In Memoriam/ Agron Alibali: Norman Gershman, amerikano-hebreu që i tregoi botës “Besën” shqiptare
Norman H. Gershman, përmes imazheve të tij të rralla fotografike e filmike, na la trashëgim një mesazh të fuqishëm paqeje dhe dashurie mes kombeve e besimeve të ndryshme. Pikërisht çka kemi nevojë më shumë se kurrë sot e gjithë ditën.
Norman Gershmanin (1932-2019), i cili u nda nga jeta para një jave [10 qershor 2019], ma pat prezantuar mikesha ime e shtrenjtë dhe e paharruar, Johanna Gerechter Neumann [1932 – 2017]. Rasti ishte një ekspozitë fotografike e tij e vitit 2005 në sallat e OKB-së në Nju Jork me temë: “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”.
Ishte një burrë i qetë, i shtruar dhe i vendosur.
Johanna, një vajzë hebreje-gjermane, kishte lindur në Hamburg, Gjermani, dhe familja e saj i kishte mbijetuar Holokaustit duke emigruar në Shqipëri falë politikave liberale të Mbretit Zog dhe heroizmit të shqiptarëve.
Kurse Normani, një hebre amerikan i sukesshëm, kishte lindur në Amerikë dhe pat mësuar për Holokaustin nga dëshmitë e të mbijetuarve.
Misioni i jetës së Johannës ishte t’i tregonte botës mbarë për fatin e familjes së saj dhe mirënjohjen ndaj kombit shqiptar.
Këtë mision kishte edhe bija hebreja shqiptare, Anna Kohen, bija e Vlorës, e cila na u bashkua në aktivitetin e Nju Jorkut me dinjitarê të tjerë të shquar.
Këtë misioni fisnik e përqfoi edhe Norman Gershman në vitet e fundit të jetës së tij. Përmes aparatit fotografik, sekretet e të cilit i zotëronte deri në përsosmëri, Normani shëtiti praktikisht kudo për të takuar, biseduar, dhe për të fiksuar e përçuar të gjallë “heronjtë e heshtur” shqiptarë dhe pasardhësit e tyre.
Kështu lindi ekspozita shëtitëse “Besa”, që shpalosi në mbarë botën – nga Londra në Jerusalem, nga Tirana në Boston e Los Angeles – portretet dhe historitë e njerëzve të thjeshtë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët shpëtuan jetë njerëzish gjatë zezonës së Holokaustit, pa marrë parasysh rreziqet që u kanoseshin vetë atyre.
“Habitem”, më thoshte shpesh Johanna – një e ftuar e përhershme në këto aktivitete – “se sa pak dinë njerëzit për Shqipërinë e popullin shqiptar…”.
Dhe Normani e ajo nuk u mjaftuan me kaq. Shumë sbpejt Norman Gershman u përfshi në përgatitjet dhe xhirimin e filmit “Besa”, drejtuar nga Rachel Goslin, dhe që tregon, ndër të tjera, edhe historinë e bukur të Rexhep Hoxhës dhe amanetin e prindërve të tij lidhur me një libër të lënë nga familja hebreje që ata shpëtuan në Tiranë.
Normani, në ekspozitë dhe në film, theksonte faktin e shpëtimit të hebrenjve nga “muslimanët” shqiptarë.
I rritur në një mjedis afetar, dhe i ndërgjegjshëm edhe nga portretet e personazheve të tjerë që shpëtuesit, në fakt, u takonin të gjitha trevave dhe besimeve në Shqipëri, më bëri përshtypje mesazhi “i njëanshëm” i Gershmanit.
Megjithatë, kjo nuk më turbulloi, dhe e shihja këtë “qasje” me mirëkuptim.
Një ditë, diku kah viti 2008, papritmas, bie telefoni. Një zë i trashë dhe i thellë m’u drejtua. Ishte ai vetë, Norman Gershman, Nuk e di nga e kishte gjetur numrin tim. Patëm një bisedë të gjatë e të këndshme.
“Agron, të lutem mbaj parasysh se qëllimi im për të theksuar rolin e muslimanëve shqiptarë në shpëtimin e hebrenjve është vetëm një: domosdoshmëria që kemi sot për mirëkuptim, dashuri e paqe në Lindjen e Mesme”.
Mesazhin e tij ndërtues e paqtues, si shumë e shumë të tjerë, e kisha kapur qysh në krye të herës. Nuk ishte nevoja të më bindte.
Johanna Gerechter Neumann la pas një mesazh mirënjohjeje të thellë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, që tash po e trashëgojnë fëmijët e saj.
Kurse Norman H. Gershman, përmes imazheve të tij të rralla fotografike e filmike, na la trashëgim një mesazh të fuqishëm paqeje dhe dashurie mes kombeve e besimeve të ndryshme. Pikërisht çka kemi nevojë më shumë se kurrë sot e gjithë ditën.
Agron Alibali
18 qershor 2019