Ambasadori Rodkin, i pranishëm në “sfidën 10 milionë turistë” në Shqipëri
Për herë të parë gjatë sezonit turistik 2018, Shqipëria përjetoi në bum turistësh nga Izraeli
Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin, ishte i pranishëm në takimin e Kryeministrit Edi Rama me tur operatorët e huaj dhe kontribuesit e tjerë të sezonit turistik të sapo mbyllur në Shqipëri, të organizuar në hotel “Hilton” në Tiranë.
Shqipëria synon të ketë 10 milionë turistë brenda 4-5 viteve të ardhshme, një sfidë që mbështetet në potencialin e jashtëzakonshëm dhe të pashfrytëzuar të vendit.
Kryeministri Rama e nisi parashtrimin e asaj që cilësoi sfidë, duke përmendur artikuj në shtypin kroat, sipas të cilëve Shqipëria po i merr turistë Kroacisë e cila pret 4 herë më shumë turistë dhe gjeneron 6 herë më shumë të ardhura.
“E vërteta është që potenciali ynë është për t’u dyfishuar më shpejt sesa vonë dhe sfida jonë është 10 milionë turistë më shpejt sesa vonë. Besoj që ne mund të arrijmë në 10 milionë turistë në harkun e një 4 – 5-vjeçari. Jemi në një realitet të ri të turizmit dhe zhvillimit të industrisë së turizmit në Shqipëri”, – theksoi Kryeministri Rama.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, përveç statistikave shpalli edhe masat që do të merren nga Qeveria për sezonin turistik 2019.
Për herë të parë gjatë sezonit turistik 2018, Shqipëria përjetoi në bum turistësh nga Izraeli, kjo edhe falë lidhjes direkte ajrore Tel Aviv-Tiranë.