Ksamili, në Top 10 rekomandimet e mediave izraelite për pushimet 2019
Gazeta e njohur ekonomike “Calcalist”: Ushqim deti të shkëlqyer, njerëz miqësorë dhe plazhe të bukura
Turistët izraelitë janë të dashuruar me Shqipërinë. Për herë të parë, ata e vizituan “vendin e shqiponjave” në mënyrë masive, kjo dhe falë lidhjes direkt ajrore Tel Aviv-Tiranë.
Gazeta e njohur ekonomike “Calcalist”, në një shkrim me titull: “Ku do të udhëtojmë në 2019? Destinacionet që ndoshta nuk e keni menduar si një opsion”, rekomandon Ksamilin si një nga 10 destinacionet më tërheqëse për vitin e ardhshëm.
Ja çfarë shkruan “Calcalist”, ku e shoqëron edhe me një foto.
“Kasmil, Shqipëri: Kasmili ndodhet në Rivierën e Shqipërisë. Ky është një qytet i qetë që përfshin gjithashtu tre ishuj vetëm një distancë të shkurtër nga plazhi. Zona është e rekomanduar për ushqim deti të shkëlqyer, njerëzit miqësorë dhe plazhet e bukura”.
“A keni dëgjuar rreth Baklar në Meksikë? Po për brigjet e Palomino në Kolumbi? Dhe ç’të themi për Kasmilin në Shqipëri? Bota është e mbushur me vende me potencial, prandaj nëse nuk e keni mbyllur ende një objektiv për vitin e ardhshëm, ndoshta do t’ju ndihmojmë të filloni”, shkruan “Calcalist”.
Ndër destinacionet e tjera janë Gjeorgjia, Rumania, Meksiko, Maroku, etj.