Dialogu Ndërfetar dhe Shqipëria
Harmonia, toleranca dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një vlerë e çmuar dhe një shembull për tu ndjekur. Shembull i cili u transmetua përpara syve të mbarë botës duke u duartrokitur me “Marshimin e Paqes” në Paris (2015) të Kryeministrit Rama dhe krerëve të komuniteteve fetare shqiptare.
Nga Melsen Kafilaj, studiues
“Na lini të kërkojmë me dëshirën për të gjetur
dhe të gjejmë me dëshirën për të kërkuar akoma edhe më tepër.”
(Shën Agustini i Hiponit)
Kur dëgjojmë shpesh termin “dialog ndërfetar” mëndja na shkon menjëherë tek toposi dhe konteksti historik në të cilin u ngjiz ky koncept, pra Koncili i Dytë i Vatikanit (1962).Një ngjarje historike me impakt madhor e cila do të sillte për pasojë jo vetëm daljen nga kështjella doktrinare mijëvjeçare e Kishës Katolike e cila e quante Krishtërimin “si fenë e vetme dhe të vërtetë në tokë” por edhe rolin kruçial të dy Papëve si urë-ndërtues vleror për të kapërcyer kështu ujërat e trazuara të ndasive, keqkuptimeve e luftërave ndër shekuj midis religjioneve dhe për të përqafuar udhën e re të hapjes, dialogut dhe pranimit të Tjetrit.
I ngritur mbi gur-themelin e “jus naturalis” të Thoma D’Aquinit dhe një platforme etiko-filosofike të konceptuar nga filosofët katolikë Massignon, dè Chardin, Maritain, Bea, Montini, etj ky Koncil i udhëhequr nga fryma e një humanizmi të reformuar do të vinte në qëndër të kësaj platforme Njeriun. Njeriun dhe marrdhënien e tij të veçantë me një Krijues të vetëm si gjenerator vleror, pavarsisht emrave sesi e thërrasim Atë! (Parimi i parë i Koncilit) Ky fakt më sjell ndër mënd një frazë mjaft humaniste të nxjerrë nga “Mahabharata” e Hinduve:“Dëgjo, po të tregoj sekretin më të madh të Brahmanit; nuk ka gjë më madhështore dhe fisnike se Njeriu.” Por se pikërisht ka një Krijues i cili ka krijuar gjithëçka, njeriu në këtë proçes konsiderohet nga religjionet monoteiste (Judaizm, Krishtërim, Islam) dhe jo vetëm si vlera më e lartë, pra “kurora e krijimit.”Siç shprehet edhe Rabini Sa’adya ben Gaon mbi këtë fakt duke komentuar Bereishit 1:26 të Torah-ut: “Njeriu u krijua i fundit pasi ai qe qëllimi final i vet Krijimit.”Në këtë kuptim, ai është një qënie unike e pajisur me arsye, ndërgjegje dhe gjuhë dhe i mbruajtur me dinjitet (koncept katolik i shek.XIII-të) vlera e të cilit është e pamohueshme dhe e patjetërsueshme.Prej Krijuesit dhe këtij dinjiteti divin buron edhe nocioni i vëllazërisë prej të njëjtit humanitet, pavarsisht diversitetit racial dhe kulturor. (Parimi i dytë i Koncilit)
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që buron nga marrdhënia me Krijuesin është edhe doktrina e vullnetit të lirë, liria e zgjedhjes dhe respekti i kësaj zgjedhjeje.Cdokush është i lirë të zgjedh, besoj, praktikoj dhe transmetoj atë religjion që ai e ndjen më pranë zemrës së tij. “Në fe dhe në dashuri nuk ka imponime!”-thotë Profeti Muhamed. Ne duhet të jemi më të hapur dhe tolerantë ndaj pikëpamjes diverse të Tjetrit, ta respektojmë lirinë e tij të ndërgjegjes dhe fesë dhe në emër të Dashurisë, Paqes, Mirësisë dhe Drejtësisë më të lartë ti japim duart njëri-tjetrit dhe të kapërcejmë çdo sfidë e problematikë që na shtron koha dhe humanizmi ynë i përbashkët. (Parimi i tretë i Koncilit) Sepse vetëm kështu do të përmbushnim detyrimin ndaj Zotit, fqinjit tonë dhe vetvetes.
Përsa i përket Shqipërisë, vlen të theksohet fakti që harmonia, toleranca dhe bashkëjetesa fetare në këtë vënd është një vlerë e çmuar dhe një shembull për tu ndjekur. Shembull i cili u transmetua përpara syve të mbarë botës duke u duartrokitur me “Marshimin e Paqes” në Paris (2015) të Kryeministrit Rama dhe krerëve të komuniteteve fetare shqiptare. Nuk do të ndalemi këtu që të gjurmojmë mbi gjenezën e kësaj tolerance pasi shumë studiues, historianë dhe akademikë e kanë trajtuar atë më parë por disa projekt-ide konstruktive në funksion të mbarëvajtjes së këtij dialogu ndërfetar edhe në të ardhmen mund ti japim.
