e qindra kafshëve dhe shkatërrimin e mbi 8,000 hektarëve të tokës bujqësore dhe të pyllit.
Peticioni iu paraqit nga Drejtori Ekzekutiv dhe zëvendëspresidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, Zëvendës Drejtorit të Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP), Jamil Ahmed.
“Efekti i kombinuar i këtyre akteve të neveritshme gjatë pesë muajve të fundit ka vrarë qindra kafshë, shkatërruar më shumë se 8,000 hektarë tokë, duke përfshirë 2,700 hektarë rezerva natyrore të mbrojtura dhe çoi në çlirimin e materialeve toksike në ekosistemin e brishtë”, citohet Singer nga portali izraelit, Ynetnews.co.il.
/Izraeli Sot/