Shqipëria prezanton resurset e saj turistike në Izrael
U çel sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit IMTM Tel-Aviv në Izrael
TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ – U çel sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit IMTM Tel-Aviv në Izrael. Panairi i sivjetshëm i turizmit përkon me 25-vjetorin e këtij edicioni.
Ministra dhe ambasadorë nga vende të ndryshme shoqëruan operatorët turistikë. Shqipëria paraqet bukuritë e saj natyrore, duke prezantuar resurset e saj turistike. Agjencia Kombëtare e Turizmit u përfaqësua me një stendë të kuruar me shumë kujdes me
pamjen e qytetit 2419-vjeçar të Beratit. Në stendë morën pjesë gjashtë tur-operatorë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili shoqërohej nga ambasadori Bardhyl Canaj ishte i pranishëm në panair. Klosi në fjalën e tij, pasi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, shprehu rëndësinë e këtij panairi, sepse nëpërmjet tyre gjen mundësinë për të ndarë mendime dhe shkëmbyer eksperienca.
“Takimet e përbashkëta na ndihmojnë të njohim nga afër mundësitë dhe potencialet e dy vendeve. Sot turistët kërkojnë të provojnë eksperiencat lokale të çdo vendi që vizitojnë, ndaj ne si politikëbërës duhet t’i përgjigjemi këtij trendi”, u shpreh Klosi.
Një mendim të tillë ndan drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi panairin e Izraelit si një mundësi shumë të mirë për të marketuar turizmin malor, sepse interesi për këtë lloj turizmi është shumë i kërkuar nga pala izraelite. Ndërkohë, Ferizaj theksoi se një interes i veçantë konsiston edhe për bizneset që operojnë në këtë sektor për të lidhur kontrata bashkëpunimi.
Në stendën mikpritëse shqiptare, vizitorët kanë mundësinë të njihen me ëmbëlsira dhe pije tradicionale.
Panairi i përvitshëm Mesdhetar i Turizmit në Izrael do të qëndrojë i hapur dy ditë, nga datat 12-13 shkurt. /a.a/ j.p/
http://ata.gov.al/2019/02/12/foto-shqiperia-prezanton-resurset-e-saj-turistike-ne-izrael/