Jeremy Jones, takim me ITSHKSH në Maqedoni
Jeremy Jones u prit nga drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, Sekretari Shkencor, Dr. Zeqirija Ibrahimi, dhe asistenti hulumtues, Mr. Isamet Bakiu.
Z. Jeremy Jones, drejtori i Këshillit Izraelito-Australian për Çështjet Hebraike, njëherësh edhe drejtor i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Komunitare të Australisë vizitoi (20 maj) Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup të Maqedonisë.
Ai u prit nga drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, Sekretari Shkencor, Dr. Zeqirija Ibrahimi, dhe asistenti hulumtues, Mr. Isamet Bakiu.
Në këtë takim u fol për përvojat australiane të komunikimit ndërreligjioz, me ç’rast z. Jeremy shpjegoi se Australia është ndoshta vendi i vetëm në botë ku komunitetet religjioze bashkekzistojnë mes vete pa shënuar as edhe një incident të vetëm, madje dha plot shembuj se si të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë bashkëpunojnë për shumë çështje dhe kultivojnë dashuri të ndërsjellë mes vete.
Drejtori Asani, nga ana e tij, e falënderoi mysafirin për vizitën dhe e njoftoi me përpjekjet që i ka bërë dhe i bën Instituti në këtë drejtim, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet religjioze në vend, ndërsa në këtë drejtim e veçoi themelimin e departamentit të Studimit dhe Edukimit për Holokaustin.
Pas këmbimit të përvojave, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës së ndërsjellë, si dhe pjesëmarrjes në konferenca e aktivitete të përbashkëta.