
Rezarta Reçi: Impresionet e një koncerti të Almira Emirit
Elegante, delikate, e vetëdijshme, plot vullnet e shpirt sfidues, me xhentilesën karakteristike të një artisteje, fine, buzëqeshjestampuar dhe sy vëzhgues ajo u shfaq para të gjithëve dhe natyrisht pranë pianos, që e ka sjellë këtu.

Nga Rezarta Reçi
Elegante, delikate, e vetëdijshme, plot vullnet e shpirt sfidues, me xhentilesën karakteristike të një artisteje, fine, buzëqeshjestampuar dhe sy vëzhgues ajo u shfaq para të gjithëve dhe natyrisht pranë pianos, që e ka sjellë këtu.
Që e ka çuar gjithandej. Një qënie e mbushur me tinguj, me dashuri për muzikën , me respekt për kompozitorët dhe publikun e çdo kombësie, me stimë dhe plot sharm komunikoi me një sallë të panjohur, të vëmendshme, pritëse. Komunikoi përmes Israelfest, përmes repertorit të zgjedhur, përmes gjuhëve shqip anglisht dhe fuqia e komunikimit të saj quhet interpretim artistik. Piano, ky instrument që mbartet në shpirt, si dashuria, përfaqëson jetën artistike të Almira Emirit.

Zgjedhja dhe zgjidhja e saj quhet piano! Zgjedhja e zgjidhja e saj quhet muzikë! Rrugëtimi profesional i ndertuar individualisht e me vullnet e ka bërë Almiren ambicioze dhe piksynuese për të relativizuar veten dhe interpretimin e saj në skena të ndryshme evropiane e më tej, si rruga e vetme e mundimshme drejt njohjes dhe shpalosjes artistikisht të aftësive të shpirtit dhe gishtërinjve për të përçuar tinguj, art, dashuri.

Nuk e njihja personalisht Almiren, por më tërhoqi profesionalizmi spikatës dhe aftësia menaxhuese për të bërë sallën të të ndjekë në heshtje, pa pipëtirë dhe me kënaqësi. Nga ajo qënie elegante e plot finesë shkolluar jashtë vëndit që e vogël rridhte e sigurtë muzika sipas një repertori të përzgjedhur, tingujt e butë që miksoheshin pa u ndjerë me ato të fuqishmit, që të rrëmbenin në vorbull meditimi e të çonin sigurisht në duartrokitje falenderuese.
Repertori i kuruar me kujdes dhe në funksion të aktivitetit të bënte të kaloje pa u ndjerë nga një emocion në tjetrin. Kompaktësisht, lirisht, ëmbëlsisht si muzika .Që nuk vinte vetmitare ndonëse e interpretuar nga një Almirë!

Postkoncerti dhe profesioni që bëj më dhanë mundësinë të jem me pianisten pas suksesit e energjisë së shpenzuar. Atë bosh postekzekutim ia mbushëm Almires bashkë me Nilën me të qeshura shpenguese, me biseda të qeta e seancë fotosh pa harruar veren e zgjedhur dhe një piano domethënëse për sfond. Për të mos harruar emocionet e një mbrëmjeje të bukur që do rivijë sërish në vjeshtë. Me një tjetër organizim, me një tjetër sfidë.


Marre nga “Gazeta Ora“