Avi Belov: Pse e hapa forumin e turistëve izraelitë në Shqipëri dhe pse është rezultoi një sukses
Menaxheri i njohur tregon për gazetën online “Izraeli Sot”, arsyet se pse ai e themeloi grupin. “Albania Forum Le’Metayalim”. “Zemra” e forumit është një tjetër izraelite, Shira Shimoni, prej shumë vitesh jeton në Shqipëri.
Avi Belov u përket racës së izraelitëve që u pëlqejnë sfidat, edhe kur atyre u duhet të shkelin në tokë të panjohur.
Themelues i disa kompanive të suksesshme në industrinë turistike, Belov themeloi edhe forumin e turistëve izraelitë që vizitojnë privatisht apo të organizuar Shqipërinë, duke krijuar grupin në Facebook në gjuhën hebraike: “Albania Forum Le’Metayalim” – “Forumi shqiptar i turistëve izraelitë”.
I diplomuar për Marketing dhe Biznes, Belov, shtëpia e të cilit ndodhet në Bat Yam, një qytet pranë Tel Avivit, u vendos në Malin e Zi, ku ai themeloi edhe dy kompanitë e para të tij, “Diplomat Montengro” dhe “Colombus Rent a Car”.
“Fillimisht unë hapa një infogrup për turistët izraelitë që vizitonin Malin e Zi, pasi dëshiroja të ndaj informacione rreth këtij vendi, për t’u bërë udhëtimin më të lehtë dhe më të sigurt. Kjo, pasi Izraeli nuk ka një ambasadë të vetën në Malin e Zi”, tha menaxheri izraelit për gazetën online “Izraeli Sot”,
Falë edhe disa informacioneve me karakter biznesi nga agjenci turistike izraelite, dhe i mirinformuar në lidhje me planet kompanisë ajrore “IsrAir”, për të kryer fluturime direkte Tel Aviv-Tiranë ai vendosi të bëjë të njëjtën gjë: krijimin e një infrogrupi në Facebook me target turizmin në Shqipëri.
“Kur IsrAir vendosi të kryente fluturime direkte drejt Shqipërisë, unë hapa grupin e dytë. Vendose si menaxhues të grupit, Shira Shimoni, burrin e saj, Assaf Binder dhe guidën shqiptare, Dorian Disha, që të gjithë janë profesionistë dhe dinë gjithçka për Shqipërinë dhe Turizmin. Kështu që, tani kemi dy projekte të mëdha vullnetare. Ne jemi të lumtur që u bënë të sukseshem, pasi ne ndihmojmë që njerëzit ta kenë përshtypjen e parë dhe vizitën e tyre të parë, sa më shumë produktive dhe të lumtur”, tha Avi Belov për “Izraeli Sot”.
Turistët izraelitë postojnë vazhdimisht komente informative, përshtypje, video dhe foto, disa prej të cilave i ka botuar edhe gazeta “Izraeli Sot”.
Deri tani janë anëtarësuar 2226 anëtarë, shumica izraelitë, por edhe shqiptarë, por numri i tyre po rritet vazhdimisht. Anëtare e grupit është dhe gazeta online “Izraeli Sot”.
Një punë e mençur dhe efikase!