Portieri gjysh hyn në rekordet “Guinness”, luan 73 vjeç në një ndeshje profesioniste
Isaak Hayik vendosi rekordin teksa mbrojti katërkëndëshin e ekipit izraelit, Ironi Or Yehuda
Një futbollist izraelit ka hyrë në librat e historisë, duke u bërë më i vjetri në moshë anembanë botës që aktivizohet në një ndeshje profesioniste, e këtë e bëri në moshën 73-vjeçare.
Isaak Hayik vendosi rekordin teksa mbrojti katërkëndëshin e ekipit izraelit, Ironi Or Yehuda, pasditen e së premtes.
E pavarësisht moshës së tij të avancuar, Hayik tha se ishte “i gatshëm edhe për një ndeshje tjetër”, në përfundim të të 90 minutave të lojës.
Ai fitoi edhe çmimin e rekordeve botërore të Guinnessit, në përfundim të ndeshjes, vetëm pak ditë përpara se të shuajë 74 qirinj, aq sa edhe vitet e jetës së tij.
Ekipi në fjalë, Ironi Or Yehuda militon në kategorinë e katërt izraelite, Liga Bet South A. Edhe pse ekipi i tij u mposht me rezultatin e thellë 5-1 nga Maccabi Ramat Gab, portieri i moshuar i lindur në Irak thuhet të ketë bërë një sërë pritjesh mbresëlënëse gjatë takimit.
Një prej djemve të tij, 36-vjeçari Moshe Hayik, e përshkroi arritjen e të atit si “të pabesueshme”, madje tha me shaka se, edhe vet ai ishte lodhur më shpejt sesa i ati, kur kishin luajtur së bashku në një rast.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga uruguajani Robert Carmona, i cili ishte bërë pjesë e formacionit titullar të Pan de Azucar në vitin 2015, në moshën 53-vjeçare.
Ndërkohë, sulmuesi japonez, Kazuyoshi Miura rezulton të jetë futbollisti më i vjetër profesionist që ka shënuar një gol në ndeshje zyrtare. Ai mposhti rekordin 52-vjeçar të Sir Stanley Matthews, teksa shënoi golin e fitores në takimin Yokohama FC-Thespa Kusatsu, në kategorinë e dytë japoneze “J-League 2”.