
Miq të veçantë te “Solomoni”, mjeku shqiptaro-hebre Dr. Zino Matathia
Drejtuesi i muzeut, studiuesi dhe autori Simon Vrusho, i dhuroi Dr.Matatias librin “Hebrenjtë e Beratit”

Muzeu “Solomoni”, në Berat, ka pasur një dy vizitorë të veçantë: doktorin e njohur nga komuniteti shqiptaro-izraelit, Zino Matathia dhe bashkëshorten e tij, Valin.
Drejtuesi i muzeut, studiuesi dhe autori i librit “Hebrenjtë e Beratit”, Simon Vrusho, i dhuroi Dr.Matatias librin e tij.

Mjeku dhe kirurgu, Dr. Zino Matathia, i lindur në Vlorë, për 14 vjet (1966-1980) shërbeu në Berat si mjek dhe si drejtor i Spitalit të Beratit, përpara se të transferohej në Tiranë. Familja Matathia jeton në Karmiel, një qytet në very të Izraelit.

Karmiel është binjakëzuar me Beratin dhe një kontribut të veçantë ka edhe Dr.Matathia. Ai është “Qytetar nderi” i të dy bashkive. Dr.Matathia është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Titullin e Nderit “Për Merita të veçanta civile”.
Gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, shteti izraelit hapi nje spital fushor ushtarak dhe një nga mjekët shqiptaro-hebrenj që shërbeu atje ishte Zino Matathia.
Sipas studiuesit Simon Vrusho, në pesë shekujt e fundit, nga viti 1526, hebrenjtë kanë pasur në Berat një lagje të fuqishme, që nga pikëpamja urbanistike ishte vendosur në qendër të qytetit, duke pasur edhe sinagogën e vet.