Ekonomia izraelite rritet me 2.3%
Pritja mesatare ishte për gati 3 për qind rritje sipas një ankete të Bloomberg
Ekonomia e Izraelit u rrit 2.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit, shumë më ngadalë nga gjysma e dytë e 2017, por më shumë në përputhje me potencialin e saj afatgjatë, thanë ekonomistët. Pritja mesatare ishte për gati 3 për qind rritje sipas një ankete të Bloomberg. Ekspansioni i tremujorit të tretë u nxit nga konsumi privat dhe një rritje e mprehtë e shpenzimeve publike. Në fillim të këtij viti ekonomia izraelite u rrit 4.6 për qind përpara se të ngadalësohej në 1.2 për qind në tremujorin e dytë.
“Nuk ka dyshim se rritja është më e moderuar se ajo që ishte një vit më parë, duke reflektuar tendencat globale” – tha Rafi Gozlan, kryeekonomist në Izrael Brokerage and Investments në Tel Aviv. “Gjysma e dytë e vitit të kaluar ishte jashtëzakonisht e fortë dhe tani po kthehemi në diçka më të qëndrueshme me rritjen globale.” Importet ranë me 5 për qind gjatë tremujorit, ndërsa eksportet u rritën 0.9 për qind. Investimet në asetet fikse kanë rënë me 6.3 për qind. Pas disa viteve me pak ose aspak inflacion, çmimet në Izrael kanë filluar të rriten sërish, deri në 1.2 për qind në tetor nga një vit më parë. Kjo e vë inflacionin brenda intervalit 1 deri në 3 për qind të Bankës së Izraelit.
Rritja dhe tendencat e çmimeve nënkuptojnë se banka qendrore, e cila ka mbajtur normën e saj bazë prej 0.1 për qind që nga marsi i vitit 2015, së shpejti do të fillojë të forcojë politikën monetare. Zabezhinsky, ekonomisti kryesor në Meitav Dash Investments, tha se rritja më e ngadaltë pasqyron një ftohje në tregun e pasurive të paluajtshme të Izraelit dhe një ngadalësim të kredisë private. Në të njëjtën kohë, shpenzimet e larta publike kanë filluar të zgjerojnë deficitin buxhetor të Izraelit, ndoshta përtej objektivit prej 2.9 për qind./Scan/