Izraeli, mision historik për të mbërritur në Hënë
Anija kozmike izraelite “Beresheet” do të ulet, më 11 prill në sipërfaqen e satelitit të Tokës.
Një raketë e nisur nga Cape Canaveral, në Florida, mban anijen kozmike izraelite “Beresheet”, që po provon të bëjë histori, madje dy herë. Si e para anije private që ulet në Hënë, dhe si e para nga shteti hebre.
“Beresheet”, që peshon 585 kg dhe që në hebraisht do të thotë “Gjeneza”, u lançua nga një raketë “Falcon 9” e kompanisë private amerikane “SpaceX”, të drejtuar nga sipërmarrësi Elon Musk.
Nisja u ndoq drejtpërdrejt në Izrael, me kryeministrin Benjamin Netanyahu në mesin e inxhinierëve të Qendrës së Kontrollit të Industrive izraelite Aerohapësinore. Anija izraelite u nxor në orbitën e Tokës, nga ku do të përdorë motorët e saj për udhëtimin shtatëjavor drejt Hënës, e për t’u ulur më 11 prill në sipërfaqen e satelitit të Tokës.
Misioni pa ekuipazh është pjesë e një interesi të shtuar global për Hënën, që ndonjëherë quhet edhe “kontinenti i 8 i Tokës” dhe vjen 50 vite pasi astronautët amerikanë shkelën të parët në sipërfaqen e saj.
Pas Kinës, më herët këtë vit, e tani edhe Izraelit, është India ajo që shpreson të bëhet vendi i pestë që prek Hënën, me një mision në pranverë. Edhe Japonia ka ambicie, por planet e saj janë më afatgjata.
Ndërkohë, për amerikanët, një rikthim në Hënë është tashmë politikë zyrtare e NASA-s, bazuar në udhëzimet e lëshuara nga presidenti Donald Trump.