Kosova, lider i energjisë së rinovueshme në Ballkan, Izraeli investon 169 milionë euro
“Kjo është historia, është nisja jonë me investitorin e parë strategjik”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, në të cilën është bërë i ditur investitori i parë strategjik në Kosovë e që është SOWI Kosova, një projekt në energjinë e ripërtëritshme të erës, në vlerë prej 169 milionë euro, investim gjermano-izraelit në partneritet me Kosovën.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Investime Strategjike, dhe ka vendosur procedura të tjera të nevojshme të paraparë që të mund të hyjë në marrëdhënie të tilla me investitorët strategjik.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, falënderoi Qeverinë Mustafa, Parlamentin e Kosovës, ekspertët, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, KIESA-n, për punën e bërë, duke thënë se nga sot ka filluar historia, ka filluar marrëdhënia e re e cila nuk ka ndodhur deri më tash.“Po fillojmë me investitorët strategjik, me partnerët, me investime, dhe është shumë me rëndësi të theksojmë se një kompani e para, SOWI Kosova LL.C., i ka përmbushur parametrat e parë për shqyrtim dhe shpresoj se së shpejti në Qeveri do ta kemi propozimin që t’i japim përkrahje dhe të ndodh investimi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ky është investimi më i madh në energjinë e ripërtritshme.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se po ecin rrugës që ia kanë borxh vendit, duke u përkushtuar që në ekonomi të ndodhin investime, transmeton lajmi.net. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se ky takim është ndër të arriturat më të mëdha të kësaj Qeverie në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, në rritjen e investimeve të huaja direkte.
Me këtë rast, ministri Shala, ka njoftuar se aplikuesi SOWI Kosova LL.C në aspektin teknik ka plotësuar kriteret teknike të parapara me legjislacionin për Investime Strategjike.
“Ju siguroj se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar në përmbushjen e detyrave të saj të cilat janë objektiv i Qeverisë së Kosovës, pra viti i zhvillimit ekonomi, i cili besojmë se do të vazhdojë kështu siç ka filluar dhe rinisë sonë t’i mundësojmë punësim të qëndrueshëm në vendin tonë”, tha ministri Shala.
Siç njoftoi ministri Shala, kjo kompani parasheh investime në parkun me erë, investim në vlerë prej 169 milionë euro, investimi i huaj direkt më i madh në këtë fushë, e ku parashihet ndërtimi i 30 turbinave për ndërtimin e energjisë me erë, 105 megavat energji në tri lokacione të komunës së Mitrovicës. Në fund të këtij takimi u formua komisioni operacional i cili do ta shqyrtojë edhe dokumetacionin si dhe plotësimin e kritereve nga investitori./Fmimages.net/