Kështu psh, është bërë një punë mjaft e mirë nga Komiteti Shtetëror i Kulteve dhe disa institute studimore me organizimin e një sërë konferencash me temë dialogun ndërfetar, luftimin e ekstremizmit të dhunëshëm, kontributin e religjioneve në shërbim të kohezionit dhe paqes sociale, etj. Por pse të mos ketë edhe një revistë kulturoro-shkencore dedikuar dialogut ndërfetar që të publikohet prej këtij Komiteti, psh?! Për këtë propozojmë si ide publikimin e një reviste prej këtij Komiteti me emrin sinjifikativ “Besa”.Por përse ky emër lind pyetja?! Sepse pikë së pari, “Besa” është themeli metafizik i çdo religjioni, përfshirë këtu edhe tre religjionet Abrahamike (Judaizëm, Krishtërim dhe Islam) .Dhe nga ana tjetër, si një lidhje “me besa-besën” për tu angazhuar së bashku kulturalisht, mentalisht dhe shpirtërisht në çimentimin e kësaj harmonie fetare.Së dyti, ne krenohemi me të drejtë për tolerancën dhe harmoninë fetare që kemi si një thesar shpirtëror. Por pse të mos derdhet në bronx një skulpturë e tillë e cila ta shpreh fuqishëm estetikisht këtë vlerë kolektive që zotërojmë?!Në këtë mënyrë përjetësohet dhe ngrihet në piedestal një vlerë e cila jo vetëm do të na përkujtojë SHQIPTARINE tonë por edhe do të shërbej si kompas moral për brezat në të ardhmen.
Së treti, Shqipëria ka një larmishmëri muzesh si psh: Muzeu i Krimeve të Komunizmit, Muzeu “Shtëpia me Gjethe”, Bunk Art 1 & 2, Muzeu Arkeologjik-Durrës, Muzeu Ikonografik-Korçë, Muzeu Etnografik –Berat, etj.Por pse të mos ngrihet edhe një Muze i Religjioneve në vend?! Kjo do të ishte diçka e veçantë dhe do të kishte një impakt të drejtpërdrejtë si në aspektin kulturor po ashtu edhe në atë ekonomik dhe mediatik, duke tërhequr mjaft vizitorë nga e gjithë bota.Në këtë muze të konceptuar mund të përfshihen psh një model në miniaturë nga Sinagoga e Sarandës, reliktet e Nënë Terezës, manteli i Dervish Hatixhe, të parës dervish femër në Shqipëri, veshja që mbajti Noli kur ligjëroj meshën shqip dhe përkthimet e tij fetare, Kodikët e Beratit, Epitafi i Gllavenicës, Tespihet, brezi i blertë dhe kama e Baba Reshat Bardhit, Kurani i shek.XV-të dhe kopja e përkthyer e tij prej Hafiz Ali Korçës, Stilolapsi dhe kryqi i At Zef Pllumit, pulla e harmonisë fetare krijuar nga shteti i Vatikanit me rastin e vizitës së Papa Gjon Palit të II-të në Shqipëri, etj.Në këtë mënyrë, duke konservuar këto artifakte historike kemi grumbulluar gjithashtu edhe energjinë pozitive religjioze që kanë emëtuar këto figura që i kanë pasur në përdorim brënda një hapësire unike strukturore.
Dhe një propozim i fundit, por jo më pak i rëndësishëm! 21 Shtatori është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (UN) si Dita Botërore e Paqes. Përse të mos organizohet psh nga Ministria e Kulturës, ajo e Arsimit dhe Komiteti Shqiptar i Kulteve në bashkëpunim me institucione të tjera të interesuara “Java e Paqes” ?! Kjo javë të konceptohet e tillë si një larmishmëri aktivitetesh (konferenca e simpoziume në dialogun ndërfetar, koncerte e recitale muzikore, ekspozita pikture, instalacione, konkurse letrare, shfaqje artistike, etj) me në qëndër këtë koncept. Pse të mos luhet edhe në Shqipëri psh prej Orkestrës Simfonike të RTSH “Mesha e Paqes” e Sir Karl Jenkins apo “Kënga e Zogjve” e violinçelistit të madh katalanas Pablo Casals?! Përse të mos ketë një instalacion për Paqen të realizuar nga studentët e Akademisë së Arteve ?! Ose një botim special me poezi të të rinjve shqiptarë kushtuar këtij koncepti, suportuar financiarisht prej Ministrisë së Kulturës ?! Një angazhim i tillë kombëtar nga ana jonë mendoj, truall i Nobelistes për Paqen, Nënë Terezës do ta fisnikëronte dhe lartësonte edhe më tepër emrin “Shqipëri”.
Por e vetmja forcë e intelektualit, siç shprehet filosofi spanjoll dhe ish-drejtuesi i UNESCO-s, Federico Mayor janë zëri dhe fjala! Le të shpresojmë dhe jemi optimistë që në të ardhmen e afërt diçka do të bëhet! Me dëgjesën e duhur dhe vullnetin e mirë gjithçka është e realizueshme!